Gjermanët kanë fituar titullin e parë, duke hyrë në histori. Janë të parët në shumë fusha, tani janë padiskutim edhe në futboll
PAOLO LEPRI
“Kthehuni me Kupën”. Ishte ky rekomandimi që e gjithë Gjermania i dërgoi këto ditë një kombëtareje në të cilën u bënë pjesë me të drejta të plota edhe Angela Merkeli dhe presidenti Joachim Gauck. Lutjet u dëgjuan: të bardhët fituan titullin e katërt, duke hyrë në histori. Janë të parët në shumë fusha, tani janë padiskutim edhe në atë të futbollit.
Ku mund të mbërrijnë ende gjermanët? Rezultatet ekonomikë, stabiliteti politik, forca e modelit social janë një realitet. A nuk ka rrezik që ky pozicion kyç të shndërrohet në një dominim, të paktën në imagjinatën kolektive? Një tjetër rrezik është që për shkak të fitoreve të bëhen më antipatikë. Për këtë temë, vlen vëzhgimi i një intelektuali si shkrimtari Hans-Magnus Enzensberger, i cili nuk është ndjerë asnjëherë pranë atyre që flasin keq për vendin e tij, ndonëse ka qenë ngahera një rebel. “Edhe suksesi mund të jetë i pavolitshëm. Sepse nuk u pëlqen të tjerëve”.
Po të dëgjoje fjalët që thoshte dje gruaja më e pushtetshme e botës gjatë intervistës tradicionale verore, shumë prej këtyre alarmeve dukej se nuk kishin arsye të ekzistonin. Kur e pyetën se çfarë dëshironte me rastin e 60-vjetorit, përgjigja kishte një thjeshtësi çarmatosëse: “Shëndet të mirë”. Bëhet fjalë për të kuptuar nëse prapa kësaj fasade siguruese nuk ndodhet shpesh herë dëshira që të tjerët të bëjnë gjithmonë atë që duan gjermanët. Po të gjykosh nga ajo që ka ndodhur gjatë krizës së euros dhe në debatin aktual mbi fleksibilitetin, pikëpyetja që ngrihet është legjitime.
Një gjë është e sigurtë. Gjermanët nuk duan më shumë nga sa kanë. Duan vetëm të jenë të sigurtë që nuk do të kenë surpriza të shëmtuara. Kur shumë eksponentë të nomenklaturës berlineze, duke filluar nga presidenti Gauck, ngritën pyetjen se mos kishte ardhur më në fund momenti i një pranie më të madhe të Gjermanisë në skenën politike ndërkombëtare, opinioni publik u shfaq shumë skeptik. Ndoshta mund të flitet edhe për pakëz egoizëm. Por nga ana tjetër, kjo dëshirë për mosprotagonizëm është një lloj garancie kundër tundimeve.
Në historinë e madhe të suksesit të Gjermanisë ndërfutet natyrshëm triumfi i Rios, qoftë edhe prej forcës së tërheqjes që futbolli ka aftësinë të ushtrojë. Megjithatë, fitorja ndaj Argjentinës nuk do të ndryshojë gjërat në kokën e njerëzve. Gjermanët janë shumë realistë për t’u rrëmbyer prej magjepsjes së nacionalizmit. Sigurisht do të ketë shumë krenari, por për një skuadër që është shprehje e një shoqërie moderne dhe shumëkulturore. Kur RFGJ fitoi titullin e parë në 1954, ajo fitore u shndërrua në simbolin e identitetit të një vendi që po ringrihej pas luftës. Sot, në 2014-ën, ata e dinin tashmë se ishin shumë të fortë. /Sette/
Përshtatur në shqip nga bota.al