Ka kohë që s’shihemi dhe ndiej
si të harroj une dalëngadal
si vdes tek une kujtimi yt
si vdesin flokët dhe gjithçka.
Tani kërkoj poshtë e lartë
një vend ku ty të të lëshoj
nje strofë a notë, a një brilant
ku të të lë, të puth, të shkoj.
Në s’të pranoftë asnjë varr
asnjë mermer, a morg kristal
mos duhet vallë prapë të të mbart
gjysëm të vdekur, gjysëm të gjallë?
Në s’gjetsha hon ku të të hedh
do gjej një fushë a një lulnajë
ku butësisht, porsi polen
gjithkund, gjithkund të të shpërndajë.
Të të mashtroj, ndoshta kështu,
dhe të të puth të ik pa kthim
dhe nuk do dimë as ne, askush
harim ish ky, a s’ish harim.