Nga Natalie Nougayrède
Kancelarja e Gjermanisë, e identifikon si sfidën më të madhe të Evropës:një problem kolektiv, që kërkon një zgjidhje të përbashkët. Pasi u angazhua në bisedimet e armëpushimit në Ukrainë vitin e kaluar, dhe menaxhoi reagimin e Evropës ndaj krizës greke, Angela Merkel ka marrë tashmë përsipër hartimin e një strategjie të përbashkët evropiane mbi emigracionin.
Nuk është një ide e re, por shtysa politike që vjen nga Berlini, mund të japë më në fund rezultate më bindëse, sesa ato të arritura deri tani. Merkel është e gatshme që ta shohë problemin në sy. Mbetet e paqartë, nëse liderët e tjerë evropianë do t’ia lënë asaj iniciativën.
Emigracioni mbetet një “patate e nxehtë” politike, duke bërë që shumë liderë europianë të tërhiqen në territorin e sigurtë politik të shtetit-komb. Qëndrimi i kryeministrit britanik Dejvid Kameron ka qenë një rast i tillë, por shihni edhe Sllovakinë, e cila është shprehur se do të pranojë vetëm refugjatët e krishterë, dhe është e qartë se populizmi është në rritje në të gjithë kontinentin.
Në të gjithë Evropën, liderët janë prekur nga sindroma për t’i mbajtur me çdo kusht jashtë emigrantët. Hungaria po ndërton një gardh (përgjatë kufirit të saj me Serbinë). Spanja ka bërë të njëjtën gjë (në Ceuta dhe Melilla). Bullgaria ndoqi të njëjtin shembullin (në kufirin me Turqinë). Më shumë masa shtërnguese po ngrihen në Kale të Francës.
Në Maqedoni, që nuk është anëtare e BE-së, autoritetet kanë përdorur automjetet e blinduara kundër emigrantëve. A do të funksionojë kjo? Nuk ka gjasa. Kur ju u ikni mizorive dhe luftën, dëshpërimi për të arritur një strehë, do të jetë më gjithmonë i fortë sesa gardhet e sigurisë dhe qentë.
Në menaxhimin e fluksit të refugjatëve, që do të jetë një faktor jetik për vitet që do të vijnë, Evropa duhet të përqëndrohet si në nevojat e saj, ashtu edhe në garantimin e standardeve të saj humanitare. Pa një politikë të mirë të përbashkët mbi azilin, BE-ja do të injorojë vlerat themelore, që përbëjnë edhe thelbin e projektit evropian. Dhe pa emigracionin, Evropa do të mplaket dhe shpërdorojë mundësitë për brezat e ardhshëm.
Pra, tashmë mund të jetë një kohë e mirë për të parë pak më larg. Ky ishte mesazhi, që përçoi fundjavën e kaluar Angela Merkel, kur tha se refugjatët do të “preokupojnë Evropën shumë më tepër” sesa kriza greke. Çështja e azilit “mund të jetë projekti tjetër i madh evropian”-tha kancelarja. Çfarëdo paqartësish që mund të gjallojnë, vetëm pak mund të dyshojnë mbi prioritetet e saj.
Si mund të veprojë ajo? Zgjidhjet nuk janë të thjeshta, por ato janë shumë mirë të identifikuara. E vetmja mënyrë e qëndrueshme për të parandaluar vdekjet në det dhe skenat e tjera dramatike në kufi, është hapja ndaj alternativave, rrugëve ligjore për emigrim:mënyra që azilkërkuesit të aplikojnë për mbrojtje në Evropë, pa pasur nevojë të nisën në udhëtime të rrezikshme.
Dhe e vetmja mënyrë që evropianët të bien në një mendje mbi këtë çështje– dhe ashtu siç duhet – është kqyrja nga afër e vetes tonë, duke kujtuar të shkuarën kolektive dhe praktikisht duke vënë në dukje prirjet demografike, të cilat në fund të fundit kërkojnë prurje të reja.
Gjermania ndodhet në një pozitë të mirë për të udhëhequr. Pasi ajo së bashku me Suedinë, është vendi që deri më sot ka mikëpritur numrin më të madh të azilkërkuesve. Deri në fund të këtij viti, aplikimet për azil në këtë vend pritet të arrijnë shifrën rekord të 800 mijë personave, ose 3 herë më shumë se në vitet e mëparshme. Është në proces një domosdoshmëri psikologjike.
Qëndrimet publike, të formuara nga historia e kombit, e bëjnë të vështirë për Gjermaninë të ndjekë politikën e mbajtjes jashtë të emigrantëve. Qeveria e saj ka treguar më shumë bujari se shumë vende te tjera, në shpërndarjen e paketave ndihme për refugjatët e ardhur. Por ndërkaq ka edhe shumë pragmatizëm.
Normat e ulëta të fertilitetit, e bëjnë nevojën për emigrantë një realitet. Kjo nuk diskutohet aq shpesh, megjithatë është një pjesë e rëndësishme e analizës në Berlin. Disa parashikime, tregojnë se popullsia e vendit do të bjerë me 18 milionë njerëz deri në vitin 2060.
Evropa përballet me të njëjtën sfidë, sepse edhe ajo do të ketë nevojë për më shumë punëtorë në dekadat që do të vijnë, me popullsinë në moshë pune në BE që parashikohet të tkurret me 13 milionë deri në vitin 2030.
Natyrisht, një dallim i qartë duhet bërë midis urgjencës së kërkesave për azil që vijnë nga zonat e luftës dhe konflikteve të tjera, si dhe çështjen e adresimit afatgjatë të problemit demografik dhe nevojës së emigracionit. Por asnjë kategori s’mund të adresohet si duhet, pa një qasje të përbashkët. Udhëheqësit e BE duket se po shkojnë në këtë drejtim, me samitet e planifikuara për këtë vjeshtë mbi emigracionin.
Por lista e çështjeve është e gjatë:kufijtë e të ashtuquajturit Regullator i Dublinit- përcakton që shteti duhet të marrë përgjegjësinë aty ku kryhet aplikimi për azil – mungesa e kritereve të përbashkëta dhe procedurave të azilit, hendeku mes burimeve dhe kërkesave. Por ky duhet të jetë drejtimi i udhëtimit. Mbretëria e Bashkuar, ka ndjesinë e brendshme për t’u konsideruar si udhëheqëse, duke rinegociuar lidhjet e saj me BE-në në prag të një referendumi.
Por Gjermania dhe Franca, duan një mëyrë të përbashkët veprimi. Greqia dhe Italia, në vijën e frontit emigrator të Evropës, gjithashtu luten për veprime më kolektive. Merkel ka të drejtë ta konsiderojë këtë si një çështje strategjike për Evropën, dhe që për këtë arsye rezonon në Berlin dhe më gjerë.
Gjermania është përballur me një rritje të madhe të kërkesave për azil, jo vetëm nga Siria por nga Ballkani – një nga krahët më të dobët gjeopolitik të BE-së. Trajtimi i çështjes së emigracionit, ka gjasa të bëhet pjesë në rritje e detyrës së përgjithshme për të stabilizuar Ballkanin, përfshirja e të cilit në BE mbetet e papërfunduar.
Merkel e di se nëse nuk gjenden zgjidhjet, populizmi dhe ksenofobia do të rriten në Gjermani, si kudo në BE. Diskutimet me shtetet afrikane, pa përmendur ato që kanë të bëjnë me moçalin e Lindjes së Mesme, do të jenë sa të rëndësishme po aq edhe ta vështira. Për shembull, si mund të ketë Evropa një dialog kuptimplotë me Turqinë, në qoftë se ajo ia lë barrën e një fluksi masiv refugjatësh sirianë, shteteve fqinje?
Ajo çfarë duket se kërkon Merkel, është që një çështje e trajtuar deri tani në mënyrë fragmentare, të adresohet si një e tërë. Është një mesazh i fortë; se mohimi i tanishëm i realiteteve shkon deri në një marrëzi kolektive. Evropa ka nevojë për emigrantët, dhe që kjo të ndodhë në një mënyrë të mirë, të qëndrueshme, duhen të hapen kanalet ligjore dhe burimet e përkushtuara për integrimin.
Kjo është një çështje ekzistenciale, dhe jo diçka mund të zgjidhet nga diskutimet mbi “xhunglën e Kalesë”, ose grindjet rreth kuotave. Merkel ka atë të drejtë me listën e saj të prioriteteve. Është një detyrim moral shpëtimi i njerëzve në nevojë, por duhet të ketë ndërkaq edhe një njohje kolektive, se kemi hyrë në një epokë përcaktuese, dhe një përpjekje kolektive për ta përmbushur sfidë.
“The Guardian” – Bota.al