Bota

Kriza pa rrugëdalje e Katalonjës

Në sheshin e Urquinaonas të dielën në mëngjes punëtorët dolën të punojnë herët. Kishin për të riparuar asfaltin, zëvendësuar trotuaret e shkatërruara, riparuar strehën e autobusëve të shkatërruar nga zjarri, në atë që ishte skenari i betejës e cila, më 18 tetor, i vuri flakën kësaj qosheje të qendrës të Barcelonës. Ishte dita më e keqe e protestave që shpërthyen pas dënimit nga Gjykata e Lartë Spanjolle, e drejtuesve të indipendentizmit katalanas. Për mbi tetë orë, oficerët e policisë kombëtare dhe policisë katalanase, përparuan dhe u sprapsën, duke gjuajtur me plumba gome dhe hedhur gaz lotsjellës, mbi dhjetëra e dhjetëra të rinj që ndërtonin barriera me kosha e shtylla sinjalistike dhe godisnin me fishekzjarre dhe gurë. Nga aty, protesta u përhap në pika të ndryshme në qendër, prej lagjes Gracia deri në Eixample, me zjarret që mbushnin ajrin me erën e keqe të plastikës së djegur.

Bilanci pas një jave proteste që filloi me pushtimin e aeroportit El Prat është 600 të plagosur (një agjent policie dhe një demonstrues në gjendje të rëndë), 200 arrestime dhe dëmtime në shumën 2.5 milion euro.

Ndërsa përleshjet filluan në Urquinaona të premten, gjysmë milioni njerëz demonstruan paqësisht në Jardinets de Gràcia, ku u bashkërenduan të ashtuquajturat “marshime të lirisë”, të cilat kishin nisur dy ditë më herët nga pika të ndryshme të Katalonjës, dy vjet pas referendumit të njëanshëm për pavarësinë, që u mbajt 1 tetor 2017.

Pas mbërritjes së tyre në Diagonal, një nga arteriet kryesore të qytetit, qindra njerëz, në anë të rrugës mirëpritën me duartrokitje protestuesit, duke kënduar së bashku Els Segadors: himni zyrtar i Katalonjës, i cili jehoi në sheshet e protestës me koret që kërkonin “lirimin e të burgosurve politikë”, domethënë drejtuesit e indipendentizmit, të dënuar nga 9 deri në 13 vjet burg.

Indipendentistët e ndarë

Dënimet, veçanërisht ato për dy “Jordis” – Jordi Sànchez dhe Jordi Cuixart, drejtues përkatësisht të Asamblesë Kombëtare Katalonjase dhe Omnium, dy entitetet e shoqërisë civile që prej vitesh kanë vënë në lëvizje radhët e procesit për pavarësi nga Madridi – kanë rihapur plagë, të cilat askush në këto dy vitet që nga ngjarjet e vjeshtës së vitit 2017, nuk është përpjekur t’i shërojë, as në Madrid dhe as në Barcelonë.

Aksioni i qeverisë qendrore, e cila në ndërkohë, prej më shumë se një viti ka kaluar në duart e konservatorëve të Partisë Popullore, nuk ka shkuar përtej rrugës gjyqësore. Kryetari i qeverisë Pedro Sánchez vizitoi policët e plagosur në Barcelonë, por nuk pranoi të takohej me presidentin e Generalitat, Quim Torra, të cilit i kërkoi të dënonte publikisht protestat e dhunshme. Njëzet ditë nga zgjedhjet e reja të 10 nëntorit, me sondazhet që nuk japin rezultate të pritshme dhe të djathtën ekstreme të Vox që, edhe pse u fut në telashe gjatë zgjedhjeve evropiane, tashmë është në ngjitje të shpejtë, nga ai front nuk pritet të ketë hapje.

Por edhe në Barcelonë, pas momentumit të dënimit, nuk duket se ka një ide për drejtimin që duhet ndjekur. Qeveria autonome katalane, përbëhet nga dy palë që mezi e durojnë njëra-tjetrën: Esquerra Republicana – e majta, udhëheqësi i së cilës, njëkohësisht ish nënkryetari rajonal Oriol Junqueras, mori dënimin më të lartë – dhe Junts per Catalunya, formacioni në të cilin u bashkua e djathta e pavarur katalanase dhe që tani drejtohet në distancë nga ish presidenti Carles Puigdemont, i cili iku në Belgjikë pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë dy vjet më parë. Se sa e thellë është ndarja në radhët e indipendentistëve, kjo tregohet nga shpejtësia me të cilën Esquerra nxitoi të mohojë propozimin e Presidentit të Generalitat, Quim Torra, për të mbajtur një referendum të ri para përfundimit të legjislaturës.

Qeveria autonome dhe kush e përfaqëson, presidenti Torra, duket se nuk janë në gjendje që të kontrollojnë atë që po ndodh në këto ditë në rrugët e Barcelonës dhe qyteteve të tjera – Girona, Lleida, Tarragona – ku protesta ka degjeneruar. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për ata që ndezin zjarre në sheshe.

Në rrugë, autorët e gueriljes urbane të këtyre ditëve ishin të rinj dhe shumë të rinj, shumë prej tyre të rritur në vitet e nxehta të proceseve, disa u përkisnin mjediseve të indipendentizmit dhe anarkizmit radikal, të tjerët thjesht të vënë në lëvizje nga dëshira për të “qenë aty”. “Sergi, mjaft fotografove dhe jeto momentin”, i tha njëri prej shokut, duke vrapuar mes zjarreve në rrugët e Eixample. Megjithatë, në planin afatmesëm dhe afatgjatë, problemi i vërtetë është një qëndrim mirëkuptimi ndaj protestave të dhunshme, që është ulur këmbëkryq tashmë, në një lëvizje e cila zgjedhur pacifizmin si argumentin më të mirë në “betejën për rrëfimin” e asaj që po ndodh në këto vite në Katalonjë.

“Unë nuk jam duke mbrojtur dhunën por duke qenë paqësorë, nuk kemi arritur shumë. Ka shumë zhgënjim”, thotë Maria, një zonjë që ka ardhur nga Martorell, rreth tridhjetë kilometra larg nga Barcelona, ​​me një nga “marshimet e lirisë “. Një mendim që u përsërit në shumë në demonstratën e madhe të së premtes. Dhe është një “por” më e vështirë për t’u menaxhuar, se sa zjarret e këtyre netëve. Edhe sepse askush nuk duket që të ketë vullnetin për të rregulluar gjithçka që është prishur në këto dy vjet, as për ta bërë këtë me nxitim, siç bënë punëtorët me kallëpin e freskët të asfaltit, në sheshin Urquinaona.

Mariangela Paone

Internazionale – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button