BotaMAIN

Krizë amerikane

Eric Cortellesa

Charlie Kirk po bënte atë që shpesh bënte – po id rejtohej një turme studentësh, duke i provokuar dhe nxitur në debat. Themeluesi 31-vjeçar i Turning Point USA ishte në Universitetin Shtetëror të Luginës së Utah, pranë Salt Lake City, më 10 shtator, i rrethuar nga mijëra studentë të mbledhur në një mjedis të hapur. Ishte ndalesa e parë e turit të tij vjeshtor në kampuse, dhe ai ishte ulur nën një tendë ku shkruhej me germa të mëdha: “Rikthimi Amerikan”. Kirk u shndërrua në një yll, në këto skena. Që prej themelimit të organizatës së tij të së djathtës kur ishte 18 vjeç, ai u tregua i pakonkurrueshëm në kanalizimin e pakënaqësisë rinore drejt energjisë politike, duke formësuar një lëvizje me ndikim kombëtar.

Teksa Kirk u përgjigjej pyetjeve nga auditori, u dëgjua një krismë pushke, e cila e goditi në qafë. Studentët e tmerruar u shpërndanë mes panikut. Kirk u dërgua me urgjencë në spital. Pamjet tronditëse të atentatit u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale. Brenda Shtëpisë së Bardhë, stafi mbeti i mpirë në heshtje, duke ia ngulur sytë ekraneve të telefonave për të parë lajmet e fundit. Në orën 16:40, Donald Trump shpalli vdekjen e Kirk në Truth Social. “Askush,” shkroi Presidenti, “nuk i kuptoi apo nuk e pati më pranë zemrës rininë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sesa Charlie.” Ai lë pas një bashkëshorte dhe dy fëmijë të vegjël.

Në vitet e fundit, perspektiva e një atentati politik të tillë, i kryer përpara një turme të tronditur në mes të ditës, kishte rënduar mbi një komb të përçarë nga përplasjet mes fraksioneve. Zyrtarët e zgjedhur e përmendnin me zë të ulët në prapaskena dhe në autobusë fushatash. Kur momenti mbërriti, ai u shpalos me një saktësi të ftohtë: një skenë kampusi, një mikrofon, një krismë e vetme. Se ku do të çojë tani kjo, është një pyetje ogurzezë pa përgjigje të qarta.

Kirk ishte një nga figurat më të fuqishme dhe më nxitëse të së djathtës amerikane, tribun i palodhur i ushtrisë së re të Trump. Për admiruesit e tij, ai ishte një mbrojtës i lirisë së shprehjes në territore armiqësore; për kritikët, një provokator që ushqehej me përçarjen e epokës. Madhësia dhe pasioni i audiencave të tij tregonin vendin që ai kishte në hapësirën konservatore. “Zëri më me ndikim i brezit tim,” siç shprehet këshilltari i Trump dhe miku i familjes, Alex Bruesewitz.

Amerika është një komb i formuar nga dhuna politike dhe i zhytur në pasojat e saj. Vitet 1960 u shenjuan nga atentatet politike, nga Kennedy te King. Por vitet e fundit, aktet e dhunës së hapur janë bërë ritmi i zymtë i një politike të degraduar kombëtare. Në vitin 2021, vit kur mbështetësit e Trump sulmuan Kapitolin amerikan, kishte mbi 9,600 kërcënime të regjistruara kundër anëtarëve të Kongresit, sipas Policisë së Kapitolit.

Vitin pasues, një person me çekiç goditi bashkëshortin e Kryetares së Dhomës, Nancy Pelosi, në shtëpinë e tyre në San Francisko, dhe një person tjetër tentoi të therte kandidatin për guvernator të Nju Jorkut, Lee Zeldin, gjatë një tubimi elektoral. Në vitin 2024, vetë Trump u përball me dy atentate, përfshirë pasditen historike në Butler, Pensilvani, kur ai ktheu kokën mu në çastin kur shtiu një atentator, dhe plumbi i preku veshin, në vend që t’i përshkonte kafkën.

Këtë vit kërcënimi u bë edhe më i fortë. Rezidenca e guvernatorit të Pensilvanisë, Josh Shapiro, demokrat, u dogj nga një zjarrvënës; një person i armatosur qëlloi mbi dy ligjvënës demokratë nga Minnesota dhe bashkëshortet e tyre; dy izraelitë, anëtarë të stafit të ambasadës u qëlluan për vdekje jashtë Muzeut Hebre të Kryeqytetit në Washington, D.C.; një burrë që bërtiste “Free Palestine” hodhi koktejle Molotov mbi një demonstratë pro-izraelite në Boulder, Kolorado; dhe një person i armatosur, që dyshohet se kishte qëndrime kundër vaksinave, hapi zjarr në selinë e CDC-së në Atlanta.

“Mendoj se provat janë të qarta: ndodhemi në një pikë të rrezikshme të një përshkallëzimi të mundshëm,” thotë Shannon Hiller, drejtoreshë ekzekutive e Nismës Bridging Divides të Universitetit Princeton, e cila ndjek dhunën politike në SHBA.

Ajo argumenton se një sërë forcash – përdorimi i përhapur i retorikës jonjerëzore, disponueshmëria e armëve të zjarrit, përhapja e dezinformimit, zhdukja e besimit tek institucionet – janë bashkuar për të krijuar një problem të pazgjidhshëm. “Është bashkimi i të gjitha këtyre gjërave që sjell situatën në të cilën po jetojmë,” thotë ajo. “Dhe është arsyeja pse është kaq e vështirë të vësh gishtin mbi një zgjidhje të vetme, që mund të na nxjerrë prej saj.”

Rruga e Kirk drejt spikatjes në nivel kombëtar ishte ndryshe nga ajo e ikonave të tjera të MAGA-s. I lindur në një periferi të Çikagos, ai u tërhoq drejt politikës konservatore në një mjedis kryesisht liberal. Në moshën 17 vjeç ai u angazhua si vullnetar në një fushatë të një kandidati republikan për Senatin amerikan. Ra në sy kur shkroi një ese për faqen e djathtë Breitbart News, ku pretendonte se tekstet shkollore që përdorte ishin të mbushura me anshmëri liberale. Zelli i Kirk tërhoqi vëmendjen e Bill Montgomery, një biznesmen dhe aktivist i Tea Party-t, i cili e nxiti të hiqte dorë nga kolegji dhe t’i përkushtohej plotësisht organizimit politik.

Me kapitalin fillestar të Montgomery-t, Kirk themeloi Turning Point USA. Ai kishte një aftësi të veçantë për të gjetur patronë të pasur, të tërhequr nga shkathtësia e tij sipërmarrëse. Njëri prej tyre ishte megadonatori republikan Foster Friess, i cili firmosi një çek prej 10,000 dollarësh për ta ndihmuar të ngrinte organizatën që sapo kishte nisur. Strategu republikan Michael Biundo ishte ndër ata që vunë re sa i sigurt ishte Kirk, që në krye të herës. “Ai gjithmonë e donte sfidën për të ndryshuar mendjet dhe zemrat e të rinjve. I shihte ata si të ardhmen, si pikën e kthesës për të lëvizur gjilpërën e politikave dhe parimeve konservatore,” thotë Biundo. “Ai e çoi betejën drejt e në kampuse, me fjalët dhe stilin e tij debatues. Ndikimi i tij në këtë fushë nuk mund të mbivlerësohet.”

Ajo që nisi si një përpjekje për të mobilizuar studentët kundër ortodoksisë liberale, u shndërrua në diçka më të madhe. Kirk tërhoqi vëmendjen kombëtare me “Professor Watchlist” – një listë publike që shënjestronte akademikët e akuzuar për shtypje të fjalës konservatore ose për promovim të propagandës së majtë.

Ai gëzohej me provokimet që i jepnin kënaqësi së djathtës dhe tërbonin të majtën. Kirk argumentonte se disa vdekje nga dhuna me armë ishin një çmim i arsyeshëm për të ruajtur Amendamentin e Dytë; bënte thirrje që një “patriot” të paguante garancinë për lirimin e personit që sulmoi Paul Pelosi-n; ndihmoi në përhapjen e thashethemeve të pabazuara se emigrantë haitianë në Ohio po hanin kafshët shtëpiake të njerëzve; dhe dikur e quajti Aktin për të Drejtat Civile një “gabim të madh.” Lista e personave që ai ofendoi – shpesh qëllimisht – ishte po aq e gjatë sa lista e mbështetësve të tij.

Me kalimin e kohës, Turning Point u kthye në një organizatë të fuqizuar, me shumë funksione: një media, një makineri për mobilizimin e votuesve dhe një qendër për rekrutim studentësh në mijëra shkolla të mesme dhe universitete. “Të gjitha janë simbiotike,” më tha Kirk disa javë më parë. “Të gjitha ushqejnë njëra-tjetrën.”

Kirk nuk ishte fillimisht një përkrahës i Trump-it. Gjatë zgjedhjeve paraprake republikane të vitit 2016, ai mbështeti Scott Walker dhe Ted Cruz përpara se të rreshtohej me Trumpin. Gjatë fushatës, një i njohur i tij organizoi një takim me Donald Trump Jr., i cili e punësoi menjëherë. Për pjesën tjetër të fushatës, ai punoi si asistent i Trump Jr., rol që e futi më thellë në botën e Trump-it dhe i siguroi vendin në rrethin e tij të brendshëm.

Pas fitores së Trump-it në vitin 2016, Kirk ia riktheu vëmendjen Turning Point-it dhe shpejt u shndërrua në një nga mbrojtësit më të zjarrtë të Presidentit. Ai hoqi dorë nga mbetjet e libertarianizmit reaganian dhe përqafoi kornizën nacional-populiste që qëndronte në themel të projektit politik të Trump-it: kufizimin e imigracionit, vendosjen e tarifave doganore dhe refuzimin e angazhimeve të huaja.

“Nuk është një metamorfozë,” më tha dikur. “Është një udhëtim.” Në vitin 2019, Kirk nisi Turning Point Action, një grup politik i dedikuar për të mposhtur demokratët dhe për të fuqizuar republikanët e rreshtuar me Trumpin. Pandemia e COVID-19 e çoi atë në një nivel të ri dukshmërie. Kirk filloi të regjistronte disa podkaste në ditë, ku sulmonte masat e detyrueshme për maskat dhe mbylljen e shkollave. Ai u bë një figurë e përhershme në Fox News, ku tiradat e tij tërhoqën vëmendjen e Trump-it. Një mbrëmje, Kirk artikuloi një frazë që kristalizoi zemërimin konservator: “Kura nuk mund të jetë më keq se sëmundja.”

Trump e dëgjoi, i pëlqeu dhe filloi ta përsëriste vetë. Në vitet që pasuan, Kirk u bë një nga aleatët më të palëkundur të Trumpit. Ai përforcoi pretendimet e rreme të Trumpit se zgjedhjet e vitit 2020 ishin vjedhur dhe loboi që J.D. Vance të bëhej kandidat për zëvendëspresident.

Deri në vitin 2024, Turning Point po drejtonte fushatën e mobilizimit të votuesve në Arizona, nga e cila varej fushata e Trumpit, një përpjekje që ndihmoi të rikthehej ky shtet kyç në anën e tij. Deri atëherë, Kirk kishte mbledhur miliona ndjekës në rrjetet sociale, dhe The Charlie Kirk Show ishte bërë një nga podkastet politike më të njohura në vend. Ai ishte një fushatë bindjeje më vete në emër të Trump-it, duke ndihmuar republikanin të arrinte një rezultat të fortë me votuesit e rinj në nëntorin e kaluar.

Pas kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, Kirk u vendos në një apartament në pronësi të një donatori në West Palm Beach për të ndihmuar në menaxhimin e tranzicionit, duke vlerësuar kandidatët e mundshëm për poste sipas besnikërisë. Kur Trumpi bëri betimin, Kirk ndodhej vetëm disa hapa larg.

Këtë verë, e takova Kirk në Phoenix, ku kaluam orë të tëra duke biseduar ndërsa ai më shëtiste nëpër selinë e Turning Point – një kompleks i gjerë me gjashtë godina. Kur hyra brenda, ai ishte veshur me një T-shirt dhe pantallona sportive, lëvizte me çorape dhe shihte me ankth rezultatin e ndeshjes së Chicago Cubs. Ai dhe ndihmësit e tij ishin zhytur thellë në planifikimin e një turi fjalimesh për vjeshtën, dhe prisnin turma gjithnjë e më të mëdha.

Kirk mendonte të shkruante një libër mbi parimet thelbësore të MAGA-s. Por fokusi i tij, si gjithmonë, ishte në ndërtimin e një lëvizjeje që do të mund të zgjaste për vite me radhë. Ai po mendonte se kush mund të mbante pishtarin e Trumpit më tej. “Nëse J.D. dëshiron të kandidojë, ka mbështetjen time të plotë,” më tha. “Do të bëj gjithçka që është në fuqinë time për ta bërë President. Që nga dita e parë, në rreshtin e parë.”

Për miqtë dhe aleatët e Kirk, atentati është shkatërrues – si për humbjen personale, ashtu edhe për atë që ata druhen se ai paralajmëron. “Për fat të keq, nuk mendoj se do të jetë i fundit, prandaj është kaq i frikshëm,” thotë përfaqësuesja Anna Paulina Luna nga Florida, ish-anëtare e Turning Point, e para e zgjedhur në Kongres. Fjalët e saj bartnin një ogur të zi: në jetën amerikane, aktet e dhunës politike rrallëherë kanë qenë të izoluara. Vrasja e Martin Luther King Jr. ndezi trazira në të gjithë vendin; atentati ndaj Gabby Giffords thelloi atmosferën e paranojës dhe mosbesimit; sulmi i 6 janarit, me skenat e njerëzve të armatosur që shëtisnin nëpër Kapitol, zemëroi të majtën dhe ilustroi problemet ekstreme që kishin kapluar të djathtën.

Vdekja e papritur dhe publike e Kirk rrezikon t’i bashkohet atij zinxhiri. Vrasja e tij mund të shndërrohet jo vetëm në një tragjedi, por edhe në një katalizator – një ngjarje që radikalizon edhe më shumë amerikanë, më pak si një devijim dhe më shumë si një tipar i politikës sonë kombëtare, gjithnjë e më të rrezikshme. / TIME – Bota.al

Back to top button