Analiza

Kujtimet e mia personale si përkthyes i Ten Hsiaopinit

Nga Oriana Fallaci, tek Kim II-sung dhe Gorbaçovi. Ai besonte se kopjimi i modelit perëndimor dhe vendosja e reformave politike në krye të agjendës, siç po bënin sovjetikët në atë kohë, ishte marrëzi. Në fakt, pikërisht ky ishte komenti i Tenit për Gorbaçovin, pas takimit mes të dyve: “Ky burrë mund të duket i zgjuar, por në fakt është budalla”

Chinese President Deng Xiaoping (C) usheZhang Weiwei

Ndonëse kanë kaluar pothuaj 19 vjet që kur ai u nda nga jeta, sytë e tij, të mprehtë dhe të thellë, mbeten të ngulitur në kujtesën time. Ndonëse sjellja e tij ishte ajo e një burri të moshuar, të qetë dhe të sjellshëm, vështrimi i vendosur tradhëtonte një vullnet të fortë si hekuri – një vullnet që i dha formë një kombi të tërë. Si përkthyes për Tenin dhe udhëheqës të tjerë të lartë kinezë në vitet 1980, kam patur fatin të jem në kontakt të afërt me këtë njeri të madh.
ten 2Ten Hsiaopini ishte një personazh i vërtetë, i famshëm për sjelljen e mprehtë dhe të drejtpërdrejtë. Kur takoi gazetaren italiane Oriana Fallaci në vitin 1980, ata qëndruan për orë të tëra dhe ajo i bëri pyetje shumë të vështira. Gjatë një pushimi, Teni e pyeti: “A i flet kështu edhe babait tënd?” Fallaci tha po. “A nuk të jep një shuplakë fytyrës babai?” pyeti Teni, duke qeshur. Fallaci, një gazetare goxha luftarake, mbeti e impresionuar nga i intervistuari po aq luftarak, i cili fliste kaq hapur dhe pa dorashka, me kamera dhe pa kamera.
Kam vërejtur Tenin edhe gjatë takimeve me udhëheqës të huaj, përfshirë Kim II-sung nga Korea e Veriut, Robert Mugaben e Zimbabves, Mikail Gorbaçovin e Bashkimit Sovjetik dhe Xherri Roulings nga Gana.
Kim II Sung vizitoi Kinën në vitin 1982, kur ekonomia e Koresë së Veriut po kalonte një periudhë shumë të vështirë. Kim i tha Tenit se një prej mënyrave që kish në plan të kapërcente vështirësitë ishte që të rriste më shumë thëllëza se sa pula, Kimi tha që kishte mësuar prej presidentit të Pakistanit se vezët e thëllëzës janë dy herë më të ushqyeshme se ato të pulës.
Teni nuk e zgjati shumë dhe ndërroi bisedën. Ai i foli Kimit për vëzhgimet e tij në lidhje me verilindjen e varfëruar të Kinës, gjatë rrugës së kthimit nga një vizitë që kishte bërë në Korenë e Veriut në vitin 1978. Pas disa dekadash revolucion, tha ai, shumica e zonave rurale ishin ende tejet të varfëra. Duke besuar se socializmi duhej të kishte sjellë pasuri dhe jo varfëri, Teni nuk ishte shumë i interesuar për të folur për vezë thëllëzash, se sa ishte për të folur në lidhje me kthesën e një kombi të tërë drejt rrugës së zhvillimit ekonomik dhe modernizimit. Masat që donte të adoptonte, i tha ai Kimit, përfshinin hapjen ndaj teknologjive të huaja, menaxhimit dhe kapitalit.
Ndërkohë që shumë vende socialistë në atë kohë mendonin për përshtatje të vogla teknologjike, Teni kishte në mendje reforma rrënjësore.
Pikëpamjet e mia të sotme e kanë marë formën pikërisht duke dëgjuar bisedat e Tenit me Kimin dhe udhëheqës të tjerë botërorë. Në mendjen time, ka tre lloje modelesh për reforma mes vendeve socialistë.
I pari është modeli konservator i adoptuar nga Korea e Veriut dhe Kuba. Janë mbajtur pas një ekonomia të planifikuar me mekanizma të kufizuar të tregut, dhe rezultati i përgjithshëm nuk ka qenë aq i mirë dhe ekonomitë mbeten të varfëra.ten 3
Së dyti, është modeli radikal i adoptuar nga Bashkimi Sovjetik dhe Europa Lindore. Ky model është një revolucion de facto, që ka kërkuar të transplantojë sistemin shumëpartiak perëndimor dhe ekonominë e tregut. I dimë rezultatet: Kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik, ekonomia e Rusisë ishte më e madhe se ajo e Kinës. Tani, rezervat e valutës të Kinës (4 trilion USD) janë më shumë se sa GDP e Rusisë dhe vendeve të Europës Lindore të marrë së bashku.
Qasja e tretë është modeli kinez i reformave të qëndrueshme. Faktet flasin vetë. Më pak se 20 vite pas vdekjes së Tenit, Kina është ekonomia e dytë më e madhe e botës, që në vitet që do të vijnë do të synojë vendin e parë.
Robert Mugabe vizitoi Kinën për herë të dytë në vitin 1985. Ai e admironte Mao Ce Dunin dhe gjysma e anëtarëve të kabinetit të tij ishin trainuar në një akademi ushtarake në Nanjing. Ashtu si gjatë vizitës së parë në vitin 1981, Mugabe ndiente që Kina po marshonte drejt kapitalizmit dhe nuk ishte i lumtur që kinezët kishin hedhur poshtë Kryetarin Mao.
Teni i tha Mugabes se Kina thjeshtë po i përmbahej parimit të “kërkimit të të vërtetës tek faktet”, një element kyç i Maoizmit. Dhe baza e Katër Modernizimeve (bujqësia, industria, mbrojtja kombëtare dhe shkenca e teknologjia) ishte socializmi. Teni ishte i vendosur për dy parime të palëkundshëm: udhëheqja e partisë komuniste dhe prona e përbashkët. Sa kohë që këta dy elementë ishin të paprekur, ai mendonte se çdo gabim mund të korrigjohej.
Përderisa Mugabe ishte një majtist, Teni kaloi një sasi të konsiderueshme kohe duhe risjellë në vëmendje se sa mësime kishte nxjerrë Kina prej të qënurit “e majtë” – Hapi i Madh Përpara dhe Revolucioni Kulturor. “Ne u ndëshkuam” nga këta gabime, ia tha troç Teni mysafirit të shastisur. Në të njëjtën kohë, Teni e siguroi Mugaben se Kina do u përmbajej të ashtuquajturve Katër Parimeve Themelorë – qëndrimi në rrugën e socializmit, ruajtja e diktaturës së proletariatit, ruajtja e lidershipit të Partisë Komuniste si dhe Mendimin e Mao Ce Dunit dhe Marksizëm Leninizmin.
Gjatë vizitës së radhës të Mugabes në vitin 1987, Teni foli më tej për këta parime. Ka vetëm një objektiv për ruajtjen e tyre, tha Teni, dhe ky është ruajtja e stabilitetit në Kinë. Pa stabilitet, besonte ai, modernizimi i Kinës do të shkatërrohej prej liberalizmit properëndimor.
Megjithatë, këta parime nuk ishin dogmë, theksoi Teni, por duhet të udhëhiqen prej “nxjerrjes së të vërtetës nga faktet”. Shkurt, realiteti në terren, dhe jo ideologjia, do të udhëhiqnin Kinën në rrugën e reformave. Edhe pas kaq shumë shpjegimeve prej Tenit, Mugabe nuk ishte tërësisht i bindur. “Ne miqtë në Botën e Tretë shpresojmë ende se Kina do të qëndrojë në rrugën e socializmit”, tha Mugabe. Ndieva bezdinë e Tenit kur u përgjigj: “Ne kemi ende një makineri të fuqishme shtetërore”. Teni shtoi se kjo makineri e fuqishme mund të parandalonte çdo shmangie të mundshme nga drejtimi i socializmit. Në të vërtetë, Teni priste më të keqen prej udhëtimit të frikshëm drejt modernizimit, duke përfshirë edhe atë lloj trazirash politike që u materializuan në vitin 1989. Nga biseda me Mugaben, e kisha të qartë se Teni nuk do të lejonte kurrë një sfidë të hapur dhe përmbysje të sistemit socialist.
PER GORBACOVIN: “KY DUKET BURRë I ZGJUAR, POR NE FAKT ESHTE BUDALLA”
Dhe kjo na sjell tek Mikail Gorbaçovi, i cili e vizitoi Kinën në maj 1989. Në atë kohë, në Kinë kishte dy forca politike. Nga njëra anë kishim studentët, heroi i të cilëve ishte Gorbaçovi, i njohur për prioritetin që u kish dhënë reformave politike. Studentët e pritën heroin e tyre me një slogan – “Sot Bashkimi Sovjetik, nesër Kina” – që ishte shumë joshës për inteligjencian e Kinës.
Nga ana tjetër kishin Tenin, që besonte se detyra më urgjente ishte të përmirësohej jetesa e njerëzve. Në këndvështrimin e tij, të gjithë reformat e tjera, duke përfshirë ato politike, duhej t’i shërbenin këtij objektivi parësor. Ai besonte se kopjimi i modelit perëndimor dhe vendosja e reformave politike në krye të agjendës, siç po bënin sovjetikët në atë kohë, ishte marrëzi. Në fakt, pikërisht ky ishte komenti i Tenit për Gorbaçovin, pas takimit mes të dyve: “Ky burrë mund të duket i zgjuar, por në fakt është budalla”.
Dy palët nuk mund të mbërrinin në një kompromis, gjë që në fund shkaktoi tragjedi: Shumica e kinezëve sot bien dakord me këndvështrimin e Tenit. Stabiliteti është parësor për një vend shumë të madh si Kina. Në një mjedis të qëndrueshëm, disa politika ekonomike liberale munden, dhekanë bërë diferencën për të paktën 70 përqind të popullsisë. Hap pas hapi, kështu kemi shkuar kaq larg.
KATER TIPARET E TENIT
Për ta përmbledhur, koha që kalova si përkthyes i Ten Hsiaopinit më ka lënë përshtypje të mëdha, sidomos ato që unë i quaj katër tiparet e tij:
I pari, vizioni. Edhe në të tetëdhjetat, Teni ishte një strateg me largpamësi të spikatur. Gjithmonë fliste për gjëra që edhe ai vetë nuk i shihte dot pasi do të vinin disa dekada më vonë. Ai mendonte se detyra e tij ishte të parashtronte disa parime themelorë, që do të shtronin rrugën për kombin, për 100 vitet e ardhshëm.
Së dyti, mendimi. Teni mendonte gjithë kohës. Sa herë që merrte informacione nga Ministria e Jashtme, ai ulej i heshtur, i vetëm në divan me cigaren në buzë, duke e ngulur vështrimin diku në dhomë, i përhumbur në mendime. Kjo pamje më është ngulitur në mendje që atëherë.
Së treti, pragmatizmi i qartë. Teni vinte gjithmonë theksin në rëndësinë që kishte zbatimi i diçkaje të re në formë eksperimentimi, përpara se ta zbatoje në shkallë të gjerë.
Së katërti, madhështia. Teni komandonte një ushtri të madhe dhe kishte luftuar në beteja të mëdha gjatë luftës revolucionare. Kishte patur edhe shumë ulje-ngritje në karrierën e tij të gjatë. Kjo përvojë e gjatë e jetës i dha një aureolë madhështie, që gjente shprehje tek një lloj vetëbesimi për mënyrën se si funksionon bota.
Një udhëheqës i huaj e pyeti një herë Tenin nëse Kina ishte e shqetësuar që Bashkimi Sovjetik do të përfshihej në luftën kino-vietnameze. Në fund të fundit, BS ishte një superfuqi shumë më e fortë ushtarakisht se sa Kina. Teni u përgjigj thjeshtë, pa asnjë gjurmë ankthi: “Si mundet të guxojë të pushtojë Kinën Bashkimi Sovjetik, kur superfuqia nuk arriti të pushtojë as Afganistanin?”
20 vjet më parë, shkruajta një editorial për International Herald Tribune. Teni nuk ishte shfaqur në publik qysh prej Vitit të Ri Hënor në 1994 dhe bota po priste që të ndahej nga jeta. Shumëkush parashikoj që në Kinë do të mbretëronte kaosi dhe ajo mund edhe të shpërbëhej. Sapo e kam rilexuar atë artikull dhe është i vlefshëm edhe sot, pa i ndryshuar asnjë fjalë. Konkluzoni im atëherë, ashtu si sot është: “Duke marrë forcë prej performancës ekonomike, kujtimeve të kaosit të dikurshëm politik dhe nxjerrë mësime prej Rusisë, Tenizmi mund të vazhdojë të mbizotërojë. Mund të kemi një Kinë më demokratike, por kjo do të vijë si rezultat i reformave graduale dhe begatisë më të madhe, që janë bërë më të lehta prej doktrinës së Ten Hsiaopinit, dhe jo prej një demokratizimi radikal”. /HUFFINGTON POST/

PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close