Bota

Kundër-grushti i shtetit në Turqi

Screen Shot 2016-07-16 at 20.56.33The New York Times

Ishte ironike që, teksa pjesëtarë të ushtrisë nisën një grusht shteti kundër tij natën e të premtes, Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, përdori taktikat guerilase mediatike – transmetim nëpërmjet aplikacionit FaceTime në celularin e tij – për t’u bëjë thirrje turqve që t’u kundërviheshin komplotuesve. Z. Erdogan nuk ka qenë mik i lirisë së shprehjes, duke vendosur pa mëshirë kontrollin mbi mediat dhe duke kufizuar të drejtat e njeriut dhe fjalën e lirë. Megjithatë, mijëra iu përgjigjën thirrjes së tij, sprapsën rebelët, duke treguar se ata ende e vlerësojnë demokracinë, edhe pse Erdogani e ka gërryer kuptimin e saj.

Ajo gërryerje tani ka gjasa të përshpejtohet, me një çmim të tmerrshëm për qytetarët e Turqisë dhe duke paraqitur sfida të reja ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për t’iu kundërvënë Shtetit Islamik dhe ndalur vrasjet në fqinjin e Turqisë, Sirinë.

Duke pasur parasysh ngjarjet kaotike dhe të përgjakshme të dy ditëve të fundit, nuk ka dyshim se zoti Erdogan do të bëhet më hakmarrës dhe më i fiksuar se kurrë pas kontrollit, duke shfrytëzuar krizën jo vetëm për të ndëshkuar ushtarët kryengritës, por edhe për të shtypur çfarëdo kundërshtie që ka mbetur në Turqi . “Ata do të paguajnë një çmim të rëndë për këtë,” deklaroi ai. “Ky rebelim është një dhuratë nga Perëndia për ne, sepse do të jetë një arsye për të pastruar ushtrinë tonë.”

Që kur erdhi në pushtet si kryeministër në vitin 2003, Erdogan është shndërruar në një udhëheqës gjithnjë e më autoritar, që e ka orientuar vendin e tij larg nga vizioni i një demokracie të modelit mysliman, që shumëkush, në Turqi dhe në mbarë botën, e kish pritur. Lindja e Mesme paqëndrueshme nuk mund të përballojë shpleksjen e një tjetër shteti, veçanërisht një që është edhe mburojë thelbësore në krahun lindor të NATO-s, si dhe ka ushtrinë më të madh në rajon. Në një deklaratë të premten vonë, Shtetet e Bashkuara theksuan “mbështetjen absolute për qeverinë civile të zgjedhur në mënyrë demokratike të Turqisë, si dhe institucionet demokratike”.

Ushtria turke ka një histori me grushte shteti për të mbrojtur laicizmin, edhe pse ushtria nuk e ka marrë pushtetin direkt, që nga viti 1980. Ka pasur prej kohësh tensione mes zotit Erdoganit, partia e të cilit AKP i ka rrënjët e saj në islamizëm, dhe ushtrisë, dhe ai ka punuar në mënyrë metodike për të dobësuar ushtrinë si institucion. Kohët e fundit, megjithatë, ushtria u konsiderua se po rifitonte një pjesë të ndikimit të saj, për shkak se po i largohej politikës dhe po zhvillonte një luftë brutale kundër separatistëve kurdë.

Erdogan lëvizi me shpejtësi sot për të kapur dhe ndaluar armiqtë e tij, realë apo të imagjinuar. Autoritetet thuhet se kanë arrestuar rreth 3,000 anëtarë të forcave të armatosura, duke përfshirë edhe një gjeneral brigade, dhe spastruar gjyqësorin prej 2,745 gjyqtarëve. Erdogani fajësoi për grushtin e shtetit, në pasuesit e Fethullah Gulenit, një klerik mysliman që jeton në mërgim në Pensilvani, i cili ishte aleati i tij, deri kur të dy patën një grindje të fortë dhe më pas një ndarje, tre vjet më parë. Pasuesit e Gylenit njiheshin se kishin një prani të fortë në polici dhe gjyqësor në Turqi, por më pak në ushtri. Për më tepër, Guleni e dënoi grushtin shteti në faqen e internetit të grupit të tij, “Aleanca për vlera të përbashkëta”.

Rreth 265 persona, duke përfshirë “planifikuesit e grushtit” dhe civilë, janë raportuar të vrarë gjatë rebelimit, që filloi të premten në mbrëmje, kur një fraksion i ushtrisë bllokoi dy ura në Stamboll. Kryengritja përfshiu tanke, avionë gjuajtës dhe helikopterë sulmi; disa forca sulmuan selinë e shërbimit të fshehtë turk dhe parlamentin në Ankara.

Në një kuptim strategjik, pasojat nga rebelimi tashmë janë duke u ndjerë. Autoritetet turke, sot ndalën misionet e sulmit të udhëhequra nga amerikanët kundër Shtetit Islamik, nga baza ajrore Inçirlik, një qendër jetike e operacioneve. Duke pasur parasysh ndarjen e dukshme në ushtrinë turke, lidhjet mes ushtrisë amerikane dhe ushtrisë turke, një lidhje kritike në marrëdhëniet Turqi-amerikane, do të jetë më e komplikuar për t’u menaxhuar. Kjo mund të pengojë bashkëpunimin në Siri dhe çështje të tjera, përveç Shtetit islamik, thonë zyrtarët amerikanë.

Si e tregon përgjigja ndaj grushtit të shtetit, Erdogani ka një mbështetje të rëndësishme në vendin e tij prej 80 milionë banorësh, edhe pse e ka bërë gjithnjë e më të polarizuar. Mundet vetëm të  shpresohet se ky rebelim i dëshpëruar mund ta nxisë atë, që t’u shtrijë dorën kundërshtarëve. Por tipi i Erdoganit të shpie në drejtim të kundërt. Trazirat e fundjavës dhe zgjatja e tensioneve politike ka të ngjarë të kompromentojnë demokracinë e Turqisë dhe aftësinë e saj për të patur një ndikim stabilizues në NATO dhe në rajon. /Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button