Bota

Kundërgoditja! Gjashtë gjëra që duhet të dini sot, për teatrin e Lindjes së Mesme

Irani ka zgjedhur një armë të përdorur shpesh në teatrin e Lindjes së Mesme për hakmarrjen e vet.

E para. Baza e al Asadit është 370 kilometra larg territorit iranian, ajo e Erbilit 105 kilometra, ose në distanca që mund të “rrihen” nga shumë prej raketave në zotërim të forcave iraniane. Që nga vitet 1980 Teherani ka zhvilluar këtë lloj pajisje dhe e ka përdorur atë në luftën kundër Irakut, më vonë disa “modele” ka furnizuar aleatët e vet. Në shtator pati një sulm në vendburimet e naftës saudite të kryera me kombinimin e raketave të telekomanduara. Burime të brendshme sugjerojnë që “Qiam 1” dhe “Fateh” janë përdorur në kundërgoditjen hakmarrëse të këtyre orëve.

E dyta. Hipoteza e një aksioni me raketa ishte e qartë dhe instalimet e SHBA ishin në gjendje alarmi. Zbulimi amerikan kishte raportuar aktivitet të departamenteve iraniane, që kanë vektorë me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi në arsenalin e tyre. Disa vëzhgues kishin parashikuar një sulm në këto orë, ndërsa të tjerët mendonin për një kohë të mëvonshme.

E treta. Rrebeshi i “raketave” u mundëson ajatollahëve të hakmerren – disi – për gjeneral Soleimanin, megjithëse shumë gjëra do të varen nga rezultati. Kjo do të thotë, nëse do të ketë amerikanë të vdekur dhe sa. Versionet në pasqypër bilancin e sulmeve bien ndesh mes tyre. Por në të njëjtën kohë tregojnë dëshirën për ta mbyllur këtë raund pa hapur konflikt total: raketat – sipas disa versioneve – kanë goditur zonat më të largëta të bazave. Katër prej tyre kanë rënë shumë larg.

E katërta. Ekziston qartësisht një komponent propagande: liderët menjëherë postuan flamujt iranianë, si përgjigje të asaj që Trump kishte bërë në momentet pas eleminimit të gjeneralit. Aksioni u zhvillua në orën 1.20, d.m.th., në të njëjtën kohë kur sulmi amerikan i mori jetën komandantit të Divizionit të Quds. Pasi u ranë daulleve të hakmarrjes, pasi premtuan Ferrin, mullahët duhej të jepnin një përgjigje. A do të mjaftojë? Udhëheqësi Khamenei e quajti atë një sukses ndërsa shumë e prezantuan atë si një shfaqje, një lëvizje fasadë për të shpëtuar fytyrën. Një aspekt i vërejtur në qarqet diplomatike: goditja në rajonin e Erbilit në Kurdistan do të ishte një mesazh indirekt për kurdët, që konsiderohen fajtorë për abstenim në votimin e Parlamentit Iraken, që bënte thirrje për t’i dhënë fund pranisë së trupave të huaja në Irak.

E pesta. Tani radhën e ka Shtëpia e Bardhë. Shtetet e Bashkuara kanë dërguar përforcime, bombardues strategjikë B 52, anije, trupa. Në fund ata do të kenë gati 80,000 burra dhe shumë mundësi në skakierë. The Donald do të duhet të vendosë. E dimë, është e paparashikueshme. Ai mund të kërkojë një kundërpërgjigje, por ai gjithashtu mund të thotë se në fund të fundit, eleminoi një figurë kryesore dhe strategjike nga skena, duke marrë mbrapsht një hakmarrje të përmbajtur.

E gjashta. Më 7 Prill 2017, Shtetet e Bashkuara goditën bazën siriane të Shayrat me raketa nga deti, një akt hakmarrjeje pas përdorimit të armëve kimike nga regjimi. Me atë rast, Pentagoni paralajmëroi rusët dhe indirekt Damaskun. Në fakt, pati dëme, por luftëtarët e Asadit rifilluan misionet në një kohë të shkurtër. Një episod që dha idenë e një dinamike të caktuar që shihet edhe në përballjen e Izraelit me Hezbollahun pro-iranian: perimetri i duelit është i kufizuar për të shmangur një përshkallëzim të mëvonshëm. / Corriere della Sera – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button