AnalizaHistori

Kurdistani: Shteti që nuk është

Gjithmonë të shtypur nga shtetet dominuese e rajonit të madh të Lindjes së Mesme si Turqia, Irani, Iraku dhe Siria, kurdët kërkojnë prej mijëra vitesh që të krijojnë një vend të lirë e të pavarur. Të privuar nga një identitet, në mosmarrëveshje midis tyre, të përdorur e të tradhëtuar nga të gjithë, sot kanë dalë më së fundi në skenën e historisë

Më 25 shtator 2017 kurdët e Irakut, që kanë derdhur aq shumë gjak në luftën kundër ISIS-it, kanë votuar për pavarësinë e tyre, por për shkak të kësaj zgjedhjeje, në vend që të sigurojnë një vend në hartën e botës, në harkun e pak ditëve kanë humbur gjysmën e territorit dhe të një pjesë të mirë të autonomisë së tyre. Një histori që përsëritet për këtë popull të përçarë, i rrethuar nga armiq dhe shumë shpesh fillimisht i përdorur dhe më pas i harruar nga pjesa tjetër e botës. Një realitet gjeografik dhe politik pothuajse i panjohur. Në luginat e shtrira midis maleve të Turqisë, Irakut, Sirisë, Iranit dhe disa vendeve të Azisë Qendrore shtrihet për 500000 kilometra katrore. Kurdistani, një rajon që nuk është shtet, banohet nga një popull që nuk arrin të jetë komb. Kurdët, që banojnë në këto troje të vështira, janë midis 25 dhe 40 milionëve, kanë një identitet të tyrin, por jo një unitet të vërtetë. Për shembull kurdishtja, një gjuhë që nuk u përket gjuhëve persishte, nuk është një gjuhë unike dhe e përkufizuar, por më shumë një seri dialektesh të ndryshme midis tyre edhe pse reciprokisht të kuptueshëm. Kurdët janë një etni e dalluar nga arabët, turqit dhe persianët, që i përkasin familjes indoeuropiane, me prejardhje nga malësorët gjysmënomadë që kanë banuar atë rajon nga kohëra që nuk mbahen mend dhe nga popuj që janë bashkangjitur gjatë mijëvjeçarëve.

Qysh në Mijëvjeçarin e II B.C. në këto rajone u shfaq një mbretërie e hurritëve që rivalizoi me egjiptianë, babilonas dhe hititë, ndërsa në mijëvjeçarin e mëpasëm, përreth Liqenit Van, shtrihej Mbretëria Urartu, rivale e asirëve. Më i njohur tradicionalisht është referimi ndaj një lidhjeje farefisnore të kurdëve me medët, një popull luftarak gjysmënomad që krijoi një perandori të madhe në mallet e Lindjes së Mesme, përpara se t’ua linte në trashëgimi persianëve. Në shekullin e IV B.C., duke i përshkuar këto troje, historiani grek Ksenofont përmend popullin e kardukëve. Në shekujt e mëpasëm, rajoni kurd qëndroi midis Perandorisë Persiane dhe atyre perëndimore të seleuçidëve, romakëve dhe bizantinëve, ndërsa në shekullin e VII ndodhi pushtimi arab i të gjithë Lindjes së Mesme dhe konvertimi i kurdëve në islam. Kësaj periudhe i përket teksti i parë i shkruar në gjuhën kurde, një poezi fetare.

Kurdi Saladin kundër kurdëve

Nën egjidën e perandorive mesjetare islamike, në Kurdistan lulëzoi një feudalizëm lokal, nga i cili doli dinastia e Ajubidëve (1169 – 1250) një familje kurde eksponenti më i madh i së cilës qe as më pak e as më shumë se Saladini, sovrani dhe luftëtari i madh që ua mori Jeruzalemin kryqtarëve. Është interesante të nënvizohet se vetë Saladini nuk krijoi ndonjë mbretëri kurde, por u gjend në fakt duke luftuar kundër vetë bashkëatdhetarëve të tij kokëfortë, të cilëve donte t’u impononte dominimin e tij islamik universal. Në vijim, kurdët u gjendën në vijën e kufirit midis Perandorisë Osmane dhe Persisë, duke qëndruar sidomos nga ana e osmanëve, aq sa në ‘500 Sulltan Selimi i I i Urti u impenjua që t’u japë atyre një autonomi të gjerë. Pikërisht në këtë periudhë do ishte Emiri kurd Sharaf Khan Bidlisi (1540 – 1600) që flet i pari për Kurdistani si “komb dhe entitet gjeografik”. Me poetin Ahmad-i Khani, në shekullin e XVII-të, nis të manifestohet në mënyrë eksplicite vetëdija e përkatësisë në një popull kurd, bile ai arrin që të kërkojë një revolt të “racës kurde” dhe bashkimin e emirateve kurde për të krijuar një realitet në gjendje që të përballojë turqit dhe persët. Por qe vetën në fund të ‘800 që filloi të përhapet një ndjenjë e përhapur kombëtare (dhe nacionaliste) kurde. Sulltan Abdul Hamidi i II i përdori masivisht në luftën e 1877 – 1878 kundër Rusisë, duke lënë të nënkuptohej sesi shpërblim do t’u garantonte autonominë e Kurdistanit. Premtim që nuk do mbahet, duke shkaktuar kështu nga 1880 revoltën e parë indipendentiste, e udhëhequr nga Sheiku Ubayd Allah al-Nahri (1830 – 1883) dhe djemtë e tij. Pak kohë më pas, një revolt e ngjashme u udhëhoq nga një prijës tribal, Simko Shikak, në rajonet kurde të nënshtruara nga Persia. Edhe pse rebelimet dështuan, i atribuohet këtij momenti dhe këtyre protagonistëve lindja e një ideologjie nacionaliste që bën thirrje për krijimin e atdheu kurd.

Për pasojë, me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, kurdër nuk e mbështetën më përpjekjen luftarake osmane, por u rreshtuan kundër Stambollit nga rusët e më pas nga anglezët, që nga ana e tyre premtuan një “vatër” kombëtare si për arabët dhe hebrenjtë. Por, në të njëjtën kohë, Londra dhe Parisi po firmosnin fshehurazi Marrëveshjen Sykes-Picot (1916) në bazë të së cilës synonin që të ndanin territoret e Perandorisë Osmane. Në vitin 1920, me luftën e përfunduar, kurdët siguruan një rezultat të jashtëzakonshëm: në nenet 62 – 64 të Traktatit të Sevres ju garantua atyre mundësia që të siguronin pavarësinë dhe deri u përcaktua në hartën gjeografike një shtet i mundshëm i Kudistanit. Por ajo që ishte vendosur në këtë tryze nuk u pëlqente shumëve dhe përfundoi duke zgjatur sa një ëndërr. Ndërsa sheiku kurd Mahmud Barzani udhëhiqte revoltat antiangleze dhe shpallej Mbret i Kurdistanit, ofensivat politike, ushtarake dhe diplomatike e ndërmarra nga udhëheqësi i ri turk Mustafa Kemal Atatürk çuan në një traktativë të re midis turqve e kurdëve dhe në një ripërkufizim radikal të asetit të rajonit.

Në Traktatin e Lozanës të vitit 1923 Kurdistani u zhduk nga hartat dhe territoret e tij u shpërndanë dhe u ndanë midis shteteve të rinj të Turqisë, Sirisë, Irakut dhe Iranit. Kundër një ndryshimi të tillë kursi shpërthyen midis kurdëve revolta të ndryshme, si ajo e udhëhequr në pranverën e 1925 nga Sheiku Said, që në fund u var nga turqit. Në vitet ’20 Ankaraja ndaloi shkolla, shoqata dhe botime kurde, përfshi edhe përdorimin e kurdishtes. Në dekadën e mëpasmë, në Turqi u zbatua një politikë deportimesh, që qe në origjinën e revoltës që e patën momentin kulmor në masakrën e Dersim (sot Tunçeli), që me dhjetëramijërat e viktimave, sidomos midis kurdëve të besimit alevit, përfaqëson tragjedinë më të madhe të Turqisë republikane. Në vitin 1937 Turqia, Iraku, Irani dhe Afganistani nënshkruan një marrëveshje lidhur me kufijtë reciprokë duke e ndarë Kurdistanin dhe duke shtypur aspiratat lokale, nëpërmjet parashikimit eksplicit të një koordinimi në represionin e irredentizmit kurd.

Të përçarë në luftërat midis Iranit dhe Irakut

Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, kurdër provuan sërish të ringrinin kyre. Kësaj radhe qe radha e kurdëve të Iranit që u rebeluan ndaj Shahut me mbështetjen e Bashkimit Sovjetik. Kështu, në dhjetorin e vitit 1945, lindi shteti i parë realisht kurd i historisë, Republika Popullore e Mahabadit. Zgjati pakashumë një vit: kur sovjetikët u larguan, kurdët mbetën nën mëshirën e trupave iraniane. Nuk patën shpëtim. Ministër i Mbrojtjes i kësaj republike jetëshkurtër kishte qenë eksponenti i njërit prej klaneve më të rëndësishëm midis kurdëve lindorë, Mustafa Barzani. Qe ai që e ngriti flamurin e autonomizmit kurd në Iran e në Irak, ku themeloi Partinë Demokratike të Kurdistanit dhe udhëhoqi rezistencën e armatosur kundër Bagdadit dhe Teheranit. Në veçanti, Barzani dhe njerëzit e tij u gjenden duke luftuar në territorin iraken (në Iran, ku kurdët janë me miliona, rezistenca kurde zgjat akoma sot), por klani i tij nuk arrin të mbledhë rreth vetes të gjithë kurdët, të përçarë sidomos nga rivaliteti midis klanit Barzani dhe atij Talabani, që megjithëse ka qenë fillimisht brenda PDK-së, në vitin 1975 është shkëputur duke themeluar një parti tjetër, UPK-në (Bashkimin Patriotik të Kurdistanit).

Këto përçarje të forta të brendshme shpjeguan në masë të madhe lehtësinë me të cilën regjimet e rajonit arritën që të shtypin një forcë teorikisht e rëndësishme si ajo kurde. Në fakt, kurdët përfunduan duke u future në rivalitetin midis Iranit dhe Irakut. Në përplasjen midis këtyre vendeve – më parë më kohën e Shahut Reza Pahlavi dhe më pas në luftën e periudhës 1980 – 1988 midis Ajatollahut Khomeini dhe Saddam Hussein – kurdët irakenë qenë aleatë me Teheranin kundër Bagdadit dhe kurdët iranianë mbështetën Bagdadin kundër Teheranit. Qe në këto rrethana që Saddam Hussein shpërtheu një repression të tmerrshëm, që veç të tjerash çoi në masakrën e Halabjas më 1988, ku mijëra civilë kurdë u shfarosën me armë kimike.

Gjithçka ndryshoi më 1990, kur Saddam Hussein pushtoi Kuvajtin dhe e gjithë bota ju kundërvu në Luftën e Gjirit të 1991. Në këtë rast kurdët u panë nga Uashingtoni dhe nga bashkësia ndërkombëtare si një forcë e vlefshme opozitare për të kufizuar forcën e Bagdadit. Por, me mbarimin e luftës, u bë edhe një herë akoma shumë pak për t’i mbrojtur nga represioni mizor i shpërthyer nga Saddam Hussein. Në vitin 1993 u vendos që të vendosej mbi Kurdistan ombrella mbrojtëse e quajtur “no fly zone”, e ndaluar për aviacionin ushtarak iraken. Daton në këtë moment origjina e autonomisë në rritje rajonale e kurdëve irakenë, të cilit fillimisht nuk ditën ta menaxhojnë mirë, aq sa nga mesi i viteve ’90 u zhvillua një luftë civile midis rivalëve të përjetshëm Barzani (të udhëhequr nga Massoud, djali i Mustafa) dhe Talabani (me udhëheqës Jalal), që ka shkaktuar të paktën 8000 të vdekur.

Në fund, amerikanët arritën që t’i bëjnë bashkë të dy duelantët, që nisën të themelojnë Rajonin Autonom të Kurdistanit, me një vetëqeverisje në kundërvënie me regjimin iraken të Saddam. Kur më pas udhëheqësi i Bagdadit përmbyset nga fushata ushtarake amerikane më 2003, kurdët u gjendën në një pozicion force, pasi u bënë një bastion i besueshëm properëndimor në një rajon të masakruar nga lufta civile. Kështu, në kushtetutën e re federale të Irakut të vitit 2005, i forcuar nga disponueshmëria e resurseve të mëdha petrolifere, Kudistani nisi të gëzojë një autonomi që vetëm emri i mungonte të quhej pavarësi. Veç kësaj, u vendos që presidenca e Irakut t’i takojë një kurdi: posti është mbajtur nga Jalal Talabani deri më 2014, aktualisht President është Bahram Salih,  një eksponent tjetër i PUK-ut.

Kurdistani në luftë kundër ISIS-it

Kur në vitin 2014 në Lindje të Mesme ka ardhur ISIS-i, Shteti Islamik i shpallur në kufirin e Irakut dhe Sirisë nga xhihadistët fanatikë të al-Baghdadi, një aleancë e pazakontë që shkonte nga Shtetet e Bashkuara deri tek Irani ka pasur si prioritet luftimin e tij. Ndërsa koalicioni siguronte mbështetje ajrore, armë dhe stërvitje, trupat në terren qenë kryesisht luftëtarë kurdë, “peshmergat” e famshëm. Një luftë mizore që nga Sinjar në Mossul ka prekur shtëpi për shtëpi të gjithë Irakun verior dhe ka arritur më pas Sirinë, ku Kobane është bërë një qytet martir, simbol i rezistencës së avancimit të milicëve të veshur me të zeza: edhe një herë akoma në Kobane, ashtu si në pjesën tjetër të Sirisë veriore, qenë sidomos kurdët lokalë që siguruan trupat. Kurdët mund të mburren se e kanë fituar këtë luftë, duke arritur të kontrollojnë një zonë të madhe që përfshinte Rojava (Sirinë veriore që kurdët lokalë, duke përfituar nga lufta civile siriane, e kanë shpallur autonome nga 2012) dhe zonat irakene janë pjesërisht të banuara nga kurdët si Sinjar, Kirkuk dhe Diyala, përveç Rajonit Autonom të Kurdistanit iraken. Shumë sa për të mos ngjallur preokupimet e fqinjëve dhe sidomos të Turqisë. Ka nisur kështu një ofensivë ushtarake turke në kufirin sirian dhe në fund të gjithë, nga Uashingtoni dhe Moska, kanë preferuar të rrinë duarkryq, kështu që kurdëvë të Sirisë u është dashur të tërhiqen në një zonë më të vogël.

Ndërkohë, në Irak qeveritarët e Rajonit Autonom – në mënyrë të veçantë Presidenti Massoud Barzani – kanë menduar se ndoshta ishte momenti për të përfituar nga çmimi i paguar në luftën kundër ISIS-it dhe kanë organizuar një referendum për të shpallur pavarësinë e vendit. Të gjitha kancelaritë ndërkombëtare, deri më tani aleate, i kanë bërë me dije Presidentit Barzani se bëhej fjalë për një ide të keqe që nuk do të mund ta mbështesnin. Fjalë profetike: kurdët kanë vazhduar në rrugën e tyre, referendum i 25 shtatorit 2017 ka miratuar pavarësinë me 92% të votave dhe pak ditë më pas trupat irakene ia kanë hequr mbështetjen qeverisë kurde (me mbështetjen e kurdëve në opozitë me Barzani) nga të gjitha territoret e kontestuara përtej bërthamës së ngushtë të Rajonit Autonom. Ky i fundit ka humbur pjesërisht prerogativat e tij dhe Barzani i është dashur të japë dorëheqjen. Dhe Kurdistani nuk ekziston akoma në hartën gjeopolitike të botës.

(nga Storica)

Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al

Leave a Reply

Back to top button