Nga Mauro Indelicato
“Il Giornale”
Gjatë 2 viteve të fundit, Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk është treguar shumë e besueshme për këtë detyrë. Madje kur në Shtëpinë e Bardhë ndodhej Donald Trump, OBSH rrezikoi shpërbërjen pas kërcënimeve të presidentit amerikan për ngrirjen e fondeve të SHBA-së të destinuara për institucionin e OKB me seli në Gjenevë të Zvicrës.
Kjo gjë nuk ndodhi, megjithatë ishte një shenjë e qartë e mosbesimit ndaj këtij institucioni, qënë fakt duhej ta parandalonte shfaqjen e pandemisë së koronavirusit të ri. Fillimi i këtij viti ka sjellë me vetë edhe mundësinë e dhënies fund të kësaj emergjence shëndetësore globale. Por shumë ekspertë kanë nisur tashmë të flasin për pandeminë e ardhshme.
Komuniteti shkencor është e sigurt:ndërlidhja më e madhe globale, dhe zgjerimi i metropoleve në zonat ku kanë banuar ndër shekuj kafshët e egra, do të përcaktojë edhe kushtet për një emergjencë të re shëndetësore. Prandaj lind pyetja:me një OBSH gjithnjë e më pak të besueshme (dhe me gjithnjë e me më pak fonde) nga kush do të menaxhohet pandemia e ardhshme?
A do ta besojë bota alarmin e radhës?
Një nga problemet që do të lërë pa zgjidhur pandemia aktuale ka të bëjë me informacionin. Bombardimi me lajme gjatë 2 dy viteve të fundit, ka ngjallur jo pak mosbesim tek opinionipublik. Në Itali po flitet kohët e fundit për mundësinë e mos-raportimit publik të buletineve ditore me rastet e reja dhe numrin e viktimave.
Në vendet e tjera evropiane, prej javësh nuk ka asnjë gjurmë të të dhënave të përditësuara vazhdimisht mbi pandeminë. Kjo pasi u kuptua me vonesë dëmi i mundshëm nga bombardimi i qytetarëve me lajme të zymta.
Jo vetëm ankthi dhe frika, por në planin afatgjatë, edhe mosbesimi dhe konfuzioni ndaj mediave, janë për t’u theksuar ndër elementet që po përhap e ashtuquajtura “infodemi”në opinionin publik, sidomos në vendet perëndimore.
Në rast se kësaj i shtojmë edhe mungesën e besueshmërisë së OBSH-së në sytë e qytetarëve, atëherë është e pritshme që alarmet e ardhshme të këtij institucioni do të binin kryesisht në veshin e shurdhër.
Për më tepër, duhet të mos harrohet se si filloi emergjenca aktuale. Me gjithë alarmet e lëshuara nga komuniteti shkencor në janarin e vitit 2020, OBSH-ja dha alarmin global vetëm më 30 janar të atij viti, ndërsa më herët pretendoi se situata ishte nën kontroll.
Më pas vijuan informacionet kontradiktore mbi masat që duheshin marrë nga qeveritë dhe për përdorimin e maskave, të cilat krijuan një konfuzion më të madh. Ajo sjellje e nxiti edhe Trump të kërcënonte me ngrirjen e të gjitha fondeve që SHBA jep çdo vit për OBSH-në, dhe miliona qytetarë në mbarë botën të mendonin se ky organ është i padobishëm.
Nëse nesër do të kishte një alarm të ri nga OBSH, a do ta merrnin seriozisht njerëzit? Me shumë gjasa jo. Dhe kjo do të krijonte dëme fillestare të konsiderueshme në menaxhimin e një pandemie të ardhshme. Këtë e dinë disa ekspertë në Kanada, që janë pjesë e GPHIN, Agjencisë Globale të Inteligjencës mbi Shëndetin Publik.
Ajo është njëlloj shërbimi sekret në sektorin e shëndetësisë, e aftë për të kapur sinjalet dhe alarmet mbi pandemitë e afërta nga e gjithë bota. Kjo agjenci u krijua pas epidemisë së murtajës pneumonike që shpërtheu në Indi në vitin 1995. Synimi ishte kapja në kohë e emergjencave të mundshme dhe parandalimi i përhapjes së tyre në masë.
Në nëntorin e vitit 2002, ishte një raport i GPHIN, ai që e nxiti OBSH-në t’i kërkonte Kinës një shpjegim mbi shfaqjen e rasteve të para të SARS-it. Agjencia kanadeze u shpërbënë majin e vitit 2019, disa muaj para shpërthimit të pandemisë së Sars Cov 2.
Kur gazetari Grant Robertson, botoi historinë e kësaj agjencie, shumë ekspertë në kryeqytetin kanadez Otava nuk kishin dyshime:një alarm nga GPHIN mund ta kishte parandaluar fatkeqësinë e radhës. Për këtë arsye qeveria e kryeministrit Xhastin Trudo ka vendosur që të riaktivizojë këtë agjenci. Nga këtu buron edhe një leksion i vlefshëm për të ardhmen:rënia në kohë e ziles së alarmit,mund të parandalojë më të keqen.
OBSH ka gjithnjë e më pak fonde në dispozicion
Por problemi është se shumë njerëz nuk do t’i besonin më as medias dhe as OBSH-së. Prandaj është e nevojshme të kuptohet sekujt duhet t’i “delegohet” detyra e atij që lëshon alarmin sa më shpejt të jetë e mundur mbi rreziqet. Por edhe kur të bjerë alarmi, kush do tamarrë përsipër menaxhimin e urgjencës?
OBSH përballet jo vetëm me një krizë serioze të besueshmërisë, por edhe me një krizë të madhe financiare. Sekretari i Përgjithshëm Tedros Adanom Gebrejesus deklaroi në janarin e këtij viti se institucioni është i rrezikuar nga falimentimi.
Mungojnë rreth 800 milionë euro për buxhetin e viteve 2022/2023, si dhe burimet e nevojshme për të përballuar emergjencën aktuale të shkaktuar nga koronavirusi. OBSH ka kërkuar më shumë financime për këtë institucion. Por duket se qeveritë nuk janë të gatshme që t’i përgjigjen pozitivisht një kërkese të tillë.
Dhe kjo sepse në një fazë të humbjes së besueshmërisë së OBSH-së, nga pikëpamja politike justifikimi i më shumë fondeve për këtë institucion nuk do të ishte shumë i përshtatshëm.
Prandaj, organizata rrezikon të jetë edhe më e papërgatitur për pandeminë e ardhshme.
Me gjithnjë e më pak para dhe gjithnjë e më pak mjete, përballimi i një emergjence të re mund të jetë pothuajse i pamundur. Gjatë viteve të ardhshme, pjesa e financimit nga individët privatë mund të kalojë 50 për qind. Nuk është rastësi që Bill Gejts ka folur ditët e fundit për një pandemi të ardhshme.
Themeluesi i “Microsoft”, ka folur mbi këtë çështje edhe në një libër. Gejst është kontributorii dytë më i madh në këtë organizatë pas qeverisë së SHBA-së. 10 për qind e buxhetit prej 5 miliardë dollarësh të OBSH-së në vitet 2019-2020 erdhi nga fondet e fondacionit “Bill & Melinda Gates”. Nëse në Gjenevë do të rritej më tej pesha e individëve, mbetet për t’u verifikuar aftësia për të reaguar ndaj një pandemie të ardhshme.
Si do të veprojnë qeveritë
Në këto kushte ka një dilemë të madhe mbi emergjencat e ardhshme shëndetësore. A do të jetë e nevojshme që të përqendrohemi sërish tek OBSH, edhe nëse ajo do të jetë në pozita shumë të dobëta? Apo krizat e ardhshme do të zgjidhen në mënyra të tjera?
Nëse do të shqyrtohej hipoteza e parë, atëherë qeveritë, do të duhet të përpiqen të ringjallin besueshmërinë e institucionit me seli së Gjenevë, si përsa i përket imazhit, zbatimit të reformave për të garantuar një besueshmëri të caktuar, po ashtu edhe në nivelin financiar.
Por kjo nuk duket të jetë rruga që dëshiron të ndjekë komuniteti ndërkombëtar. Ndoshta, OBSH-ja është tashmë e dënuar të ketë një rol periferik në krizat e ardhshme.
Një pandemi e ardhshme do të tentohet të menaxhohet me entitete të tjera ekzistuese, si FDA-ja amerikane apo EMA evropiane. “Ne kemi tashmë organe shkencore shumë më të afta se OBSH”– deklaroi virologu italian Xhorxho Pala në nëntorin e vitit 2020. Pra bota shkencore, por edhe ajo politike, e kanë braktisur tashmë OBSH-në në fatin e saj. / Il Giornale – Bota.al