Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka sulmuar indirekt kundërshtarin e tij politik Fetullah Gylen. Duke iu referuar univeristeteve qe Gylen drejton në Shqipëri, Erdogan i ka quajtur këto institucione arsimore “organizata terroriste që rrezikojnë sigurinë e Turqisë”. Në një farë mënyre, presidenti turk ka kërkuar mbylljen e kolegjeve dhe universiteteve turke në Shqipëri.
Por kush është Fetullah Gylen? Mëposhtë, JAVA News i referohet biografisë së tij në Wikipedia dhe artikuj të tjerë të medieve.
I lindur në vitin 1941, në Erzurum, ai është një prej mendimtarëve dhe dijetarëve të rëndësishëm të kohës tonë. Gylen mori mësime në mistikë islame dhe teologji nga dijetarët Muhammed Lutfi Efendi, Haxhi Sitki Efendi dhe Sadi Efendi.
Në të njëjtën kohë, Fethullah Gylen studioi edhe shkencat shoqërore moderne si dhe shkencat e natyrës. Duke u vlerësuar për sukseset studimore dhe nivelin intelektual, Fethullah Gylenit iu propozua detyra e predikuesit fetar qysh në moshë të re.
Në vitin 1959, Fethullah Gylen fitoi të drejtën të merrte certifikatën zyrtare të vaizit dhe u emërua në Izmir, njëri prej tre qyteteve më të mëdhenj të Turqisë. Pas këtij emërimi, ai i dha formë idealit të vet që do t’ia orientonte jetën në një drejtim të caktuar.
Në predikimet dhe bisedat, Fethullah Gylen trajtonte çështje shoqërore sepse ai mendon se qëllimi i tij ështË që me anë të ndriçimit intelektual dhe shpirtëror, t’i nxiste të rinjtë kah aktivizmi i karakterizuar nga respekti për njeriun.
Sot, Gylen është i përfshirë në mënyrë aktive në debatin shoqëror në lidhje me të ardhmen e shtetit turk, dhe islamit në botën moderne. Ai është cilësuar nga mediet angleze si një nga figurat më të rëndësishme të botës myslimane.
Ai drejton “Lëvizjen Gyleniste” apo siç njihet ndryshe “Hizmet” dhe përplasja e kësaj partie me atë të Erdoganit është temë e debati të nxehtë në Turqi. Gylen jeton në ekzil, në Pesilvania të Shteteve të Bashkuara. Ai dikur ka qenë mik i ngushtë i Erdoganit./Javanews.al