Google nderon me një doodle 101 vjetorin e lindjes së Heinz Sielmann, një dokumentarist dhe biolog gjerman që u bë i njohur për filmat që pasqyronin jetën e egër. Njihet gjithashtu edhe si “zotëria qukapik” për një nga dokumentarët në të cilën rrëfeu jetën e zogjve, e cila nuk ishte parë më parë. Në këtë film vendosi kamera në fole dhe kështu mundi të regjistronte sjelljen e zogjve.
“Nga të gjitha kafshët me të cilat kam punuar, qukapikët janë më të preferuarit sepse munda të zbuloj shumë të dhëna mbi biologjinë e këtyre zogjve,” – u shpreh në ato momente Sielmann. Është një homazh i veprës së biologut dhe ilustrimi e tregon si u shfaq në programin e televizionit gjerman”Expeditionen ins Tierreich”, një seri e vitit 1965 me një kohështrirje të madhe dhe mjaft e suksesshme në televizionin europian. Kontakti i tij i parë me kamerën ishte në moshën 17 vjeçare dhe gjëja e parë që bëri ishte fotografimi i natyrës. Në fund të vitit 1950 mbreti i Belgjikës i ngarkoi xhirimin e një dokumentari me metrazh të gjatë “Zotërinjtë e pyllit”, një film që u regjistrua në atë që në atë kohë ishte Kongoja belge, në Afrikë. Përpos zogjve, Sielmann ishte një nga dokumentaristët e parë që regjistroi jetën dhe sjelljen e gorrilave në gjendjen e tyre natyrore. Zotërinjtë e pyllit që trajton jetën e këtyre primatëve u përkthye në 26 gjuhë dhe fitoi vendin e parë në Festivalin e Kinemasë në Moskë. Vdiq në 6 tetor 2006 në moshën 89 vjeçare në shtëpinë e tij në Mynih i rrethuar nga familja e tij. Sot në 2 qershor Google përkujton jetën dhe veprën e tij. / bota.al