Analiza

Lavdrim Muhaxheri (“kryeprerës i ISIS”) dhe islamizmi fondamentalist

lavdrimMax Brym
Lavdrim Muhaxheri një “kryeprerës i ISIS“ nga Kosova, para pak kohësh kishte postuar fotografi të tmerrshme në Max Brymfaqen e tij në Facebook. “Luftëtari i Zotit” nga Kaçaniku, tregonte foto sesi në Siri ia këpuste kokën një “armiku” të ISIS (Shteti i Irakut dhe Sirisë).
Fotoja e tmerrshme e ish-punëtorit të ushtrisë amerikane në Kosovë, shkaktoi tmerr dhe një debat të gjerë mbi rrezikun e islamit fundamentalist në Kosovë. Në të vërtetë, në Kosovë ekziston një skenë ende e vogël e fundamentalistëve islamë. Ekzistojnë hoxhallarë që mbajnë ligjërata me përmbajtje të urrejtjes, madje së fundmi në Kaçanik, busti i Skënderbeut – Heroit Kombëtar të shqiptarëve, u pështy dhe simbolikisht u “rrah”. Ndërkaq, një deputet nga radhët e PDK-së mbron tezën se, Skënderbeu është vetëm një Krisht dhe jo një figurë e identifikimit të popullit shqiptar.
Aktualisht, vetëm një pjesë e vogël e qytetarëve të shoqërisë kosovare përfaqësojnë, identifikohen përmes një politike islame fundamentaliste. Sido që të jetë, ky rrezik nuk bën të nënçmohet. Mirëpo është edhe e pasuksesshme të thërrasësh verbalisht kundër islamit politik. Krijimi dhe zhvillimi i kësaj rryme nuk mund të analizohet e shkëputur nga kushtet shoqërore në Kosovë.
Kosova është vendi më i varfër në Europë. Procesi i privatizimit si dhe doktrina e neoliberalizmit po e zhysin shoqërinë kosovare gjithnjë e më shumë në varfëri dhe në pashpresë. Mbi këtë tokë po rritet politika fundamentaliste islame. Islamizmi është vetëm ana e kundërt e neoliberalizmit. Islamizmi është produkt i dëshpërimit kontrarevolucionar. Është e pamundur të luftohet ky fenomen pa zgjidhur çështjen sociale në Kosovë. Çdo anëtar i kapitalizmit neoliberal në të vërtetë është një promovues i fundamentalistëve islamë.
Islamistët nuk kanë të bëjnë asgjë me luftën për drejtësi sociale dhe luftën kundër kapitalizmit. Islamistët promovojnë të ashtuquajturën “luftë të kulturës”. Nga kjo luftë nuk do të mbushet asnjë bark dhe nuk do të nxehet asnjë banesë. Supa falas e organizatave kuvajtiane dhe salafiste në Kosovë është vetëm ngjitës i lirë për t`i kapur njerëzit e dëshpëruar. E nevojshme dhe e ngutshme është lufta kundër mjerimit social në Kosovë. Vetëm mbi këtë bazë izolimi i islamit fundamentalist është i mundshëm. Kush e injoron këtë ndërlidhje dialektike, në të vërtetë paraqitet vetëm si promovues i rrymave fundamentaliste.
Laicizmi është i drejtë, por nuk mund të jetësohet përderisa shoqëria vazhdimisht zhytet në nevojë dhe mjerim. Privatizuesit dhe islamistët janë dy anët e një medaljeje reaksioniste. Lenini mbi këtë ka shkruar: “Religjioni është një art i të llomotiturit intelektual, ku robërit e kapitalit i mbysin fytyrat dhe kërkesat e tyre për një jetë të njerëzishme”. Kjo thënie vlen veçanërisht për tipat si Lavdrim Muhaxheri dhe islamistët fundamentalë.
*Max Brym është studiues i Filozofisë. Ai është shtetas gjerman, me origjinë izraelite, njohës i rrethanave të Kosovës.
Express

Leave a Reply

Back to top button