Bota

Le të bashkëpunojmë me “djallin” Putin. Analiza e kryebashkiakut të Londrës

Është koha për të lënë mënjanë mendësinë tonë të Luftës së Ftohtë, dhe të pushojmë së qeni shumë snobë ndaj aleatëve tanë, nëse vërtet duam të mposhtim ISIS-in, para se të vrasë edhe mijëra njerëz të tjerë

Screen Shot 2015-12-08 at 08.48.07

Nga Boris Johnson

Ditët e fundit, shumë të rinj më kanë ndaluar në rrugë, duke më pyetur në një mënyrë akuzuese:”Hej Boris, pse votuat për luftën”. Dhe unë u përpoqa si gjithnjë t’i shpjegoja, se nuk ishte një votë për luftë. Aktualisht ka një luftë që po zhvillohet në Siri. Ky konflikt i egër ka marrë tashmë mbi çerek milionë jetë njerëzore. Unë kam votuar për ta ndalur këtë luftë. Votova për paqen. “Po”, thonë ata, “po në lidhje me bombardimet? Po të gjithë njerëzit e pafajshëm, të cilët do të vdesin? Duart tuaja do të jenë të njollosura me gjakun e tyre”.

Unë përgjigjem duke thënë se jetët e pafajshme, janë duke u humbur tashmë: dhjetëra mijëra njerëz, janë vrarë vetëm për shkak se janë gra, invalid, homoseksualë, ose për shkak se i përkasin një rryme të gabuar të Islamit. Unë nuk dua t’i kem ata në ndërgjegjen time, dhe s’dua që psikopatët e Shtetit Islamik të vazhdojë të ekzaltohen me të ashtuquajturin Kalifatin e tyre, duke u lejuar për një kohë të pacaktuar të promovojnë fushatat e tyre terroriste.

Kur Dhoma e Komuneve çeli më në fund javën e kaluar dritën jeshile për sulmet ajrore, askush nuk gëzoi. Askush nuk pati në kuptimin më të vogël ndonjë entuziazëm. Ne duam që të ndërmarrim çdo veprim, që është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për të sjellë paqe në Siri. Dhe meqënëse të gjithë e dimë se kjo nuk mund të arrihet vetëm duke bombarduar, ne duhet të jemi më shumë kreativë për koalicionin që mund të ndërtojmë.

Kjo na sjell tek Vladimir Putini. Isha në Paris fundjavën e kaluar, dhe fytyra e zymtë e liderit rus gjendej thuajse në çdo billboard. “Putin” shkruhej në to “Miku ynë i ri!”. Shumë njerëz francezë mendojnë se ka ardhur koha për të arritur një marrëveshje me miqtë e tyre të rinj rusë – dhe unë mendoj se ata kanë shumë të drejtë.

Shikoni, unë nuk jam ndonjë tifoz i veçantë i Vladit. Është krejt e kundërta. Forcat rebele të mbështetura në mënyrë të paligjshme nga Moska, kanë pushtuar një pjesë të Ukrainës. Ato ishin thuajse me siguri fajtorë për vrasjen e pasagjerëve që ndodheshin në bordin e avionit “Malaysia Airlines”, i cili u rrëzua në Ukrainën Lindore.

Ai duhet të përgjigjet në lidhje me vdekjen e Aleksandër Litvinenkos, i helmuar pa mëshirë në një restorant të Londrës. Sa i përket sundimit të tij në Moskë, Putin mendohet se është drejtuesi i një kleptokracie të madhe gangsterësh post-sovjetikë, dhe thuhet se është njeriu më i pasur në planet. Gazetarët që e kundërshtojnë vriten. Rivalët e tij e gjejnë veten në burg. Pavarësisht se ai ngjan disi Elfit Dobi, Putin është një tiran i pamëshirshëm dhe manipulues.

A do të thotë kjo se është moralisht e pamundur për të punuar me të? Nuk jam aq i sigurtë. Ne duhet të përqëndrohemi tek ajo që po përpiqemi të arrijmë. Pretendimet tona – më të paku synimet tona – janë katandisur së fundmi në shkatërrimin e ISIS në Siri dhe Irak. Kjo është më e rëndësishmja nga të gjitha.

Misioni ynë është të zhdukim nga skena një kult të lig vdekjeje, për ta privuar organizatën e tyre nga karizmës dhe fama, që ka fituar me kontrollin e një territori prej rreth 10 milionë njerëzish. Ne kemi nevojë t’i japim fund administratës së tyre shëmtuar në Raka, me ekzekutimet e tyre me djegie dhe prerje kokash. Ne kemi nevojë t’i përzëmë nga Palmyra, sepse në rast se Siria duhet të ketë një të ardhme, atëherë ne duhet të mbrojmë të kaluarën e saj.

Ne s’mund ta bëjmë këtë pa forcat tokësore. Ne kemi nevojë për dikë që të dërgojë trupa në terren; dhe duke pasur parasysh se këta nuk do të jenë britanikë – francezët dhe amerikanët janë po aq hezitues – ne nuk kemi luksin të snobojmë aleatët tanë. Kemi vlerësuar se Ushtria e Lirë Siriane ka rreth 70.000 trupa (dhe shumë grupe më të vogla); por këto shifra mund të jenë të ekzagjeruara, dhe mund të përfshijnë edhe disa xhihadistë, të cilët nga pikëpamja ideologjike nuk janë shumë të ndryshëm nga Al-Kaeda.

Kush ndodhet tjetër atje? Përgjigja është e qartë. Është Asadi dhe ushtria e tij; dhe shenjat e fundit, janë se Damasku po shënon përparime në terren. Falë, të paktën pjesërisht, sulmeve ajrore ruse, duket sikur regjimi po rifiton kontrollin në disa pjesë të mëdha të Homsit.

Militantët e lidhur me Al-Kaedës, janë tërhequr nga disa rrethe të qytetit. A është kjo një gjë e keqe? Nuk ma ha mendja. Me mbështetjen ajrore ruse, regjimi i Asadit është vetëm disa milje larg nga Palmira – qyteti antik legjendar me monumentet e papërsëritshme, ku ISIS-i i preu kokën e kuratorit 82-vjeçar, Khaled Al-Asad, para fillimit të një orgjie të shkatërrimit kulturor.

A po e mbështes regjimin e Asadit dhe rusët, në ndërmarrjen e tyre të përbashkët, për të rimarrë atë vend të mahnitshëm? Mund të vini bast se po. Kjo nuk do të thotë se kam besim tek Putini dhe as që dua ta mbaj Asadin në pushtet një kohë të pacaktuar. Por s’mund të bëhen të gjitha gjërat në të njëjtën kohë.

Në këtë moment, ne gjendemi në rrezikun e trajtimit të angazhimit tone, sikur të ishte një lojë e komplikuar shahu tre-palëshe, në të cilën ne jemi duke u përpjekur të neutralizojmë islamikët dhe njëkohësisht të parandalojmë Putinin nga mos-shtrirja e më shumë prej tentakulave të tij në Siri.

Nëse ne përpiqemi të jemi shumë të zgjuar, do të përfundojmë duke mos arritur asgjë.

Është koha të lëmë mënjanë mendësinë tonë të Luftës së Ftohtë. Nuk është domosdoshmërisht e vërtetë, se çdo gjë që është e mirë për Putinin, duhet automatikisht të jetë e keqe për Perëndimin. Të dyja palët kanë një objektiv të qartë dhe konkret – të zhdukin kërcënimin që vjen nga ISIS-i. Çdo gjë tjetër është dytësore.

Mendoni për të gjithë avionët që sillen mbi Siri – disa për regjimin e Asadit, disa kundër regjimit, disa kundër ISIS-it, disa kundër rebelëve të tjerë anti-ISIS. Kjo është absurde. Shpresa më e mirë e heqjes qafe të Shtetit Islamik, është arritja e një marrëveshje ndërmjet të gjitha fuqive – Amerikës, Rusisë, Francës, Britanisë, Turqisë, Arabisë Saudite dhe të tjerëve – për të rënë dakord edhe për të përcaktuar një afat kohor se kur Asadi duhet të japë dorëheqjen, si dhe planin për krijimin e qeverisë së re siriane.

Javën e shkuar, të gjithë në Paris e mbanin mend një citat të Sër Uinston Çërçillit. Kur Hitleri pushtoi Bashkimin Sovjetik, kryeministri britanik vendosi të lërë mënjanë urrejtjen e tij gjatë gjithë jetës për komunizmin. “Nëse Hitleri pushtoi Ferrin”- tha Çërçill në vitin 1941, “unë do të mbaj më së paku një fjalim në favor të Djallit në Dhomën e Komuneve”. Dhe sikundër e parashikoi, qenë rusët ata që bënë më shumë, për të na ndihmuar në fitimin e luftës. /“Daily Telegraph”

 

Leave a Reply

Back to top button