Nga Omer Karasapan
“Brookings Institute”
Sipas organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR, në mbarë botën janë mbi 10 milionë njerëz pa asnjë shtetësi, edhe pse Instituti për Personat Pa Shtetësi dhe Përfshirje, përmend një shifër prej mbi 15 milionë.
Pjesërisht, diferencat i detyrohen interpretimeve të ndryshme, mbi refugjatët palestinezë. Kris Nesh, drejtor i Rrjetit Evropian për Personat Pa Shtetësi, e përshkruan këtë gjendje si “fantazëm ligjore,
e ekspozuar ndaj abuzimeve të të drejtave të njeriut, dhe pa patur mundësi për t’iu kërkuar drejtësi.
Në mungesë të dokumentave ligjore, këta individë nuk kanë qasje në shërbimet themelore shëndetësore dhe arsimore, pësojnë kufizime të rënda të të drejtave dhe lirisë së lëvizjes. Ata janë gjithashtu pre e lehtë ndaj trafikimit apo rekrutimit nga ana e kriminelëve dhe milicive, apo dhe në mëshirën e zyrtarëve të korruptuar.
Lindja e Mesme, tashmë përballet me perspektivën e shtimit me qindra mijëra persona të popullatës pa shtetësi. Nga 4 milionë refugjatë sirianë, mbi 1 milionë janë fëmijë nën 18-vjeç, dhe shumë prej tyre e kanë lënë Sirinë pa dokumentet e duhura. Ka edhe rreth 10 mijë të mitur, të cilët janë shpërngulur në vendet fqinje jo vetëm pa dokumentat e identitetit, por edhe pa një të rritur që t’i shoqëronte.
Më shumë në rrezik, për të mbetur pa shtetësi në mënyrë të përhershme, janë dhjetëra mijëra refugjatë të porsalindur, shumica dërrmuese nga Siria, të cilëve u mungojnë shumë dokumenta për të provuar kombësinë e tyre. Rreth 70 përqind e foshnjave të lindur nga sirianet në Liban, vlerësohen se kanë mbetur të paregjistruar. Përderisa, vetëm baballarët mund t’i japin shtetësinë një fëmije në Siri, Liban, dhe Jordani, një babai i munguar, do e përjashtojë regjistrimin.
Vlerësohet se 25 përqind e familjeve refugjate, kryesohet nga gratë, me burra të ndarë, ose duke luftuar apo të vdekur. Shumë sirianë, kanë pasaporta që po skadojnë, por edhe kur është e mundur, refugjatët ngurrrojnë t’i ripërtërijnë ato në konsullatat siriane, për shkak të frikës së dëbimit apo të identifikimit nga ana e regjimit sirian.
Jordania, Libani dhe Siria gjithashtu, kërkojnë çertifikatat e martesës para të regjistrimit të një fëmije, së bashku me një çertifikatë lindje nga spitali, mjeku ose mamia. Megjithatë, gratë shpesh lindin në shtëpi apo në situata të jashtëzakonshme, ku njoftimet formale të lindjes nuk janë në dispozicion. Çertifikata e martesës, kërkon dokumente të vlefshme, të cilat nuk janë gjithmonë në dispozicion nga autoritetet fetare, që i kryejnë këto ceremoni. Për më tepër, shumë martesa janë kryer me nuse të mitura, duke i bërë ato të pavlefshme.
Për pasojë, mungesa e dokumenteve të duhura, rrit gjasat e martesave të hershme. Në Liban, dëshmia e hyrjes ligjore dhe qëndrimit në vend, është e nevojshme për të regjistruar një fëmijë. Kostoja e regjistrimit të një fëmije, përbën ndërkaq një pengesë të rëndësishme. Ndërkohë, ISIS-i ka filluar shkatërrimin e pasaportave dhe dokumenteve të tjera të identitetit të lëshuara nga qeveria siriane, si një masë ndëshkuese, por edhe për të prerë lidhjet me kombësinë dhe ish-shtëpitë e të shpërngulurve.
Regjistrimi në vendin pritës është kritik, në dokumentimin e lidhjes së një fëmije me vendin e tij të origjinës, dhe përgatitjen për një rikthim të mundshëm në Siri, apo për përfitimet nga statusi i refugjatit. UNHCR-ja dhe të tjerët, janë përpjekur të sensibilizojë refugjatët për rëndësinë e regjistrimit të fëmijëve, pasi shumë prindër nuk janë në dijeni të pasojave në aspektin e qasjes në shkolla, kujdesit shëndetësor dhe shërbimeve të tjera bazë.
UNHCR-ja, ka krijuar disa nisma të ndihmës ligjore në Irak, Jordani dhe Liban, për të ndihmuar refugjatët të cilëve u kërkohen procedurat më të gjata. Jordania ka krijuar departamentet e regjistristrave civilë në kampet e refugjatëve në Zatari dhe Azrak. Vlerësohet se 70 përqind e foshnjave siriane, tashmë janë regjistruar. Megjithatë, kontakti me refugjatët jashtë kampeve, mbetet problematik.
Në Turqi, shtëpia më e madhe e refugjatëve sirianë, Departamenti i Popullsisë i afërt me vendbanimin e refugjatit, duhet të njoftohet brenda një muaji nga data e lindjes. Prindërit ose kujdestarët ligjorë, duhet të regjistrojnë fëmijën, por gjyshërit, vëllezërit e motrat ose rriturit që i shoqërojnë, gjithashtu mund të bëjnë këtë. Dokumentet zyrtare janë të nevojshme, por nëse nuk disponohen, deklarata me gojë nga të rriturit që e shoqërojnë, është e mjaftueshme për të lëshuar një çertifikatë lindjeje.
Shumë refugjatë ende refuzojnë të regjistrohen, duke mos qenë në dijeni të pasojave apo të pa shqetësuar nga autoritetet në përgjithësi. Lehtësia relative e regjistrimit, pasqyron legjislacionin ekzistues dhe nevojën, për të hedhur bazat për riatdhesimin apo integrimin e mundshëm të kësaj popullsie në rritje.
Sipas UNHCR-së, Turqia aktualisht ka pritur 1.7 milionë refugjatëve sirianë dhe 300 mijë irakianë; për më tepër, 500 mijë refugjatë të tjerë nga Siria, priten deri në fund të këtij viti. Refugjatët e sotëm sirianë, u shtohen 3 popullsive të vjetra pa shtetësi në Lindjen e Mesme. Palestinezët vijojnë
të kenë probleme të mëdha, dhe mbetet sfidë llogaritja e saktë e numrit të tyre.
Raporti i Institutit për Personat Pashtetësi dhe Përfshirje, i ndan palestinezët në 3 kategori:ata që janë nën mandatin e Agjensisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punësim;Palestinezët nën mandatin e UNHCR-së për refugjatët;dhe palestinezët, potencialisht pa shtetësi nën mandatin e mbrojtjes së UNHCR-së. Prandaj, ka mbi 5 milionë palestinezë, të cilët janë pa shtetësi ose kombësia e të cilëve është e paqartë.
Grupet e tjera të dallueshme pa shtetësi, përfshijnë disa qindra mijëra bidunë në rajonin e Gjirit Persik.
Kur u vendosën kufijtë në rajon, disa vende përdorën përkatësitë fisnore, në vend të kufijve për të përcaktuar shtetësinë, dhe për pasojë mijëra vetë mbetën pa asnjë lloj kombësie. Janë ndërkaq edhe mbi 200 mijë kurdë pa shtetësi, në Siri dhe Liban. Siria, shpalli një politikë për ta adresuar këtë çështje në vitin 2011, por përkeqësimi i situatës së sigurisë e përjashtoi mundësinë e miratimit të një rezolute.
Sot kjo popullsi kurde, përbën deri në 10 përqind të 250 mijë refugjatëve sirianë në Irak. Në nëntor të vitit 2014, UNHCR shpalli një fushatë globale për t’i dhënë fund brenda 10 vjetësh, dukurisë së personave pa shtetësi. Fushata nuk përfshin palestinezët, qëkurse sipas kreut të refugjatëve në OKB, Antonio Guteres, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e ka njohur Palestinën si shtet, dhe se kjo “situatë shumë e veçantë”, kërkon një “zgjidhje politike”.
Megjithatë, fushata përfshin një raport të veçantë, dhe një plan veprimi global me 10 pika. Me botën, që tanimë përballet me një numër të paparë prej mbi 50 milionë refugjatësh dhe persona të zhvendosur brenda vendit, qeveritë, agjencitë humanitare dhe të ndihmës, dhe institucionet e zhvillimit, duhet të hedhin bazat për sigurimin e mbështetjes dhe burimet e nevojshme për të siguruar që të mos shtohet me tej numri i njerëzve pa shtetësi, ndersa ne ballafaqohemi me këtë sfidë globale.
a.g./Bota.al