Nga Noah Feldman
Cila është loja e e vërtetë Vladimir Putinit në Siri? Rusia tanimë ka vendosur një mini-forcë ajrore luftëtarësh, bombarduesish dhe helikopterësh në një aeroport pranë Latakias, ku qëllimi i tij i vetëm i mundshëm është mbështetja e regjimit të presidentit Bashar Al-Asad. Por mbajtja në këmbë e qeverisë së Asadit, dhe zgjatja e luftën civile në Siri, nuk është një qëllim në vetvete për Putinin, i cili natyrisht që do të rrisë praninë e Rusisë në atë rajon.
Ka më shumë të ngjarë që synimi real i presidentit rus, të jetë ndërmjetësimi i një zgjidhje për moçalishten siriane, përmes nje formule që përfshin krijimin e një shteti të cunguar sirian, në të cilin pakica alevite do të shndërrohet në një shumicë. E dhënë ndyshe, Putini po e mbështet Asadin, në mënyrë që të mund ta “shesë” atë jashtë.
Lufta civile në Siri
Thuhet shpesh se Putini po përfshihet në konfliktin në Siri, për të shkëputur vëmendjen nga ekspansionizmi i tij i vazhdueshëm në Ukrainë. Por ky shpjegim, mund të jetë shumë më i thjeshtë se ç’duhet. Putini po kërkon të tregtojë diçka me Perëndimin, në këmbim të së cilit ky i fundit të lejojë vazhdimin e konsolidimit rus në Ukrainë. Emri i lojës nuk është çmenduri – ai quhet sistemi i levave.
Duke hedhur sytë rreth e rrotull globit, nuk ka shumë vende ku Rusia mund t’i ofrojnë diçka që Perëndimit i nevojitet. Siria është një vend, ku Rusia mundet potencialisht të ndihmojë SHBA-në dhe Evropën të arrijnë një objektiv të nevojshëm.
Kriza e refugjatëve, e ka shndërruar gradualisht luftën civile në Siri një çështje të brendshme evropiane. Shtetet e Bashkuara kanë një interes serioz për përfundimin e luftës civile, sepse vazhdimi i saj do të krijonte kushte ideale për zgjerimin e Shtetit Islamik. Por as SHBA dhe as Evropa, nuk kanë kapacitetin dhe vullnetin e duhur, për t’i dhënë fund luftës siriane.
Uashingtoni ka përdorur fuqinë ajrore për të luftuar ISIS-in, por fushata e bombardimeve nuk ka arritur të përmbajë plotësisht rritjen e grupit militant sunit. Në çdo kohë, gjatë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara mund të drejtonin bombarduesit kundër Asadit, do të kishin dobësuar seriozisht regjimin e tij, dhe ndoshta presidentin sirian do të ishte rrëzuar nga pushteti.
Por administrata e Barak Obamës ka frikë, dhe jo pa arsye, se rrëzimi i Asadin do të ishte një dhuratë për Shtetin Islamik. Kjo nga ana tjetër thuajse me siguri do të shkaktonte masakrimin e alevitëve, që cilësohen të pafe nga ISIS-i, dhe do të krijonte një valë të re refugjatësh sirianë, të cilët do të niseshin drejt Evropës.
Irani, që ka qenë një përkrahës i madh i Asadit, mundej gjithashtu në çdo momnt gjatë viteve të fundit të merrte iniciativën, për t’i dhënë fund luftës duke nxitur presidentin sirian të pranonte krijimin e një shteti të cunguar alevitët në një pjesë të Sirisë.
Por as kjo nuk ka qenë në interesin e Iranit, të paktën siç interpretohet nga lideri suprem Ajatollah Ali Khamenei. Siria e Asadit është ura lidhëse e iranianëve me Hezbollahun, dhe një Siri e kufizuar me sundimtar Asadin, do të kishte më shumë probleme të lidhura me milicinë libaneze në ofrimin e furnizimeve, duke përfshirë edhe raketat.
Nga ana tjetër, Irani ishte përfshirë në negociata të gjata mbi programin e tij bërthamor me SHBA-në, dhe nuk kishte asnjë arsye për të ndihmuar kundërshtarin e tij. Tek e fundit, Siria edhe kështu si është, mbetet një ledh i rëndësishëm mbrojtës për Iranin, kundër shumicës sunite arabe në rajon, dhe Teherani nuk kishte asnjë arsye për të lejuar tkurrjen e mëtejshme të tij.
Interesat e Rusisë në Siri janë të ndryshme. Lidhjet dikur ngushta të historike mes Bashkimit Sovjetik dhe bathistëve në Damask, janë dobësuar që prej rënies së komunizmit, qëkurse financimi i dikurshëm rus në Lindjen e Mesme tashmë nuk ekziston. Mbetet gjithësesi një lidhje e mjaftueshme sa për t’i dhënë Putinit idenë e ri-angazhimit me Sirinë.
Por Rusia nuk ka ndonjë interes thelbësor strategjik tek Asadi apo Siria. Putini thjesht po përfiton nga rasti. Asadi duhet ta dijë këtë – por ndërkaq ai është i dëshpëruar për të ruajtur ekzistencën e regjimit të tij, siç u tha vetë Putini gazetarëve (mesa duket me një nënqeshje) të hënën gjatë vizitës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu. Nëse Putini dëshiron të ofrojë mbështetje ajrore për Asadin, lideri sirian nuk është në pozitën për të thënë jo.
Nga kjo analizë rezulton se Putini po e rrit mbështetjen për Asadin, në mënyrë që të përdorë mundësinë e një paqeje të ndërmjetësuar, si një mjet negocimi në marrëdhëniet e tij të trazuara me Perëndimin. Kjo nga ana tjetër ngre dy pyetje të papërpunuara, por shumë të rëndësishme:A mund t’ia dalë Putini në këtë mision? Dhe nëse po, cili do të ishte çmimi (përfshirë Ukrainën) që ia vlen për SHBA-në dhe Evropën?
Duket thjesht e mundur që Putini, t’i bëjë realisht presion Asadit për të arritur një marrëveshje, që do ta linte atë në pushtet, në krye të një shteti shumë të reduktuar alevit. Zaten, Asadi duhet të kuptojë se nuk e ka ai në dorë fundlojën e luftës civile. Edhe me gjithë ndihmën e Iranit, që mund të jetë i gatshëm t’ia japë, ai s’mund të presë të jetë i besueshëm, se do të arrijë të rivendosë nën kontroll pjesët e vendit, të cilat i ka humbur.
Në fakt, Perëndimi nuk ka qenë i gatshëm për ta hequr atë qafe, pikërisht nga frika e alternativës. Dhe bombardimet mbi Shtetin Islamik, e kanë ndihmuar atë në mënyrë të tërthortë të qëndrojë në këmbë. Por kjo është shumë larg nga ndihma që Perëndimi mund t’i jepte direkt, duke rënë dakord ta ndihmonte të rimerrte sërish kontrollin në të gjithë vendin e tij.
E vetmja dhe pak e imagjinueshme zgjidhje për luftën civile, është një Siri më e vogël – dhe Asadi mund të arsyetojë se do të jetë më mirë drejtimin e saj, sesa do të ishte në mërgim. Ajo që Asadi do të duhet ta cilësojë si një marrëveshje të tillë, do të jetë garancia konkrete ushtarake e territorit të tij kundër Shtetit Islamik. Rusia mund ta ndërmjetësojë fitimin e një garancie të tillë, dhe të marrë pjesë në të, duke përdorur fuqinë e saj ajrore.
Edhe nëse mund t’ia vlejë, mbetet ende një çështje e vështirë. Duke pranuar de facto një Siri të reduktuar , mund të lërë një Perëndim në luftën vetëm kundër Shtetit Islamik. Në pamje të parë kjo mund të lehtësojë luftën kundër grupit xhihadist. Por nga ana tjetër mund të forcojë ISIS-in, duke i dhënë shpresë për një njohjeje afatgjatë në zonat me shumicë sunite të ish-Sirisë.
Dhe kjo do të nënkuptonte pranimin e agresionit të Putinit në Ukrainë, si pjesë e marrëveshjes, qoftë të negociuar apo jo. Kjo do të konsolidonte Putinin në pozitat e një ekspansionisti të rrezikshëm në arenën ndërkombëtare – por edhe të një virtuozi të politikës së jashtme.
Megjithatë, kostoja njerëzore e luftës civile në Siri është aq e madhe – dhe ende në rritje – sa do të ishte qesharake të hidhej poshtë mundësia e një marrëveshje të ofruar nga Moska. Putini është duke bërë lojën e tij. Tashmë duhet parë se cilat do të jenë lëvizjet e SHBA-së, dhe nëse Obama mund të largohet nga zyra, duke e filluar procesin e ri-vendosjes së një lloj stabiliteti, të paktën në një pjesë të Sirisë.
“Bloomberg View” – Bota.al