Analiza

Loja me shumën zero e Beniamin Netanjahut

Nga David Ignatius

Gjatë një fjalimi të mirë-hartuar në Kongresin Amerikan këtë të martë, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, loboi fuqishëm kundër arritjes së një marrëveshje bërthamore me Iranin. Problemi është se ai ka nisur tashmë me administratën Obama, një lojë me shumën zero, në fund të së cilës ose presidenti amerikan, ose kryeministri izraelit, ka të ngjarë të dalë humbës.

Screen Shot 2015-03-04 at 23.30.38

Duke u përpjekur të ketë aksione të mëdha në opinionin publik, dy javë përpara zgjedhjeve në Izrael, Netanjahu dha dje atë që mund të provohet si fjalimi, i cili do të përcaktojë karrierën e tij politike. Ai e nisi fjalimin me mirësjellje, dhe me një falënderim për presidentin Obama, që kritikoi sjelljen e diplomacisë izraelite. Netanjahu paralajmëroi ndërkohë, se marrëveshja e planifikuar, do të krijojë një “fuçi baruti bërthamore” në Lindjen e Mesme, dhe se “në mënyrë të pashmangshme do të çojë në luftë.”

Fjalimi i Netanjahut, e thelloi hendekun e tij me Shtëpinë e Bardhë, ku përshëndetjet e ndërdyshura për kryeministrin izraelit, duhet të kenë tingëlluar si një qortim. Fjalimi ka krijuar ndërkohë, edhe një dinamikë të re, që mund ta çojë Lindjen e Mesme edhe më pranë tehut të thikës. Mendoni për një moment, rezultatet e mundshme të negociatave kokë më kokë me Iranin në 24 mars.

Netanjahu mund të “fitojë”, dhe të bindë Kongresin e SHBA, të shkatërrojë iniciativën më të madhe të politikës së jashtme të presidencës së Obamës. Ose Obama mund të “fitojë”, dhe të ecë përpara, për të përfunduar atë që Netanjahu e cilëson si “një marrëveshje shumë të keqe”. Ose çfarëdolloj rezultati, mund të traumatizojë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Izraelit, dhe kësisoj të çojë tek një raport i helmuar, në dy vitet e fundit të presidencës së Obamës.

Dy skenare të tjera të vështira, janë të mundura të ndodhin, pasi Netanjahu e rriti stekën e lojës së tij. Irani mund të refuzojë lëshimet e mëtejshme, të braktisë negociatat dhe të përshpejtojë programin e tij bërthamor, duke detyruar SHBA-në dhe Izraelin, të marrin në konsideratë veprimet ushtarake. Ose Netanjahu, duke vënë bast të ardhmen e tij politike, gjatë vizitës së fundit në Uashington, mund të humbasë në zgjedhjet e 17 marsit. Por kjo disfatë, ka pak të ngjarë të ndodhë, pas prezantimit të shkathët të Netanjahut në Kongres.

Ajo që mbetet më pak e mundur, është që Teherani të bëjë mjaftueshëm, për të rënë dakord me formulën e Netanjahut. Fjalimi i kryeministri izraelit, nuk ofroi shumë ide të reja, por hedhja poshtë e tij, nga një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, duke e etiketuar si “plot retorikë, dhe pa asnjë veprim”, ishte e tepruar.

Ndonëse udhëheqësi izraelit e refuzon qartazi marrëveshjen e Obamës, ai argumentoi se nëse SHBA-ja është e vendosur të vazhdojë në këtë linjë, ajo duhet të këmbëngulë së paku, që marrëveshja të mos firmoset, deri kur Irani të braktisë sjelljen e tij agresive në rajon, duke ndalur ndalur terrorizmin e tij, dhe pranuar ekzistencën e Izraelit.

Obama shpreson për një evolucion, drejt një mendësie të shëndoshë post-revolucionare në Teheran, përgjatë gjithë kohëzgjatjes 10-vjeçare të marrëveshjes së planifikuar, dhe Netanjahu ka të drejtë, kur thotë se do të ishte mirë, për t’i shkruar ato në paktin që do të firmoset. Por kjo nga ana tjetër, do të shkaktonte me siguri prishjen e marrëveshjes nga Irani.

Netanjahu iu referua poezisë së shkrimtarit të njohur amerikan, Robert Frost “Rruga që nuk u mor”, duke argumentuar se në ndërsa data e hedhjes së firmave afrohet, ka vetëm një rrugë të sigurtë.

Por me gjasë, të dyja shtigjet duket të kenë pengesa të rrezikshme. Problemi më i dukshëm i marrëveshjes me Iranit, është se ajo do të krijojë një të çarë të re me Izraelin. Uashingtoni dhe aleatët e vet do të shqetësohen se Izraeli mund të ndërmarrë veprime të njëanshme ushtarake, kundër asaj që Netanjahu e ka përshkruar, si një kërcënim ekzistencial. Një marrëveshje, do të sjellë akuzat e pashmangshme, se Irani ka mashtruar.

Kjo mund të sjellë raunde të reja sanksionesh nga Kongresi i SHBA-së, që do të mundë nga ana tjetër, të bëjë që Iranin të argumentojë se Uashingtoni po luante bllofin dhe për pasojë marrëveshja të konsiderohet si e pazbatueshme.

Sikurse paralajmëroi Netanjahu, një marrëveshje do të shënonte çeljen e një epoke të re të përhapjes së armëve bërthamore në Lindjen e Mesme edhe në vende si Arabia Saudite, Egjipti dhe Turqia, të cilat natyrshëm do të kërkojnë të arrijnë të njëjtin status të “pragut bërthamor”, si ai që do t’i jepte Iranin ky pakt.

Pasi marrëveshja të nënshkruhet me një afat prej 10 vitesh, dhe Irani të çlirohet nga kufizimet, gara në kuadër të rezervave bërthamore do të përshpejtohej në mbarë rajonin. Ndërsa situata aktuale në Lindjen e Mesme është e keqe, ajo mund të përkeqësohet shumë më tepër.

Rruga tjetër, është ajo ku diplomacia e SHBA-së dështon. Kjo mund të jetë rrjedhojë e forcimit të pozitave të SHBA apo Iranit, nga sanksionet e reja të ligjëruara nga Kongresi, ose thjesht nga paaftësia për të kapërcyer mangësitë ekzistuese.

Sërish, një tension i madh ka të ngjarë të ndodhë, me SHBA dhe forcat iraniane që veprojnë rrezikshëm në zonat e ngushta, në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Ajo çfarë Netanjahu bëri të martën, ishte për të ngritja e një paralajmërimi për Obamën. Çdo marrëveshje, që administrata amerikane do të nënshkruajë, duhet të adresojë shqetësimet që shpreh Netanjahu.

Duke pasur parasysh, se çfarë është në rrezik në Lindjen e Mesme, kjo është ndoshta një gjë e mirë. Sikurse deklaruan zyrtarët e administratës në fillim të negociatave, nuk ka marrëveshje që është më mirë apo një tjetër e keqe. Fjalimi i kryeministrit izraelit, me të gjitha pasojat e tij politike përçarëse, shërbeu për të vënë theksin tek ajo, që do të duhet të jetë një marrëveshje e mirë. /The Washington Post/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close