Bota

Loja vdekjeprurëse e pritjes për refugjatët sirianë

Screen Shot 2016-02-14 at 11.36.16

Nga Ahmed Shihab-Eldin

“Huffingtonpost”

Sirianët janë duke pritur. Kudo. Presin sulmin ajror të rradhës. Të kapërcejnë ndonjë tjetër kufi. Presin që një kontrabandist t’i marrë në telefon për t’u thënë nëse ka vende në barkën e vogël indiane prej gome, apo më keq, nëse ata do të duhet të lundrojnë mbi të. Në pritje për të shpëtuar në mes të detit. Në pritje për të vdekur … nga uria.

Nëpër stacionet e trenit në të gjithë Evropën, ata janë duke pritur. Në ura, kufi, pyje, nën rreshjet e shiut, në anë të autostradave. Sot, më shumë se 40.000 sirianë janë duke pritur në pikën kufitare Bab Al-Salameh me Turqinë, pasi u arratisën si pasojë e një sulmi brutal të ushtrisë së Asadit, të mbrojtur nga sulmet ajrore ruse në Alepo.

Ato që kanë fat flenë në xhami, shumica jashtë, pjesa dërrmuese e tyre pa çadra, edhe pse temperaturat gjatë natës bien nën zero. Tashmë këtë javë, një fëmijë 3-vjeçar dhe një burrë i moshuar humbën jetën për shkak të të ftohtit. Dhe, teksa janë duke pritur, sirianët po luten t’i jepet fund luftës që ndan familjet; detyron miliona të largohen për të shpëtuar jetët e tyre; duke i kthyer njerëzit në një barrë të kushtueshme, ndërsa zbulojnë se sa thellësisht e ndarë është bota.

Turqia, e cila tashmë ka pranuar mbi 2.5 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër, dhe ka premtuar se “nuk do t‘u mbyllë dyert” refugjatëve, ka mbyllur ndërkohë pikën kufitare në Salameh, me justifikimin e shqetësimeve mbi sigurinë, dhe besimin se pranimi i më shumë refugjatëve, është i barasvlershëm me autorizimit e synimit të Rusisë për të zbuar rebelët nga Alepo.

Duke iu referuar po çështjeve të sigurisë, Ankaraja tha se këtë javë kishte zbuluar njerëz që kishin me vete eksplozivë, dhe se të paktën katër pajisje vetëvrasëse i ishin gjetur një grupi prej 4 burrash, 10 grash dhe 20 fëmijësh gjatë depërtimit të tyre në Turqi përmes Karkamisit, në kufirin jug-lindje me Sirinë.

Perceptimi në rritje se ISIS-i, është duke e përdorur krizën e refugjatëve për të krijuar ‘celulat e fjetura’ dhe i dërguar ato në të gjithë botën, e ka përshtjelluar më tej krizën, duke paralizuar politikanët dhe trimëruar ekstremistët e të gjitha kampeve. Ndërkaq në Siri, Rusia është duke e zgjeruar gamën e qyteteve që ka nën shenjestër. Vetëm javën që po lëmë pas, avionët luftarakë rusë goditën rreth 1.000 objektiva në të gjithë vendin.

Pas 5 vitesh luftime, që kanë vrarë së paku çerrek milioni sirianë, Bashar Al-Asadi është duke shpresuar të rimarrë kontrollin e qytetit më të madh të Sirisë. Më shumë se 500 njerëz janë vrarë, në pak më shumë se një javë. Shumica nga sulmet e rënda ajrore të Rusisë. Fshatra të tëra janë zbrazur në Alepo. Agjencitë e ndihmave humanitare, thonë se po përpiqen me të gjitha mënyrat për të plotësuar nevojat bazë të dhjetëra mijëra njerëzve që po largohen nga Alepo, dhe ku rrugët e furnizimit janë ndërprerë.

Thuajse 100 mijë vetë janë zhvendosur për shkak të ofensivës së re, dhe më shumë se 500 mijë persona mund të mbërrijnë në Turqi vetëm nga provinca e Alepos në ditët e ardhshme. “Me çdo refugjat që ne pranojmë në këtë mënyrë, ne mund t’i ndihmojmë qëllimeve të spastrimit etnik”- është shprehur kryeministri turk, Ahmet Davutoğlu. Presidenti Rexhep Taiip Erdogan e cilësoi këtë një gjenocid, dhe akuzoi komunitetin ndërkombëtar për hipokrizi, duke i kërkuar Turqisë t’i lejojë refugjatët të hyjnë në vend, kur shumica e vendeve në botës i refuzon ata.

Ndërkohë, Turqia po kërcënon të dërgojë 2.5 milionë refugjatë sirianë në Evropë. BE-ja ra dakord për t’i dhënë Ankarasë 3 miliardë dollarë ndihma financiare për refugjatët, por dy muaj e gjysmë pas marrëveshjes, fondet nuk janë transferuar ende. Associated Press, raporton se Turqia ka shpenzuar mbi 10 miliardë dollarë për strehimin e refugjatëve, në krahasim me OKB-në e cila ka shpenzuar vetëm 455 milionë dollarë.

Në këtë luftë të egër, llogaritjet politike injorojnë humanizimin ndaj njerëzve. Më shumë se gjysma e popullsisë siriane është zhvendosur. Gati 5 milionë refugjatë tashmë janë larguar. Verën që shkoi, çdokush priste që fluksi i refugjatëve të binte, por teksa lufta vazhdoi, as stina e dimrit nuk e ndali rrjedhën e tyre – me gati 55.000 njerëz që kanë arritur në Evropë nëpërmjet detit, vetëm që nga fillimi i këtij viti.

Politika e BE-së ndaj refugjatëve, është në rastin të mirë skizofrene. Franca, Britania dhe aleatët e tyre në Këshillin e Sigurimit të OKB, ushtruan në mbedhjen e të mërkurës presion ndaj Rusisë për t’i dhënë fund bombardimeve të saj të Alepo. Këtë javë, Brukseli i kërkoi Turqisë të rihapë kufirin e saj me Sirinë. Por vetëm disa muaj më parë, kur Turqia rrëzoi një avion luftarak rus që pretendohej se kishte shkelur hapësirën ajrore të saj, BE i pati kërkuar Ankarasë të mbyllte kufirin.

Këtë javë, Arabia Saudite, një përkrahëse e madhe e të ashtuquajturave grupe rebele, tha se ishte duke dërguar trupa tokësore në Siri. Turqia fajëson Rusinë për numrin e madh të viktimave në rradhët e civilëve. Irani pranon të dërgojë këshilltarë ushtarakë në Siri, edhe pse mohon dërgimin e trupave luftarake. Madje edhe Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, ka qenë i angazhuar në betejat brutale në terren, duke rrethuar Madajan për muaj me rradhë, dhe penguar cilindo të largohet për t’u furnizuar me ushqime.

SHBA-ja, e cila ka pranuar deri tani pak më shumë se 2.500 refugjatë, ka luajtur gjithashtu një rol të madh negativ, si përmes veprimeve të saj, duke armatosur rëndë disa grupe rebele ashtu edhe duke mosvepruar. Vite më parë, Presidenti Obama bëri thirrje për largimin e Asadit, pa ndonjë strategji apo plan veprimi dhe hoqi vijat e kuqe rreth përdorimit të armëve kimike, pa zbatimin e tyre. Kohët e fundit, SHBA-ja është duke i koordinuar aksionet e saj si me milicitë kurdë, ashtu edhe forcat iraniane në terren.

Ndërkohë, shumica e Guvernatorëve të SHBA-së (ashtu si kandidati kryesor republikan Donald Tramp), janë zotuar të ndalojnë hyrjen e refugjatë sirianë në shtetet e tyre, ndërsa kanë bërë thirrje për ndalimin e hyrjes së sirianëve në çdo cep të Shteteve të Bashkuara. Këtë javë, Donald Tramp tha në një takim me mbështetësit e tij, se do të shihte me krenari fëmijët sirianë në sy dhe do t’u thoshte se ata nuk janë të mirëpritur në SHBA.

Në shtator, presidenti Obama propozoi lejimin e një shtesë prej 10.000 refugjatësh sirianë, për t’u pranuar në SHBA gjatë vitit të ardhshëm. Por varet nga Kongresi nëse do të miratojë financimin e kësaj shtese, në një kohë kur disa kongesmenë kanë ndërmarrë hapa për të ngadalësuar procesin. Edhe pse SHBA-ja ka kontribuar në sasinë më të madhe të ndihmave humanitare në Siri që nga viti 2011, duke dërguar më shumë se 4 miliardë dollarë, thjesht hedhja e parave apo armëve është përzierja e vetme me krizën siriane.

Kryeministri i ri kanadez Xhastin Trudo, i cili u zgjodh në këtë detyrë nëntorin e shkuar, tha këtë javë se qeveria e tij do të përfundojë operacionet e bombardimeve në Siri në 22 shkurt. “Mund të na cilësoni edhe të modës së vjetër, por ne mendojmë se duhet të mos bëjmë pikërisht atë që dëshirojnë armiqtë tanë”- tha ai. “Ata duan që ne të hakmerremi kundër tyre, t’i jepemi frikës, të kënaqemi me ushtrimin e urrejtjes, ta shohim njëri-tjetrin në sy me dyshim dhe të heqim dorë nga zgjidhjet tona”. Çfarëdo që mund të dëshirojnë armiqtë tanë, sirianët janë lënë ende duke pritur, dhe duke vdekur.

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button