Bota

LOJERA PUSHTETI / Nicolas Sarkozy po bën gati rikthimin

Nicolas Sarkozy është duke planifikuar që të anashkalojë Emmanuel Macronin, presidentin e mundshëm të Francës pas balotazhit, duke e detyruar atë të pranojë një qeveri konservatore të udhëhequr nga partia e republikanëve e Sarkozysë.

Ish-presidenti, lojërat prapa kuintave për pushtet të të cilit, i kanë dhënë nofkën “Don Sarko”, ka folur me ndjekësit e tij në lidhje me taktikat për republikanët e demoralizuar, që do të shërbejnë për të fituar shumicën në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Pas shpartallimit të François Fillon, kandidatit të tyre, kjo lëvizje do të lejojë që partia të formojë një qeveri, në opozicion me presidentin e ri.

Sondazhet sugjerojnë se partia e madhe e qendrës së djathtë ka një shans të mirë për t’ia dalë. “Ne mund të arrijmë një bashkëjetesë”, tha dje Éric Voerth, një ish-ministër i Sarkozysë. Termi aplikohet për periudhat e qeverisjes nga opozita presidenciale. Qeveria e fundit e tillë është udhëhequr nga Lionel Jospin, një socialist, nën presidentin e djathtë Jacques Chirac, nga viti 1997 deri në në vitin 2002.

Sarkozy, 62 vjeç, i cili është në zyrtarisht në pension dhe nuk kërkon asnjë vend në parlament, synon të sigurojë postin e kryeministrit për François Baroin, “i përkëdheluri” i tij 51-vjeçar. Së pari, atij i duhet të qetësojë zërat kundër nga krahu i moderuar i partisë, që është gati të bashkohet në administratën Macron. Republikanët, aktualisht pa udhëheqës, e kanë shtyrë një vendim për shefin e ri, deri pas balotazhit parlamentar të 18 qershorit.

Macron, 39 vjeç, centristi i pavarur që mendohet të fitojë kundër Le Penit në balotazhin e 7 majit, e kaloi ditën duke u konsultuar me aleatë potencialë për një strategji që të fitojë presidencën, dhe më pas të krijojë një shumicë funksionuese për t’iu kundërvënë skemës së Sarkozysë.

Mungesa e kandidatit në fushatë qysh prej fitores në raundin e parë të dielën, shkaktoi shqetësime në kampin e tij, se ai rrezikon të humbasë prej vetëkënaqësisë. Duke vizituar një treg me shumicë në Rungis, pranë Parisit, Le Pen foli me përbuzje ndaj kandidatit kundërshtar duke thënë: “Ai mendon se ka fituar tashmë”.

Megjithatë, plani i Sarkozy ndeshi në kundërshtime të fortë nga krahu i moderuar i republikanëve, figura kryesore e të cilëve është Alain Juppe, dikur favorit i partisë për presidencën. Bruno Le Maire, që është në kampin e të moderuarve, tha se mund të shohë republikanët të marrin pjesë në një administratë Macron, nëse nuk fitojnë shumicën në Parlament. “Nëse nuk kemi shumicë të qartë, kjo do të thotë se francezët na kanë thënë që të ‘punojmë së bashku’, tha ish Ministri i Fermave i Sarkozysë. “Nuk e pranoj që pesë vitet e ardhshëm të jenë vite të humbur për Francën”.  / Përgatiti: bota.al

Leave a Reply

Back to top button