Letersi

“Lolita” dhe tabutë në letërsi. Histori dashurie, apo abuzimi?

LolitaTregoji një shkrimtari për një tabu dhe ai do ta kthejë në histori. Të paktën këtë ka treguar historia e letërsisë. Nëse ka tabu në letërsi, e sigurt është që nuk imponohen nga shkrimtarët dhe madje as nga lexuesit në përgjithësi. Mjafton të përmendim kryeveprën e Nabokovit, “Lolita”, që, tekefundit, është edhe një histori pedofilie. Apo “50 hijet e Greit”, që pavarësisht prozës së dobët, e çoi një hap më tej erotizmin në letërsi. Për të mos folur pastaj për trendin e fundit të romaneve me elemente të mbinatyrshme, ku kanibalizmi është mënyrë jetese.
Kanë kaluar afro 60 vjet qëkur “Lolita” u botua për herë të parë në Paris. Libri tregon historinë e një 40- vjeçari, Humbert Humbert, i cili hyn në një marrëdhënie seksuale – që ai e quan dashuri – me një vajzë 12-vjeçare. Vetë Nabokov ka thënë se në këtë libër janë shqyrtuar tre lloj tabush: vetë historia e Lolitës 12-vjeçare është një prej tyre; martesa mes racave dhe ateizmi. Për këto dy të fundit, Nabokov ka thënë shprehimisht: “Një martesë mes racës së zezë e asaj të bardhë, që rezulton në një sukses të plotë me fëmijë e nipër, si dhe një ateist, i cili jeton i lumtur dhe i plotësuar dhe vdes në gjumë në moshën 106-vjeçare.”
Po çfarë janë ekzaktësisht tabutë në letërsi? Me tabu kuptojmë diçka që është njëkohësisht e shenjtë dhe e ndaluar. Pra, ka një kuptim të dyfishtë, magjepsës dhe i neveritshëm në të njëjtën kohë. Por në letërsi, tabutë marrin kuptime më të gjera. Zakonisht librat që merren me çështje tabu më shumë i tërheqin lexuesit sesa shkaktojnë atë ndjenjën e ndalimit apo të kundërshtisë.
Pikërisht kjo e ka bërë “Lolitën” një kryevepër mbi erotizmin…
Humbert Humberti, një kritik letrar në mesmoshë, pas martesës së tij të dështuar, niset në kërkim të një strehe ku mund të shkruajë i qetë, diku në një qytezë në New England. Ndërsa është duke këqyrur për një dhomë me qira në shtëpinë e zonjës Hejz, sytë e tij ndeshin të bijën e zonjës së shtëpisë, Dolorezën, një dymbëdhjetëvjeçare e rritur para kohe, pas së cilës ai lë mendtë.
Që të rrijë pranë nimfës së tij, Lolitës së tij të adhuruar, siç e quan, ai vendos të qëndrojë me çdo kusht në dhomën e ofruar, madje edhe martohet më vonë me të ëmën e vajzës, e cila një ditë do të zbulojë nga shënimet në ditarin e të shoqit se ai nuk është vetëm burri i saj, por edhe lakmitari i së bijës. Ngjarjet do të precipitojnë shpejt dhe heroi ynë do ta gjejë veten një ditë të bukur njëherësh edhe njerku, edhe dashnori i vajzës së re, status që do ta çojë në një spirale të tërë ngjarjesh dhe emocionesh.
“Lolita” është një ndër librat më kontrovers të letërsisë së shekullit XX, që e ktheu emrin e Lolitës në një personifikim të vogëlusheve të rritura para kohe dhe njëherësh aktore të marrëdhënieve erotike të ndaluara. Humberti do ta ndjekë përjetë Lolitën, duke e përligjur kërkimin e tij të ethshëm: “Ishte një dashuri me shikim të parë, me shikim të fundit, me çdo shikim.”
Nabokov, me këtë roman, të çon përtej tabusë; ka aftësinë t’i krijojë lexuesit kaq shumë dilema sa të mos jetë më i sigurt se çfarë e tërheq në këtë histori.
Ndër vite, “Lolita” herë është përshkruar si histori dashurie, herë si histori abuzimi. Tekefundit, është një krijimtari letrare dhe si për çdo gjë të tillë, perceptimi është tërësisht individual. /botimeshqip.com/

Leave a Reply

Back to top button