Nga Yann Rousseau
Çdo vit rrjetet sociale “ziejnë” në mes të tetorit. Prindërit e mërzitur sulmojnë Ministrinë e Arsimit në Facebook, Twitter dhe forume të tjera, duke e akuzuar atë se kishte organizuar teste shumë të komplikuara për fëmijët e tyre. Ata thonë se fëmijët e tyre u kthyen në shtëpi të përlotur pas provimit të matematikës i PSLE – Provimi i Maturimit të Shkollës Fillore.
Rezultatet shpallen në fundin e nëntorit. Në shtetin e vogël por të famshëm aziatik, shumë familje e shohin këtë test si provimin e jetës. Pasi rezultati PSLE mund të ndikojë në cilësinë e kursit të studimit deri në universitet. Në shkollën e mesme, fëmijët e shohin veten të vendosur në 3 “kategori” të ndryshme, në varësi të nivelit të tyre.
Prindërit shpenzojnë vite duke i përgatitur fëmijët e tyre për testet në matematikë, shkencë dhe anglisht. Ata i ndihmojnë për orë të tëra në detyrat e shtëpisë dhe shpenzojnë shumë para për mësimet private. Sipas Anketës më të fundit Kombëtare të Shpenzimeve të Familjeve të kryer nga Departamenti i Statistikave, familjet në Singapor shpenzojnë gjithsej gati 1 miliardë euro çdo vit për shkollimin privat të fëmijëve të tyre.
“Afro 70 për qind e fëmijëve të shkollave fillore marrin tani mësime private”- thotë Xhejzën Tan, profesor në Institutin Kombëtar të Arsimit. Sa i përket fëmijëve të parashkollorit niveli është 40 për qind. Kështu në akademinë “Terry Chew”, në qendër të qytetit, ofrohet mësimi i matematikës për fëmijët deri në 5 vjeç: format gjeometrike, llogaritjet bazë, njohja e serive të numrave, kriptimet etj.
“Shkathtësimi me lëndën e matematikës që në kopsht, është treguesi më i mirë i suksesit të ardhshëm të fëmijës suaj në aspektin akademik”- paralajmëron broshura e kësaj shkolle private e cila premton që t’i njohë fëmijët e kopshtit me ndjenjën e konkurrencës. Kostoja është 680 euro për 12 leksione nga 90 minuta secila në grupe të vogla me deri 8 fëmijë.
Faturat rriten me kalimin e moshës, dhe kur fëmijët i afrohen PSLE-së, ata janë 12-vjeç. Deri atëherë, kanë arritur një nivel shumë më të lartë se fëmijët e moshës së tyre në vendet e tjera të zhvilluara. Në çdo edicion të studimit të Pizës (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve), i organizuar çdo tre vjet nga OECD midis studentëve 15-vjeçarë, Singapori i kalon të gjithë të tjerët .
Në sondazhin e vitit 2015, të kryer në më shumë se 70 vende, kombi i vogël me 5.7 milionë banorë, e dominoi renditjen në matematikë, shkencë dhe aftësi gjuhësore. Në vitin 2019, Singapori kaloi në vendin e dytë pas Kinës, por në një sondazh të konsideruar të padrejtë nga ekspertët.
Pasi rezultatet kineze u përpiluan vetëm nga shkolla të zgjedhura në Pekin, Shangai, Zhejiang dhe Jiangsu. Në Perëndim, performanca e Singaporit është edhe më mbresëlënëse, pasi ajo arrihet nga një sistem arsimor që është ende shumë i ri.
Kur Singapori shpalli pavarësinë e tij në vitin 1965, pas 140 vjetësh sundimi kolonial britanik, partia politike në pushtet, PAP (Partia e Veprimit Popullor) dhe udhëheqësi i saj Li Kuan Jeu trashëguan një sistem arsimor kaotik. Arsimi nuk ishte universal dhe ndryshonte sipas komuniteteve të ndryshme që kishin rrjetet e tyre shkollore që funksiononin në anglisht, kinezisht, malajisht apo gjuhën tamile.
Kurrikula, tekstet dhe provimet, ndryshonin shpesh nga një shkollë në tjetrën, dhe nuk përcaktoheshin objektiva të përbashkëta. “Një nga misionet prioritare të Jeu ishte rindërtimi i shkollës për të mbështetur zhvillimin ekonomik kombëtar dhe inkurajuar kohezionin social në këtë popullsi multi-etnike dhe multi-fetare. Këto dy objektiva janë ende në qendër të sistemit, edhe pse shumë reforma e kanë ndryshuar organizimin e sistemit arsimor”- thekson Tan.
E ricentralizuar nën autoritetin e Ministrisë së Arsimit, e cila këtë vit ka ende buxhetin e dytë më të madh në vend, shkolla u përqendrua shpejt tek anglishtja, matematika dhe aftësi shkencore për të rritur atraktivitetin ndërkombëtar të një vendi pa burime natyrore.
60 vjet më vonë, ato mbeten një prioritet në klasat fillore, të mesme dhe parauniversitare. Në matematikë, fëmijët nga Singapori kanë një qasje shumë më konkrete ndaj problemeve sesa bashkëmoshatarët e tyre evropianë. Përpara se të nisin zgjidhjen e një problemi me numra, ata bëjnë në fletore apo tabelë një vizatim me fruta, ëmbëlsira apo nxënës, pastaj një diagram me shufra dhe blloqe, në një qasje shumë argëtuese.
Çdo veprim, qoftë mbledhje, zbritje apo pjesëtim, paraqitet në një skenar konkret përpara se të transkriptohet në një gjuhë matematikore abstrakte. Në këtë mënyrë, fëmija e përjeton shumëzimin përpara se ta formulojë atë. Gjatë gjithë karrierës së tyre shkollore deri në klasën e gjashtë fillore (mosha 12 vjeç), ata do të modelojnë pothuajse sistematikisht problemet e tyre, madje edhe ato më komplekse.
Më pas çdo fazë e të mësuarit përmbyllet nga teste rigoroze në klasë, që përgatiten në mënyrë progresive për PSLE. Sa i përket shkencave, programet inkurajojnë të mësuarit përmes lojës. Mësuesit përpiqen të ngrenë pyetje duke i nxitur nxënësit e tyre të punojnë në çifte apo ekipe për të ndërtuar objekte konkrete.
Ata do të përdorin robotë të vegjël të pajisur me bateri dhe dioda për të kuptuar për shembull mënyrën sesi funksionon energjia elektrike. Në Singapor, mësuesit paguhen shumë mirë. Të rekrutuar nga universitetet më të mira, ata marrin një trajnim fillestar shumë të gjatë dhe paguhen shumë më mirë se homologët e tyre në Evropë.
Kështu një mësues i shkollës së mesme fiton 36.000 euro në vit që në fillim të karrierës. Mesatarisht, një mësues i shkollës fillore me të paktën 5 vjet përvojë mund të presë të fitojë 3200 euro në muaj. Po ashtu marrin shpesh shpërblime dhe gëzojnë një nivel të lartë respekti në shoqërinë singaporiane.
Në këmbim të këtij respekti dhe vlerësimi, ata angazhohen të punojnë shumë, dhe jo vetëm përballë nxënësve por dhe prindërve të tyre. Ashtu si në vendet e tjera të Azisë Lindore, të cilat dalin mirë në testet e Pizës, mësuesit nga Singapori menaxhojnë klasa shumë të mëdha (shpesh me 40 studentë), por kanë shumë më pak orë mësimi sesa mësuesit perëndimorë.
Në vend të kësaj, ata e shpenzojnë gati gjysmën e kohës së tyre duke komunikuar me prindërit përmes e-mailit ose mesazheve me tekst, duke përgatitur klasat e tyre dhe duke vlerësuar leksionet me kolegët e tyre. Ata vëzhgojnë rregullisht orët e mësimit të njëri-tjetrit, përpara se të shkëmbejnë praktikat më të mira, dhe marrin gati 100 orë trajnim të vazhdueshëm çdo vit për t’iu përshtatur nevojave në ndryshim të vendit.
Por ndërsa mbahet si një model për vendet e tjera, sidomos në Azinë Juglindore, sistemi i Singaporit ka edhe të metat e veta. Presionin ndaj fëmijëve për të kaluar teste në moshë shumë të re. Pastaj janë edhe orët e shumta të kaluara në klasë në dëm të aktiviteteve jashtëshkollore dhe kohës së lirë. / “Worldcrunch” – Bota.al