Bota

Lufta asimetrike

Screen Shot 2015-11-16 at 17.36.34

Xhihadistët duan të mposhtin shoqërinë moderne, imazhin tonë për vetveten dhe jetën në demokraci. Ata zhvillojnë një luftë kundër botës, që mund të vazhdojë gjatë

Alexander Kudascheff

Është një ndjenjë, që kaplon shumëkënd pas sulmeve terroriste në Paris: Bota ka dalë nga shinat, është prishur rendi. Papa flet madje për një luftë të tretë botërore. Nuk e ka fjalën për një luftë globale, por për një luftë kundër botës siç e njohim ne atë. Luftë që i ka shpallur asaj xhihadizmi islamik, jo vetëm kalifati i vetëvetëquajtur “Shteti Islamik”, por shumë grupe, lëvizje, sekte fundamentaliste në të gjithë botën – në Nigeri, Mali dhe Somali, në Indi, Bangladesh, Afganistan dhe Indonezi dhe natyrisht në Lindjen e Mesme, në shtetet e shpërbëra të Irakut, Sirisë, Libisë, apo Jemenit. Dhe xhihadizmi del përtej këtyre rajoneve – në Evropë si dhe në Rusi. Ai do që ta sfidojë botën.

Është absurde që të diskutosh, nëse islami është fe e paqes apo e luftës. Për këtë mund të vrasin mendjen orientalistët dhe dijetarët e fesë islame. Xhihadizmi bazohet dhe argumenton me fenë islame. Një islam të mirëfilltë, siç e paska jetuar gjoja profeti Muhamed 1500 vjet më parë në Medinë dhe Mekë. I cili duhet të jetë një mënyrë jetese, një jetë në përshtatje me kuranin. Qoftë edhe si pretendim spiritual ky është totalitar. Xhihadistët duan që të gjithë ne të jetojmë siç u duket atyre e arsyeshme. Kjo është sfidë, shpallje lufte ndaj botës, ndaj shoqërisë moderne.

Por është një luftë asimetrike, edhe për arsye taktike. Disa sfidojnë shumë njerëz, persona të veçantë shtetin. Eshtë një luftë e guerillasve islamistë kundër ushtrive. Dhe parimi është i thjeshtë: Shteti duhet të bëjë gjithçka, që të pengojë suksesin e terroristëve. Duhet të bëjë gjithçka, që njerëzit të jetojnë në siguri – çdo orë, çdo ditë, çdo muaj, me vite dhe kudo. Terroristëve u mjafton një fitore, ata duhet të sulmojnë vetëm një herë me sukses për të tronditur shtetet – si më 13 nëntor në Paris.

Dhe lufta është asimterike, sepse raportet janë të ndryshme. Këtu xhihadistët, që hedhin tej jetën e tyre, atje policia dhe ushtria që veprojnë për arsye racionale dhe të mirëpeshuara. Këtu gatishmëria për brutalitet ekstrem, që i kalon të gjithë kufijtë, atje ushtarë dhe policë, që veprojnë në bazë të parimeve të shtetit ligjor. Ata të lidhur me ligjin, xhihadistët të zgjidhur pa frena me ideologjinë totalitare. Gatishmëria brutale për vrasje qëndron përballë rregullave demokratike dhe të vetëkuptueshme. Më shumë se një luftë e pabarabartë. Edhe nëse Perëndimi ndoshta duhet ta rimendojë politikën e tij bazë të sigurisë.

“Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj”, e ka quajtur filozofi austriak Karl Popper librin ndoshta më të famshëm të tij. Shoqëria e hapur, liberale provokon të gjitha ideologjitë e pushtetit totalitar. Ajo kundërshton doktrinën e padiskutueshme dhe mbrohet me mjetet e shtetit ligjor. Xhihadizmi i provokon demokracitë e Perëndimit deri në kufijtë e tolerancës – dhe më tej.

Terroristët duan që ne të heqim dorë nga imazhi për vetveten. Ata duan të fitojnë mbi modernen. Me mjete asimetrike. Kjo do të thotë, që do të jetë një luftë e gjatë. Sepse lëvizjes xhihadiste i dalin koka të tjera pas çdo goditjeje. Rezervuari i terroristëve të gatshëm për kamikazë është ende i paezauruar. Këtë duhet ta kemi parasysh.

Linku: http://www.dw.com/sq/koment-lufta-asimetrike/a-18851935

Leave a Reply

Back to top button