Bota

Lufta e pakompromis për “metalet e rralla” (por jo edhe aq)

Thuajse krejtësisht të panjohura për publikun e gjerë (fatkeqësisht, edhe për shumë “ekspertë të fushës”, sa në lëmin politik, aq edhe në atë ekonomik), kohët e fundit janë rikthyer në skenën ndërkombëtare si një lloj ajsbergu, të cilit i shihet maja e vockël, por gjithsesi pa ju nuhatur masa e madhe nën ujë. Bëhet fjalë për të ashtuquajturat “metale të rralla”, të cilave bota po u konkurron kontrollin, në heshtje, por me një energji mjaft të madhe. Megjithatë, më mirë do të ishte të thuhej: të cilëve pjesa tjetër e botës po kërkon t’i kufizojë kuazimonopolin e mbajtur nga  Kina. Me pasoja që kanë të bëjnë të gjithë botën e industrializuar perëndimore, me Shtetet e Bashkuara në krye. Anipse, në dukje, shifrat në lojë janë modeste: Sipas US International Trade Commission, në vitin 2018 vlera e importeve amerikane nga Kina në sektor mezi ka arritur 92 milion dollarët.

Rëndësia e këtyre mineraleve është përcaktuar në janarin e 1992 nga lideri i atëhershëm kinez Ten Hsiao Pin, kur theksoi se shpejt do të merrnin të njëjtën vlerë strategjike si të naftës: “Nëqoftëse Lindja e Mesme ka naftën, Kina ka “metalet e rralla””. Në distancën e thuajse 30 viteve profecia e tij duket se në pjesën më të madhe ka  ndodhur, anipse bëhet fjalë për një armë që Pekinit i duhet ta menaxhojë me shumë kujdes dhe pjekuri, duke shmangur që të bëhet e “shpalosur”. Të quajtur më saktësisht lantanidë, “metalet e rralla” formojnë një grup prej 17 elementësh, të pranishëm në natyrë thuajse gjithmonë të shoqëruar në sasi të vogla me minerale të tjera, që me shpejtësi të jashtëzakonshme janë bërë të domosdoshme në një numër gjithnjë e më të madh sektorësh prodhues industrialë të teknologjisë së lartë, falë aftësisë së tyre për të formuar lidhje me karakteristika të jashtëzakonshme, sidomos në fushën magnetike.

Pa to, pjesa më e madhe e informatikës dhe e elektronikës së avancuar nuk do të mund të ekzistonte, aq sa janë quajtur “vitaminat e kimisë”. Disa shembuj e sqarojnë më mirë diskutimin. Europiumi shërben për të realizuar ekranet televizive e gjeneratës së fundit, ceriumi dhe lantani janë komponentë thelbësorë të marmitave katalitike të automobilave, disproziumi është i pranishëm në hard disqet e kompjuterëve, tek celularët dhe tek magnetët e mëdhenj të turbinave eolike. Të tjerët përdoren në prodhimin e gjysmëpërçuesve, tubave me dritë fluoreshente, CD-ve, kartave të kreditit, fibrave optike, lazerëve, minotorëve, radarëve dhe sistemeve të lundrimit ajror, lenteve për përdorim astronomik, deri tek të kudondodhurit celularë dhe thuajse në të gjithë sektorin e ashtuquajtur “green economy”, nga panelet diellore tek bateritë e rikarikueshme për automobilat elektrikë dhe hibridë. Pa harruar aplikime të ndryshme premtuese mjekësorë, nga ilaçet antikancer tek ato kundër artritit reumatoid.

Por sidomos përdorimi në sektorin ushtarak, ku përdorimi i tyre, sidomos ai i neodimiumit – nga raketat e kryqëzorëve, tek bombat inteligjente dhe në gamën shumë të gjerë e aparaturave të vizionit nokturn, të radarëve me hapje sintetike e atyre fotonikë të gjeneratës së fundit – është tashmë i domosdoshëm. Prandaj, që të kapesh në nivel botëror për të kontestuar kontrollin e këtij grupi mineralesh, është krejtësisht e kuptueshmme. Sidomos nëqoftëse kihet parasysh se tregu ka përfunduar në duart e Pekinit:  në dekadën e fundit kuota prodhuese e tij ka rezultuar më shumë se 90% e totalit botëror, anipse në 2018 nxjerrja kineze ka qenë me 120000 tonelata, në një prodhim global prej 166000 tonelatash, baraz me 72%. Gjë akoma edhe më preokupuese, drejtuesit e Pekinit duken të gatshëm që t’ ppërdorin “metalet e rralla” si një lloj “arme bërthamore tregtare”, sidomos në konfliktin aktual me rritje tarifash doganore të shpërthyer nga presidenca Trump, të cilit deri më tani Kina i është përgjigjur në masë të barabartë, por jashtëzakonisht të matur.

Në vijim të rritjes së radhës 10 majin e kaluar nga 10% në 25% të tarifave amerikanë në 200 miliard dollarë mallra “made in China”, Pekini ka njoftuar pak ditë më pas se do të miratonte “masat e nevojshme”: nga 1 qershori do të rriteshin me 25% tarifat e 2493 mallrave “made in USA”, për një vlerë prej 60 miliard dollarësh. Por mbi të gjitha ka shqiptuar për herë të parë në formë eksplicite kërcënimin për t’u ndaluar Shteteve të Bashkuara përdorimin e “metaleve të rralla”. Global Times (tabloid kinez i specializuar në politikën e jashtme dhe i kontrolluar nga Renmin Ribao, “Gazeta e Popullit”, organ zyrtar i Partisë Komuniste Kineze), ka botuar më 16 maj në seksionin ekonomik një artikull me titull mjaft domethënës: «Për “metalet e rralla” Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një as që është në dorën e Pekinit». Në të kujtohej sesi Uashingtoni ka kërcënuar rritje tarifore praktikisht mbi të gjithë importet nga Kina, përjashto “metalet e rralla”. Pse? Përgjigja është e lehtë: pa një furnizim të brendshëm të besueshëm, Shtetet e Bashkuara mund të mbështeten vetëm mbi “metalet e rralla” kineze për të ushqyer industritë e tyre me rëndësi strategjike. Dhe Kina kontrollon rreth 95% të prodhimit botëror të lantanideve.

Edhe sikur Shtetet e Bashkuara të vendosnin që të riaktivizonin në format të përshpejtuar nxjerrjen e “metaleve të rralla” të tyre për ta reduktuar varësinë nga tregu kinez, pohon e përditshmja kineze, për ta bërë do të duheshin shumë vite, një kohë mjaftueshëm e gjatë «që Kina të fitojë një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara, gjatë të cilës monopoli kinez mbi prodhimin e “metaleve të rralla” do ta ndihmojë Pekinin që të kontrollojë limfën jetike e sektorit high-tech amerikan». Kina mund ta shfrytëzojë në shumë mënyra asin në mëngë: duke vendosur një ndalim total për eksportimin e “metaleve të rralla” drejt Shteteve të Bashkuara; ose duke ua rritur çmimin si raprezalje ndaj tarifave të vendosura mbi prodhimet kineze. Ose, akoma, me pretekstin e frenimit të eksporteve të mëdha të paligjshme, duke vendosur një mekanizëm “gjetës” mineralesh të lidhur me një sistem të ngurtë autorizimesh eksporti herëpasëhere. Mbi të gjitha, duke marrë në konsideratë se «në një periudhë afatshkurtër përdoruesit amerikanë nuk do të jenë në gjendje të  gjejnë alternativa, kështu që do të detyrohen të pranojnë çmime më të larta». Kina, përfundonte Global Times, ka mundësi që nuk do të arrijë të zbatojë «ndalimin total e eksporteve për të shmangur një tension të lartë me Shtetet e Bashkuara, por nuk do ta anashkalojë mundësinë e ruajtjes dhe të maksimalizimit të interesave të saj».

Më 28  maj 2019 Renmin Ribao ka përdorur të njëjtit koncepte duke botuar një koment që ftonte Shtetet e Bashkuara që të reshtnin së përdoruri produktet kineze të teknologjisë së lartë në luftën tregtare në zhvillim. Referimi i drejtohej qartazi vendimit të administratës Trump për ta vënë kolosin Huawei dhe 70  kompanitë  e kontrolluara prej tij në “listën e zezë” të saj për arsye të “sigurisë kombëtare”, duke ju ndaluar kompanive amerikane (por indirekt edhe të gjithë të tjerave perëndimore që nuk do të donin të prekeshin nga sanksionet e frikshme ekonomike amerikane) të përdornin teknologjinë 5G e prodhuar nga kolosi kinez. Kjo do të thotë jo vetëm që Huawei nuk do të mund t’i shesë produktet e tij në Shtetet e Bashkuara, por edhe se nuk do të mund të blejë më komponentët deri më tani të shitur nga furnizues amerikanë.

Të nesërmen agjencia zyrtare e shtypit Xinhua e ka ritheksuar me më shumë vendosmëri paralajmërimin kinez me një editorial, të firmosur “An Bei”, që qysh nga titulli tingëllonte si një paralajmërim i prerë për Uashingtonin: «Mos guxoni të mendoni të përdorni produkte të bërë me “metale të rralla” për të vrarë rritjen e Kinës»! Përmbajtja e tij ishte akoma edhe më eksplicite në tone: «“Metalet e rralla” do të përdoren si armë raprezaljeje ndaj ndalimit amerikan? Përgjigja është e thjeshtë…Shtetet e Bashkuara e kanë mbivlerësuar aftësinë e tyre për të manipuluar zinxhirin e furnizimeve botërore (…) Shtetet e Bashkuara do të pendohen kur do të zgjohen (…) I këshillojmë Shtetet e Bashkuara që të mos e nënvlerësojnë aftësinë e Kinës për ta mbrojtur të drejtën për t’u zhvilluar dhe interesat e saj. Mos thoni se nuk ju paralajmëruam». I ka bërë jehonë akoma Global Times, sipas të cilës «reduktimi i eksportit të metaleve të rralla drejt Shteteve të Bashkuara është “një goditje inteligjente” kundër sanksioneve të vendosur nga Shtetet e Bashkuara, kundër represionit të Huawei dhe luftës tregtare Shtetet e Bashkuara – Kinë».

Lëvizja e fundit është parë si një raprezalje e Pekinit për kontrollet e vendosura ndaj eksporteve amerikane të teknologjisë së lartë drejt Kinës. Eksportimi i metaleve të rralla të Kinës duhet të rregullohet tani, kanë thënë shumë analistë. «Mund t’i shkaktojnë dëme të konsiderueshme industrisë ushtarake dhe teknologjike amerikane, duke qenë se “metalet e rralla” janë një material – kyç në prodhimin e çipëve, radarëve, fibrave optike, syzeve për të parë natën, sistemet e drejtimit raketor dhe blindaturave të gjeneratës së fundit për tanket (…) Mjafton të citohen disa kompani të mëdha amerikane si Apple, Qualcomm dhe Raytheon… [që] mund të vuanin shumë prej kundërmasave».

Që Kina e kishte seriozisht në aspektin e përdorimit politik të pozicionit të saj dominues në sektorin e nxjerrjes së “metaleve të rralla”, këtë e kishte demonstruar qysh nga viti 2010, kur bllokoi eksportimin e tyre drejt Japonisë pas shpërthimit të konfliktit lidhur me posedimin e Arqipelagut Senkaku/Diaoyu, faktikisht i pushtuar nga Tokio, por i reklamuar nga Pekini, ujërat e të cilit do të përmbanin rezerva të mëdha hidrokarburesh. Në vijim të një incidenti të ndodhur pranë këtyre ishujve, ku kapiteni i një peshkarexhe kineze u arrestua nga Marina japoneze pse kish shkelur ujërat e saj territoriale, mjaftuan disa muaj reduktimi drastik të furnizimeve me lantanid për ta vënë në vështirë të gjithë sektorin elektronik japonez, duke e shtyrë Tokion që t’i zbusë pozicionet e saj në konfliktin territorial.

Gjithmonë në 2010, lantanidet qenë në qendër të një kundërshtie tregtare ndërkombëtare, e shkaktuar nga vendimi kinez për t’i reduktuar me 40% kuotat e veta të eksportit, lëvizje e justifikuar me  arsye të ruajtjes së mjedisit. Kjo shkaktoi një rritje të shpejtë të çmimeve globale dhe preokupime në rritja nga  ana e vendeve perëndimore, të kulmuara në 2012 me paraqitjen e rastit përpara Organit të Pajtimit (Dispute Settlement Body) të Organizatës Botërore të Tregtisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, të shoqëruara nga Japonia dhe Bashkimi Europian. Organi i Pajtimit e dha vendimin e tij në 2014. Megjithëse duke e pranuar mundësinë nga ana e shteteve anëtare për të zbatuar kufizime të shkaktuara nga motive mjedisore, i kontestoi Kinës shkeljen e parimit të mosdiskriminimit, duke qenë se reduktimi i kuotave të eksportit i garantonte një sukses më të madh në treg dhe çmime më të favorshme për kompanitë kombëtare kineze.

Sipas Alberto Belladonna, Docent i Gjeo – Ekonomisë dhe Tregtisë Ndërkombëtare në Guatemalë, «Megjithëse duke zbatuar vendimin dhe eliminuar kuotat e vendosura më parë, Pekini ja ktheu energjikisht akuzat atij që i bënte, duke nënvizuar jo vetë faktin se kish tejkaluar kuotat e nxjerrjes të fiksuara dhe impaktin në rritje mjedisor derivues, por edhe “hipokrizinë” e kujt, pa u privuar nga resurset e veta, dëshiron të vazhdojë të shfrytëzojë në mënyrë ekonomike ato kineze». Por qëndrimi kinez, pohon sërish Belladonna, fsheh një ambicie të dyfishtë.

Nëpërmjet këtyre kufizimeve, në radhë të parë Pekini tenton që të shtyjë industritë kryesore perëndimore me përmbajtje të lartë teknologjike që t’i transferojnë produktet e tyre në Kinë. Në radhë të dytë këto masa duken funksionale për të ndihmuar zhvillimin e kompanive kineze sipas planit “Made in China 2025”, i miratuar nga Kryeministri Li Keqiang në vitin 2015. Bëhet fjalë për një projekt ambicioz, që synon të avancojë prodhimin kinez në zinxhirin e vlerës, duke e përqëndruar gjithnjë e më shumë në sektorët industrialë me vlerë të shtuar të lartë. Në mënyrë të veçantë e ka vënë objektivin që të arrijë të prodhojë në vend, brenda vitit 2025, 70% të materialeve të përfunduara strategjike për industrinë e së ardhmes, duke e bërë Kinën një vend lider në prodhimet me përmbajtje të lartë teknologjike. Do të jemi kështu të detyruar që të shikojmë të triumfojë teknologjia kineze falë edhe kontrollit monopolist të “metaleve të rralla”?

Në të vërtetë, situata është shumë më komplekse nga sa mund të duket në shikim të parë. Ndërkaq, nëse prodhimi i lantanideve, siç e kemi kujtuar, aktualisht është pothuajse një monopol kinez, diskutimi ndryshon po të kihen parasysh rezervat e sqaruara në nivel botëror.

Të përkufizuara nga United States Geological Survey (agjencia shkencore e qeverisë amerikane që studion resurset natyrore të veta dhe globale) si të “bollshme në mënyrë të moderuar”, ato shkojnë në një total prej 116.47 milion tonelatash. Megjithatë, prej këtyre Kina kontrollon rreth 44 milion (37.7%), e ndjekur nga Brazili me 22 milion (18.8%), nga Vietnami me rreth 20 milion (17.1%), nga Rusia me 17 milion (14.6%) dhe nga India me 6.9 milion (6.5%). N; perspektivë, këto shifra ravijëzojnë një skenar potencialisht shumë të ndryshëm nga kontrolli aktual absolut kinez: për Perëndimin, Shtetet e Bashkuara në krye (që disponojnë 1.9 milion tonelata), është e mundur të gjenden prodhues të tjerë pa u dashur t’u nënshtrohet shantazheve të mundshme nga ana e Pekinit. Sigurisht që do të duhet kohë për të vënë në prodhim rezervat e tjera të njohura, por nuk është përpara një shantazhi pa alternativa. Veç kësaj, megjithëse duke mbajtur në konsideratë hopin prodhues me mbi 166000 tonelata (+28.3%) të regjistruar më 2018, raporti me rezervat e asaj që nxirret në vit rezulton e vendosur në nivelin ngushëllues të mbi 700 herëve. Kjo do të thotë se në nivelet aktuale të nxjerrjes, “metalet e rralla” … sigurisht që nuk shfaqen më të tillë, nëse janë të destinuara që të zgjasin me plot 7 shekuj!

Rrallësia relative e tyre është e lidhur sidomos me faktin që, për t’i nxjerrë elementë të tillë, kërkohet një aktivitet i thelluar nxjerrës, me kosto të larta si në terma ekonomikë, ashtu edhe në ato mjedisorë, që pjesërisht i detyrohen edhe radioaktivitetit të shpeshtë të mbetjeve që krijohen nga përpunimi i tyre. Disponueshmëria e madhe (mbi 1/3 e vendburimeve aktuale të njohura), kostoja e ulët e krahut të punës dhe vëmendja e pakët (të paktën deri më tani) ndaj mbrojtjes mjedisore, gjitthsesi i kanë mundësuar në fakt Kinës që të shpartallojë çdo konkurrencë dhe të kontrollojë, sipas United States Geological Survey, midis 85% dhe 95% të ofertës botërore, falë importimit të “metaleve të rralla” të huaja për t’u përpunuar (ato amerikane në krye: për shembull, thuajse i gjithë prodhimi i vendburimit kalifornian Mountain Pass është dërguar në Kinë për rafinim).

Megjithatë Chris Berry, analist gjeopolitik dhe themelues i House Mountain Partners (kompani e specializuar në sektorin e menaxhimit të rezervave minerare), disa vite më parë parashikonte bile një fazë “optimiste”, duke hipotezuar një “axhustim të madh” të afërt. «Sot parashikimet e kërkesës për “metale të rralla” rikalibrohen … Në kontekstin aktual – me borxhin publik të lartë e Shteteve të Bashkuara dhe Europës, si edhe me sinjalet e ngadalësimit të rritjes edhe në Kinë – ka të ngjarë që edhe kërkesa për lantanidë të bjerë». Meritë edhe e investimeve të kompanive të tilla si Toyota dhe General Motors në kërkimin e alternativave të vlefshme ndaj metaleve të rralla që t’i përdorin për produktet e tyre, ashtu si edhe e vetëdijes se Kina jo vetëm që posedon vendburimet e lëndëve të para, por kontrollon pakashumë edhe të  gjithë zinxhirin prodhues. Vetëm një sektor, sipas Berry, nuk do të kujdeset për ekuilibrin midis kërkesës dhe ofertës: ajo ushtarake. Nëqoftëse ekziston mundësia e zëvendësimit pjesërisht e përdorimit të metaleve të rralla në mallrat e konsumit, ashtu siç nuk është për “produkte” si bombat me precizion (të ashtuquajturat “inteligjente”), që kanë nevojë për magnetë neodimiumi ferro – borium, lazerët dhe radarët, që falë këtyre mineraleve ofrojnë prezantime të paimagjinueshme vetëm pak vite më parë. Për arsenalet e vendeve më të përparuara këto metale do të mbesin gjithmonë…. të bollshëm.

(Paolo Migliavacca ka qenë Redaktor i Sektorit të Jashtëm tek “Mondo Economico”, më pas tek “Il Sole 24 Ore online” dhe tek “Il Sole 24 Ore”. Është ekspert çështjesh strategjike, ushtarake dhe energjitike)

Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close