“Jam i ligështuar. Nuk kuptoj se çfarë po ndodh, por këto janë situata të vështira”, ishin këto fjalët e Papa Françeskut në telefon me reporterin e TV 200. Gazetari kujton se Papa gjatë telefonatës i tha se kjo që po ndodh është një copëz e Luftës së Tretë Botërore. Hipoteza që mund të shpërthejë një Luftë e Re Botërore me përmasa shkatërruese, nisi të ngrihej pas bombardimeve të Francës gjatë mbrëmjes së djeshme.
Tanimë një gjë është e qartë: askush në planet nuk ndjehet i sigurt. Kjo mund të vërehet në rrjetet sociale. Pyetja e pjesës dërrmuese të njerëzve është “çfarë do të ndodhë tani?”.
Shqetësimi mund të lexohet edhe në sytë e prindërve. “Çfarë duhet t’u themi fëmijëve tanë?”. Frika e vërtetë nis pikërisht këtu: Të mos arrish të përballësh jetën e përditshme me qetësi. Bashkuar me paaftësinë për të menaxhuar si duhet frikën. Fakti që e vërteton këtë është paniku pas shpërthimit të një fishekzjarri në Paris, në Sheshin e Republikës.
Jo rastësisht, në rrjetet sociale prej disa ditësh çmimet e biletave shiten me ulje. Askush nuk dëshiron të jetë në nje vend me shumë njerëz, frika ekziston gjithandej. Gjithë këto sinjale janë shqetësuese sepse jemi të ndërgjegjshëm se kemi përballë një armik të padukshëm: mund të jetë fqinji ynë, ose ai që sjell gazetat. Sepse ajo që tremb më shumë është fakti se terroristët e Parisit ishin qytetarë francezë, ashtu si mund të jenë italianët, gjermanët, apo çdo komb tjetër që ka pritur emigrantë. Të luftosh një armik është e vështirë, por të përballesh me një armik që është maskuar si vëllai yt është e pamundur./ Përgatiti Amarildo Lumani/TemA