BotaMAIN

Lufta është “bijë” e tiranisë, kushdo që dëshiron ta kundërshtojë atë duhet të luftojë tiranët

Nga Alexey Navalny

“I pandehuri Navalni, mund të bëni deklaratën tuaj të fundit!”. Nëse do të më jepnin para sa herë që do ta dëgjoja këtë frazë, do të isha i pasur shumë kohë më parë, madje edhe me zhvlerësimin e rublës. Madje e pohoj se të gjitha këto deklarata “të fundit” më argëtojnë.  “Nëse është e vërtetë deklarata e fundit, pse ai vazhdon të flasë, të flasë, të flasë e të flasë?”-

do të mendojë logjikisht shumëkush. Unë dua të jem i sinqertë: në fillim të këtij procesi mendova seriozisht që të heq dorë nga deklarata ime e fundit. Edhe sa herë mund të jetë e fundit? Pastaj vendosa ta bëj gjithsesi, dhe kjo sepse “deklarata e fundit” është në fakt diçka e pazakontë.

E çfarë shkruajnë për ditën e fundit të hapjes së një dyqani? “Nuk ka shitje, por likuidim të mallit!”. Ndaj shumë njerëz hyjnë atje dhe blejnë diçka. Po kështu, edhe deklarata e fundit është një mundësi për t’i treguar të gjitha duke e ditur se do të ketë më shumë njerëz që do të dëgjojnë atë që do të thuash.

Prandaj unë do të bëj deklaratën time të fundit. Më lejoni ta filloj me një lloj përgjigjeje. Sepse në thelb këto procese gjyqësore janë një lloj dialogu mes meje dhe shokëve të mi dhe juve që e keni pushtetin. Nëse themi: “Ne po e bëjmë këtë”, ju thoni: “Epo, kjo dënohet me 5 vite burg”.

Ne kundërpërgjigjemi: “Kjo do të thotë që ne do ta bëjmë këtë”, dhe ju: “Shumë mirë, do t’iu japim një dënim tjetër”. “Nuk do të na ndaloni sot!”. “Ekstremistë!”. Ky është toni i bisedës. Prandaj, përfitoj nga deklarata ime e fundit për t’i njoftuar zyrtarisht ata që besojnë se për shkak të izolimit tim të gjatë, Fondacioni Kundër Korrupsionit do të ndalojë apo ngadalësojë punën e tij, se e gjithë kjo nuk do të ndodhë kurrë.

Puna e fondacionit jo vetëm që nuk do të ndalet, por përkundrazi do të ketë një shtrirje globale. Ne do të realizojmë edhe më shumë dokumentarë, akoma më shumë hetime dhe do të demaskojmë akoma më shumë njerëz që e pengojnë vendin tonë të jetojë. Kjo është arsyeja pse Fondacioni Kundër Korrupsionit vetëm do të rritet, derisa të bëhet ndërkombëtar.

Dhe tani të vijmë tek procesi. Ai ka një veçori të rëndësishme: është shumë ndryshe nga të gjithë të tjerët. Jo për arsye proceduriale, apo sepse ndodh gjatë kohës që jam në burg, apo edhe për dënimin jo-proporcional që është kërkuar. Gjithashtu sepse me gjithë respektin e duhur, procesverbali i gjykimit i mbajtur në gjykatën e Chimki është një farsë.

Atje unë kisha mbi kokë portretet e Jezhov dhe Yagoda. Një çmenduri. Megjithatë, ky proces ka një veçori të paprecedentë. Askush nuk shqetësohet për të. Jo se nuk ka audiencë, por për shkak të luftës në Ukrainë interesi po bie.

Për të arritur në qelinë time, duhet të kaloj të ashtuquajturën “pika e kontrollit”. Aty ku duhet të zhvishesh, të heqësh gjithçka nga trupi. Dhe ku të kontrollojnë imtësisht. Unë i nënshtrohem të paktën 4 herë në ditë një kontrolli të tillë. Madje edhe 8 herë kur pauzat shumëfishohen.

Dhe duke qenë se të gjitha qelitë janë të zëna, shpeshherë përfundoj në zyrën që ndodhet prapa këtij muri, që është shkolla e burgut, klasa e gjuhës dhe letërsisë ruse. Dhe në klasën e gjuhës dhe letërsisë ruse ju kërkojnë: çdo ditë, madje disa herë në ditë.

Atje Buratinkin (një gardian) më merr të brendshmet dhe i kalon nëpër një detektor metali. Ndërkohë unë tërësisht lakuriq ia ngul sytë murit, prej nga më shikon Lev Tolstoi, një rus

i madh që ka shkruar shumë për luftërat dhe që ka thënë shumë gjëra të drejta. Në një nga këto thënie Tolstoi thotë: “Lufta është ‘bijë’ e tiranisë. Kushdo që dëshiron ta kundërshtojë atë, duhet të luftojë tiranët”. / “Linkiesta”

 

Back to top button