Bota

Lufta hibride, ja si Wagner Group po përdor emigrantët për të përçarë Italinë dhe Perëndimin

Nga Federico Capurso

“Worldcrunch”

Debati politik mbi emigracionin në Itali u rindez disa javë më parë pas mbytjes së një anije vetëm 200 metra larg brigjeve kalabreze që vrau 80 njerëz, përfshirë 33 fëmijë. Që nga fillimi i këtij viti, më shumë se 20.000 njerëz kanë mbërritur në Itali përmes detit, një shifër kjo 3 herë më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Qeveria e djathtë e kryeministres, Giorgia Meloni, ka dhënë shpjegime të shumta për rritjen e trafikimit të qenieve njerëzore, të cilat tani përfshijnë edhe mundësinë që grupi i mercenarëve rusë, Wagner Group, të jetë përgjegjës për flukset e shtuara.

Ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto deklaroi në fillim të kësaj jave se ardhjet e emigrantëve nga Afrika e Veriut në Itali mund të jenë “gjithashtu, në një masë jo të vogël, pjesë e një strategjie luftarake hibride të Wagner Group, që po shfrytëzon peshën e tij të konsiderueshme në disa vende afrikane”. Edhe Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, shprehur dyshimin e tij se Wagner Group po provokon enkas një valë të re të madhe të imigrimi të paligjshëm drejt Evropës.

Ndikimi i Moskës në Afrikë

Wagner Group është një kompani private në shërbim të qeverisë ruse, e përbërë nga ish-ushtarakë, ish-policë dhe ish-zyrtarë të sigurisë, e cila po lufton aktualisht në fronte të ndryshme të luftës në Ukrainë, veçanërisht në rrethimin e qytetit Bakhmut.

Megjithatë, Wagner nuk po lufton vetëm në Ukrainë. Vitet e fundit, mercenarët e këtij grupimi janë angazhuar në disa luftëra ku Rusia kishte interes që të ndërhynte, në vendet afrikane dhe të Lindjes së Mesme si Libia, Mali, Republika e Afrikës Qendrore dhe Siria.

Prej shumë vitesh tashmë ofron siguri dhe mbrojtje për qeveritë lokale në Afrikë. Edhe udhëheqësi ushtarak i Libisë, koloneli Khalifa Haftar, i ka mikpritur prej kohësh mercenarët rusë dhe nuk duket se dëshiron që t’i asgjësojë ata, pavarësisht presionit të kohëve të fundit nga CIA.

Një teori pjellë e fantazisë?

Rreziku i një lufte hibride që e përdor si armë emigracionin e paligjshëm ishte përmendur tashmë disa muaj më parë nga Partia Demokratike e qendrës së majtë në Itali dhe Komisioni Parlamentar për Sigurinë e Republikës. Por në atë kohë shumë figura nga e djathta nisën të talleshin duke e quajtur atë një teori “pjesë të fantazisë”.

Sepse perspektiva e afërt e e rreth 680.000 emigrantëve të gatshëm për t’u nisur drejt brigjeve italiane – siç pretendojnë shërbimet sekrete italiane – e frikëson shumë qeverinë dhe gjithçka befas bëhet më serioze. Crosetto (që nuk ishte ndër ata që dyshuan tek kjo tezë) po bën tani thirrje që “Bashkimi Evropian, NATO dhe Perëndimi” t’i kushtojnë më shumë vëmendje “frontit të Evropës Jugore”.

Sepse sipas tij “migrimi i pakontrolluar dhe i vazhdueshëm, duke i shtuar krizën ekonomike dhe atë sociale, shndërrohet në një mënyrë për të goditur Italinë dhe zgjedhjet e saj të qarta”, sikurse është ndihma ndaj rezistencës ukrainase. Dhe nëse Italia lihet vetëm, Crosetto paralajmëron se “ekziston rreziku i plasaritjes së Aleancës Atlantike”.

Reagimi i Prigozhin

Duke iu përgjigjur drejtpërdrejt deklaratave të Ministrit italian të Mbrojtjes, kreu i milicisë Wagner, Yevgeny Prigozhin, që fillimisht e quajti Crosetton një “trap”, u shpreh: “Ai duhet të shikojë më pak në drejtime të tjera dhe të kujdeset për problemet e tij, të cilat ndoshta nuk arriti që t’i zgjidhte”.

“Ne nuk kemi informacione se çfarë po ndodh me krizën e migracionit. Ne nuk po merremi fare me të, pasi kemi shumë probleme tonat”- theksoi ai. Por qeveria italiane nuk merr fare për bazë distancës publike nga kreu i Wagner Group, dhe ndërsa partnerët në koalicionin e djathtë në qeverinë Meloni, grinden se kush duhet të jetë përgjegjës për kontrollin e flukseve të migracionit, dekretet e shpallura deri më tani duket se vetëm sa e përkeqësojnë situatën.

Në të ardhmen e afërt, një ndihmë e vogël mund t`i vijë Italisë nga Bashkimi Evropian, që aktualisht po vendos mbi dy lloje masash të menjëhershme operacionale në lidhje me strategjinë për menaxhimin e kufijve evropianë për 5 vitet e ardhshme dhe për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm, duke përdorur Sistemin e Ri të Informacionit Shengen.

Back to top button