Ekonomi

“Lufta me prokurë” që luftohet në Athinë

Në Greqi është duke u luftuar një luftë me prokurë si në Vietnamin e viteve 60, në këtë rast pa gjakderdhje, duke pasur parasysh periudhën e trazuar elektorale evropiane, që përfshin zgjedhjet e përgjithshme në Holandë më 15 mars, pasuar nga zgjedhjet presidenciale në Francë në dy raunde, në prill dhe maj, dhe në fund zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani në shtator.

Athina dhe qeveria e koalicionit e të majtës radikale dhe të djathtës nacionaliste, duhet t’u thotë po masave të reja shtrënguese që FMN-ja kërkon, për të arritur objektivat kryesore. Ngërçi midis FMN-së dhe eurozonës zgjati dy vjet, teksa asnjë prej dy palëve nuk dukej e gatshme të tërhiqej nga pozicionet e veta, një periudhë gjatë së cilës FMN, i cili me statut duhet t’u japë para hua vendeve me borxh të qëndrueshëm, nuk ka marrë pjesë në asnjë shpenzim parash, por vetëm ka arkëtuar kredi që skadonin. Dje më në fund arriti një marrëveshje për të ruajtur objektivin prej 3.5% të tepricës primare, asnjë reduktim të borxhit që arrin tek 179%-shi i PBB-së, por me masa të reja shtrënguese në vlerën 3.6 miliard euro, si kompensim për shkurtimet e parealizuara, si dhe reduktim të objektivave të tepricës. Të gjitha në kurriz të Greqisë.

Në Athinë luftohet prej shtatë vitesh një “luftë me prokurë”, kupërballen dy mënyra ideologjike thellësisht të ndryshme për të trajtuar krizën dhe ekonominë botërore: nga njëra anë janë mbështetësit kursimit dhe vënies në rregull të llogarive, i ashtuquajturi ordoliberalizmi gjerman; nga ana tjetër përfaqësuesit e teorive Keynesiane dhe vlerës së rolit të investimeve publike në ekonomi, në kohë të vështira. Përkufizimi “luftë me prokurë” për Greqinë është i Angel Ubides, një ekonomist në Institutin Peterson në Uashington. Ubide thotë se në Greqinë e vogël, e cila ka njëmbëdhjetë milionë banorë dhe zë 3% të PBB-së evropiane, po luhet ndeshja e thyerjes së Euros, që do të sillte fundin e parimit të pathyeshmërisë së saj, siç parashikohet në Traktatet Evropiane. Greqia u bë një simbol dhe një paralajmërim për vendet e tjera të eurozonës, me llogaritë e rrëmujshme. Në thelb, si shkruhej në një studim të bankës amerikane të investimeve JPMorgan në raportin e vitit 2015, presioni mbi Greqinë dhe qeveritë e saj shërbente si një paralajmërim për vendet e tjera evropiane, sipas dëshirës së BErlinit.

Në bazë të kundërvënies mes dy kredidhënësve më të mëdhenj të Athinës është fakti që FMN dhe Komisioni Europian ishin thellësisht në mosmarrëveshje mbi perspektivat e ekonomisë greke. Brukseli, në fjalët e Jeroen Dijsselbloem (president i Eurogrupit) ka thënë se Fondi ishte “shumë pesimist” mbi rritjen ekonomike. FMN, që ishte më optimist në fillimet e programit të shpëtimit, sot thotë se Greqia nuk do të jetë në gjendje që të paguajë borxhet dhe thotë se borxhi i saj do të bëhet “shpërthyes” në vitin 2022. /www.bota.al

Show More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close