Patrick Cockburn
Të gjitha luftërat çojnë në rritje të urrejtjes, por lufta në Gaza, edhe pse e vogël në pikëpamje ushtarake, ka gjasa të ketë provokuar më shumë urrejtje se çdo konflikt tjetër që nga viti 1945.
Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, lufta 15-mujore ka injektuar një dozë kaq të madhe urrejtjeje helmuese në marrëdhëniet mes Izraelit dhe palestinezëve, sa që garanton një të ardhme të shenjuar vetëm nga dhuna.
Armëpushimi, që pritet të hyjë në fuqi, është i brishtë dhe ka pak gjasa të zbatohet plotësisht pa mbështetje të madhe nga SHBA.
Egërsia e konfliktit ka qenë groteske dhe mbeti e tillë deri në momentin e fundit, me 101 persona në Gaza, përfshirë 27 fëmijë dhe 31 gra, të vrarë dhe 264 të plagosur nga sulmet izraelite, që nga shpallja e marrëveshjes së armëpushimit të mërkurën, sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile në Gaza.
Kjo ka qenë një luftë e zhvilluar përmes masakrave, fillimisht nga Hamasi me sulmin e tij ndaj Izraelit, ku u vranë 1,200 izraelitë më 7 tetor 2023, dhe më pas nga Izraeli gjatë muajve pasues, ku janë vrarë të paktën 46,000 palestinezë.
Politikanët dhe analistët perëndimorë tani po diskutojnë mbi mundësitë për të rënë dakord dhe për të zbatuar fazat e dyta dhe të treta të armëpushimit. Por një marrëveshje e tillë, nëse ndodh, do të jetë shumë e paqëndrueshme dhe do të ndërtohet mbi rërë të përgjakur. Poeti i madh anglez John Milton e shpjegonte diku pse kjo ishte e pashmangshme 350 vjet më parë tek “Parajsa e Humbur”, duke shkruar se urrejtja e fortë e frymëzuar nga lufta e bën të pamundur shpresën për kompromis:
“Sepse kurrë nuk mund të arrihet pajtim i vërtetë / Aty ku plagët e urrejtjes vdekjeprurëse kanë shpuar kaq thellë”.
Milton, që kishte përjetuar Luftën Civile Angleze, e kuptonte këtë në një mënyrë që Joe Biden dhe zyrtarët e tij të lartë nuk e bëjnë. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dha kohët e fundit një intervistë plot vetëlavdërime, ku tha se administrata i kishte arritur në një masë të madhe qëllimet e saj, për të parandaluar një tjetër sulm si ai i 7 tetorit ndaj Izraelit, për të ndaluar një luftë rajonale dhe për të mbrojtur civilët në Gaza.
Naiviteti i Blinken-it është i rrezikshëm. Duke refuzuar të përdorë ndikimin e SHBA-së mbi Izraelin – përmes kontrollit mbi furnizimin me armë – administrata e Biden-it i lejoi makinerisë izraelite të luftës të shkatërronte pa kufi. Kjo ka qenë lufta më mizore dhe do të minojë çdo mundësi për paqe të vërtetë. Biden dhe Blinken tingëllojnë të shkëputur nga realiteti ndërsa mbajnë fjalime përmbyllëse.
Aftësia e Biden-it për të ndalur luftën në çdo moment konfirmohet nga fakti se kjo marrëveshje paqeje është pothuajse e njëjtë me atë që ai propozoi në majin e kaluar dhe që u refuzua nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Por sapo ajo mori mbështetjen e vendosur të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, i cili tha disa fjalë të ashpra dhe shpuri një të dërguar që nuk u dorëzua përballë Netanyahu-t, kundërshtimet izraelite nuk ishin më një pengesë.
Tragjedia është se kjo mund të kishte ndodhur tetë muaj më parë, në mos një vit më parë, dhe dhjetëra-mijëra njerëz do të ishin ende gjallë dhe të padëmtuar.
Mund të duket e habitshme, që një politikan aq pro-izraelit sa Trump të shtynte Izraelin drejt një armëpushimi. Por ajo që kemi parë gjatë ditëve të fundit është një kthim te politika tradicionale amerikane, e shfaqur në luftërat e mëparshme mes Izraelit dhe palestinezëve, me SHBA-në që mbështet dhe njëkohësisht frenon Izraelin. Në vitin 1982, Ronald Reagan i bërtiti në telefon kryeministrit të atëhershëm, Menachem Begin, duke i kërkuar të ndalonte bombardimin e Bejrutit.
Analistët tani do të hartojnë lista të fituesve dhe humbësve nga lufta e Gazës, edhe pse ajo nuk ka përfunduar ende. Në konfliktin Izrael-Palestinë gjithmonë ka një raund tjetër, sepse, kur ndalon lufta, do të ketë ende shtatë milionë palestinezë dhe shtatë milionë hebrenj izraelitë që jetojnë midis lumit Jordan dhe Mesdheut. Nëse Hamas do të zhdukej nesër, gjë që nuk ka shenja se do të ndodhë, kjo situatë do të mbetej e pandryshuar.
Izraeli ka përdorur me sukses fuqinë e tij ushtarake në Gaza, Liban, Siri, Iran dhe Jemen, por, ashtu si në të kaluarën, ka vështirësi ta kthejë fitoren ushtarake në dobi politike të përhershme. Një synim i paarritshëm i Izraelit në këtë luftë ishte eliminimi i Hamasit, por ai sapo ka rënë dakord për një marrëveshje armëpushimi me këtë organizatë. Ai pretendon se ka dobësuar Hamasin, por justifikimi i tij i përditshëm për numrin e tmerrshëm të viktimave civile në Gaza, të shkaktuara nga bombardimet e Izraelit, është se po vë në shënjestë qendrat komanduese të Hamasit, që do të thotë se ato janë po aq të shumta, sa ishin edhe kur filloi lufta.
Hamasi pretendon se qëllimi i tij më 7 tetor ishte të parandalonte që çështja palestineze të harrohej ose të injorohej në një kohë kur SHBA po kërkonte një marrëveshje sigurie mes Izraelit, Arabisë Saudite dhe vetes. Masakra ishte tmerrësisht e suksesshme në vërtetimin se çështja palestineze është në qendër të politikës së Lindjes së Mesme, megjithëse me një kosto të tmerrshme për palestinezët e zakonshëm. Ajo hodhi poshtë mantrën e Benjamin Netanyahut gjatë çerek shekullit të tij të dominimit në politikën izraelite, që Izraeli nuk kishte nevojë të bënte kompromis me palestinezët për të pasur siguri.
Netanyahu mund të pretendojë me të drejtë se e ka bërë Izraelin më të fuqishëm në Lindjen e Mesme se kurrë më parë, duke shkaktuar disfata për Hezbollahun në Liban dhe duke ndihmuar në mënyrë indirekte për të rrëzuar Bashar al-Assadin në Siri. Fuqia ajrore izraelite ka goditur kollaj objektiva, nga Teherani në Sana në Jemen.
Peizazhi politik i Lindjes së Mesme ka ndryshuar në mënyrë dramatike në favor të Izraelit dhe SHBA-së dhe kundër Iranit dhe Rusisë.
Por Izraeli i madh nuk është ekzaktësisht superfuqia e re rajonale. Sukseset e tij ushtarake varen nga mbështetja e plotë dhe e paparë e Amerikës. Nën një Trump të paparashikueshëm, i cili nuk i pëlqen luftërat – ai nuk filloi asnjë gjatë mandatit të tij të parë – ky angazhim amerikan mund të ndryshojë.
Ajo që po shohim në Lindjen e Mesme është një rritje e aftësive ushtarake izraelite, por edhe një zbrazëti pushteti në Siri dhe Liban, të cilin Izraeli nuk mund ta mbushë. Rajoni është shumë më i paqëndrueshëm dhe më i rrezikshëm se kur mori detyrën Bideni. Trumpi mund të dëshirojë një pakt sigurie mes SHBA-së, Arabisë Saudite dhe Izraelit. Por qeveritë arbitrare, të mbrojtura nga forca të pamëshirshme të policisë sekrete, duhet ta marrin parasysh deri diku opinionin publik.
Arabët dhe myslimanët, bashkë me pjesën tjetër të botës, kanë kaluar muaj të tërë duke parë në ekranet e tyre trupat e fëmijëve palestinezë që nxirreshin nga rrënojat e Gazës. Asnjë marrëveshje sigurie e sponsorizuar nga Trumpi për Lindjen e Mesme nuk do të funksionojë, pa lëshime nga Izraeli ndaj palestinezëve.
Gjaku i derdhur për një kohë të gjatë në Gaza ka pasur një ndikim toksik në qëndrimet ndaj Izraelit kudo në botë. Një sondazh i YouGov në korrik tregoi se vetëm 8 deri në 14 për qind e evropianëve perëndimorë mendonin se Izraeli nuk kishte kryer krime lufte në Gaza. Rreth 54 për qind e britanikëve mendonin se Gjykata Penale Ndërkombëtare duhet të lëshonte një urdhër arresti ndaj Netanyahut. Në SHBA, një sondazh më i fundit i YouGov tregon se nga 19 milionë njerëzit që votuan për Biden-in në 2020, por jo për Kamala Harris në 2024, 29 për qind përmendën Gazën si arsyen kryesore për të mos e mbështetur atë.
Për Izraelin, fushata e tij në Gaza ka qenë një fitore ushtarake – por një katastrofë politike e shkaktuar nga vetë ai. / The Independent – Bota.al