BotaMAIN

Lule, kore dhe fyerje. Dy Amerikat para spitalit të Trumpit

Vetëm një përshëndetje me dorë: sa për të emocionuar fansat që kanë qendruar pa pushim, që të premten, në Qendrën Mjekësore Ushtarake “Walter Reed”, ku Donald Trump është i shtruar prej Covid-19. “Nuk kam pasur dyshime, ai është shumë i fortë” thotë i prekur prekur Dawn Dincher, njëri prej tyre. Ka kaluar ora pesë e pasdites kur presidenti largohet nga dhoma e spitalit, një suitë super e pajisur, nga ku sapo kishte hedhur në Twitter një video për të falënderuar mbështetësit: “Ju jeni patriotë të vërtetë, shumë shpejt do t’ju bëj një vizitë të befasishme”. Askush, megjithatë, nuk priste ta shihte pak çaste më vonë, hipur në “bishën”, SUV të blinduar, me një maskë në fytyrë, i shoqëruar nga një mjek dhe një truprojë, për t’u treguar fansave dhe botës: është ende në garë. Një lëvizje e befasishme: i ndjekur nga vetëm dy makina shoqërimi dhe pa paralajmëruar grupin e gazetarëve që zakonisht mbulojnë çdo lëvizje të tij.

“Nëse vazhdon të përmirësohet kështu, presidenti do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë sa më herët të hënën dhe do të vazhdojë trajtimin nga atje,” tha pulmonologu Brian Garibaldi disa orë më parë, gjatë konferencës për shtyp në shkallët e spitalit. “Presidenti kishte nevojë për oksigjen, por tani ai është ngritur dhe ndihet mirë,” thanë mjekët, duke shpjeguar se Pacientit Nr. 1 po i jepet Dexamethasone, një anti-inflamator steroid i rekomanduar në raste kritike.

“Presidenti është një punëtor i vërtetë, ashtu si mjekët dhe infermierët. E dinte që rrezikonte, por nuk u fsheh si Bideni. Jemi këtu për ta mbështetur”, thotë Dincher, i cili ka ardhur nga Hampstead, një orë me makinë, bashkë me mbesën 18 vjeçare Karissa dhe një tufë me lule, të cilat i vendos tek hyrja e klinikës. Mbajnë t-shirt dhe syze dielli, kanë flokë shumë të gjatë dhe bjondë, dhe ashtu si shumë të pranishëm bëjnë foto me spitalin pas shpine. Më pas, ngrejnë një karton ku kanë shkruajtur: “Je presidenti i njerëzve”, dhe i bashkohen turmës së vogël që thërret: “Edhe katër vjet!”

Ndërkohë përgjatë Rockville Pike, të tjerë bëjnë karuzelë me makina dhe u bien borive. “Jo, sëmundja e presidentit nuk do të më bëjë të ndryshoj zakon”, pohon Antonio Perez, 52 vjeç, mekanik me origjinë kubane dhe që mban fytyrën e Trumpit të stampuar në bluzë, por pa maskë. “Nëse virusi ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë, mund ta marrë gjithësecili prej nesh”. Të tjerë që e kanë maskën, e ulin kur të flasin. “E përdor sepse është e detyrueshme, por nuk bën punë”, thotë Kristina Dang, 60 vjeç. “Jam vietnameze, në Amerikë kam ardhur në vitin 1975. Nga Reagani e këtej kam votuar gjithmonë republikanët. Jam antikomuniste. Dhe Bideni është socialist. Kërkon të shtrijë kujdesin shëndetësor edhe për klandestinët. Unë jam pro imigrantëve: por vetëm ata të ligjshëm, si unë”.

Ndërhyn Melissa Pike, 72 vjeç, me një karton ku ka shkruajtur “Ndal abortit”: “Bideni është një gënjeshtar. Gjatë debatit nuk e përballonte dot vështrimin e Trumpit. Virusi është i vërtetë, por mjafton të lash duart… Dhe mjekët dijnë si ta kurojnë”. Kur vjen Gavin McINnes, themelues i organizatës së ekstremit të djathtë Proud Boys, e presin si një yll rroku: “Gavin, Gavin”, thërret turma e vogël. Ai mbështillet me flamurin amerikan, qëndron 10 minuta dhe largohet, pa i thënë as edhe një fjalë mediave.

Kundërshtarët, rreth pesëdhjetë, ndodhen në anën tjetër të rrugës. Nuk ka nevojë për pengesa që të ndajnë dy grupet. Rockville Pike, arteria me katër korsi përpara spitalit ka shumë trafik: dhe nëse do të kalosh rrugën, është e rrezikshme. Një vajzë e re e provon me biçikletë. Me një bluzë ku shkruhet Biden-Harris 2020, u shkon mu përballë mbështetësve të Trumpit. “Shpresoj të vdesë, siç ndodhi me 200 mijë amerikanë”. Fillojnë menjëherë fyerjet. Në fund, është një polic që e bind të largohet. “Jam këtu, sepse jetët e zezakëve janë të rëndësishme dhe jo vetëm kur bëhet fjalë për dhunën e policisë. Virusi ka goditur komunitetin tim, më shumë se çdo tjetër. Thonë se vjen nga fakti që ne jemi më të prirur për sëmundje si diabeti. E vërteta? Jemi thjesht më të varfër”, thotë e indinjuar Laquanna Young, 32 vjeç. “Punoj si asistente sociale, ta dini se sa histori tragjike di unë”.

I bën jehonë Bruno Regio, student i mjekësisë, 23 vjeç, ndërkohë që nga celulari vendos një këngë rrep ku përsëriten fjalët “Fuck Trump”: “Eshtë e lehtë të thuash në video, ‘jam njëri prej jush’, kur ke kurat më të mira dhe 10 mjekë vetëm për ty”. / La Repubblica – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button