“Gjëja më e rëndë është që pilotët rusë u masakruan nga turkomanët, një popullsi që banon në Siri, me origjinë turke dhe që mbështet qeverinë e Ankarasë”
Politologu amerikan, Edward Luttwak analizon skenarin botëror pas rrëzimit të avionit rus nga ana e Turqisë. “Ky është ndoshta fillimi i konfliktit mes Turqisë dhe Iranit. Teherani është autori i strategjisë së Assadit. Për Iranin, presidenti i Sirisë është thelbësor, ashtu sikurse edhe Hezbollahu. Si edhe boshti shiit. Rusët tani hyjnë në Siri për të mbështetur Assadin dhe turqit rrëzojnë një avion rus. E gjithë kjo do të çojë në një luftë mes Turqisë dhe Iranit, përshkallëzimi ushtarak ka nisur dhe konflikti është tashmë shumë pranë. Qeveria iraniane është bërë edhem ë fanatike pas marrëveshjes me SHBA mbi bërthamoren: kanë arrestuar shumë njerëz, kanë lëshuar një raketë balistike dhe kanë dërguar forca ushtarake në Siri, që mbështesin qeverinë e Assadit. Presidenti i Sirisë kërkon vdekjen e çdo suniti dhe për të fituar, duhet ta arrijë këtë objektiv. Turqia është gjithnjë e më pak europiane, dhe gjithmonë e më shumë myslimane, me këtë parti islamike në pushtet”, ka thënë Luttwak.
Çfarë duhet të bëjnë në këtë situatë, SHBA dhe Bashkimi Europian? Luttwak nuk ka asnjë dyshim. “Duhet të rrijnë jashtë dhe t’i lënë ‘të dëfrejnë’ mes tyre. Çdo përpjekje për të kërkuar aleatë në Lindjen e Mesme do të ishte e gabuar. Në këtë pikë, në Lindjen e Mesme nuk ka më aleatë”.
Dhe a është në rrezik Izraeli? “Izraeli është një vend që ka qenë në rrezik shumë vjet më parë, kur ishin ushtritë e mëdha arabe. Tani ka vetëm probleme policie, por jo ushtarake”. Megjithatë, Turqia është në NATO dhe kjo sigurisht që duhet të mbahet parasysh… “Turqia e ka tradhëtuar NATO-n në tre vitet e fundit, kur refuzoi të bashkëpunojë dhe e ka lejuar Shtetin Islamik të forcohet, duke i blerë naftën. Ankaraja e ka bërë Shtetin Islamik të fuqishëm, dhe ndërkohë që amerikanët armatosin kurdët, të cilët luftojnë ISIS-in, turqit i bombardojnë. Nëse Erdogani do të bënte apel NATO-s, do të merrte një refuzim, si përgjigje. Shtetet e tjerë të Aleancës së Atlantikut do të përgjigjeshin gjithashtu ashpër”. Il Giornale/Bota.al