AnalizaMAIN

Macron dhe Starmer, mbretërit e rinj të rrëzuar, me nostalgjinë për madhështinë

Macron dhe Starmer nuk pranojnë melankoli. Mendojnë ta kompensojnë pavlefshmërinë e vendeve të tyre përballë kolosëve të vjetër dhe të rinj (India, madje edhe India!) me një makiavelizëm të lirë dhe një shkencë mashtrimesh të kopjuar nga e kaluara. Për Europën, mbështetja te këto iluzione të çala të këtyre mbretërve të rrëzuar, mund të jetë një gabim fatal

Domenico Quirico

Ja tek janë! Punojnë në çift, ia kalojnë njëri-tjetrit stafetën në ironi, dhe manovra të fshehta dy mjeshtrit e zellshëm: samit urgjent në Paris… Shumë urgjent! Rishihemi në Londër… Shumë shumë urgjente!

Komandat e Larta të thirrura në raport tek ne… Vullnetarë, të paepur, jetimë të Trump-it, mjaft me zvarritjen, është momenti për të vepruar në mënyrë të ekzagjeruar, koha e “angazhimeve të palëkundura”, e “forcave penguese”, për “të marrë përgjegjësinë për sigurinë edhe të fqinjëve!”

I sheh, Macronin dhe Starmerin, teksa shtrëngojnë duart me grupin që kanë ngritur, një grup të mërziturish, të përtuarish, fytyra që mezi presin të bëjnë fotografinë e grupit dhe pastaj të ikin për t’u marrë me gjëra serioze në vendin e tyre, taksat, inflacionin, etj…

Dhe megjithatë janë pikërisht këta tridhjetë të hutuar që Dyshja do të donte t’i rebelonte kundër monopolizmit tiranik të të Mëdhenjve – Trump, Putin, Xi – duke i treguar triadën e përbindshme, zemërimit të një turme të gatshme t’u bindet urdhrave të Entente cordiale-s së re: na i lini neve, dhe nesër gjithçka do të ketë mbaruar, pushtimet, abuzimet, taksat – dhe Europa do të komandojë sërish!

Do të ishte një kauzë e mirë, nëse nën retorikën e atdheut të përbashkët nuk fshiheshin inatet e tyre të papjekura dhe egoiste, projektet për pasurim të shpejtë, vaniteti i pakufishëm.

Po t’i dëgjosh, armëpushimi është një mallkim, lufta e përgjithshme është pas dere, Legjioni dhe komando-t e madhërisë së tij duhet të ishin tashmë duke marshuar përgjatë Dnipros për t’u vënë “kapistallin” telashlendjellësve të Moskës.

E kupton vazhdimisht përsëritjen pa fund të rrënimit franko-britanik, të presionit të madh të pafuqisë së maskuar si politikë, që rrjedh, degëzohet dhe përhapet si uji qëpërmbyt. Duan të imitojnë Churchillin dhe De Gaullen, por ngjajnë më shumë me Stenterellon dhe Pulçinellën.

Jemi dëshmitarë të një shfaqjeje të rrezikshme nga dy doktrinarë pa mjete, të mësuar të ndryshojnë dhe tradhtojnë doktrinat e veta sipas rastit: predikojnë anti-laburizmin dhe duan të eksportojnë migrantët në Katanga, u heqin ndihmën për ngrohje tetëdhjetëvjeçarëve të varfër për të ndërtuar topa, bëjnë zhurmë kundër tiranit të Moskës dhe pastaj përdorin maskarenj të ulët si ndërmjetës për të mbështetur ish-perandorinë.

Sa më shumë faktet i shkatërrojnë teoritë e tyre të pamundura, aq më shumë përpiqen t’i rindërtojnë me propagandën iluzore të fjalëve. Janë dëshira të rrezikshme kur ke të bësh me armë dhe riarmatim. Për të ndërtuar një ushtri që funksionon jo për parada dhe manovra, por për luftë, duhen vite, ndërsa ata nxisin pasione të turbullta si të ishte fjala për një luftë të afërt dhe të lehtë për t’u zgjidhur.

Këto imazhe grupi (kanë madje edhe Erdoganin, çështja e arrestimeve të tij më të fundit me siguri nuk është në rendin e ditës të Vullnetarëve…) sjellin ndër mend zhurmën e një turme që llomotit për të kaluar kohën, ato mbledhje të përfaqësuesve të të njëjtit profesion në ndonjë hotel luksoz, dentistë ose sipërmarrës punësh publike. Midis kravatave dhe kostumeve të vogla, i vetmi që duket se ka diçka të tmerrshme për të përballuar, fatkeqësisht, është ai – Zelensky.

E ftojnë, paraqitet, ai e di që nuk janë këta muhabetçinj të sforcuar që vendosin për gjërat vendimtare; forca e tyre e vetme është dhe do të jetë çeku i bardhë. Ai mund t’u përsërisë në sy, atë që fatkeqësisht nuk mund t’ia thotë Trump-it: që Ukraina ka të drejtë të mos bëjë asnjë lëshim.

Cili është qëllimi i kësaj vërtitjeje teatrale dhe organizative në të dy brigjet e kanalit?

Të sabotojnë “paqen” e tmerrshme të Trump-it, duke i pëshpëritur Zelenskyt: mos beso, thuaj jo për gjithçka, në Riad duan të të mashtrojnë, SHBA dhe Rusia kanë tashmë një ujdi. Jemi ne ata që po bëhemi fuqia e parë ushtarake në botë. Para se realiteti i pamëshirshëm të zbehë shkëlqimin e dy zotërinjve të luftës, ata arkëtojnë një parantezë si protagonistë; dhe biznesi i riarmatimit shenjtërohet nga nevoja për t’u mbrojtur.

E megjithatë, është e lehtë të zbulohet gënjeshtra mbi të cilën mbështetet gjithçka: se qëllimi është të organizohet paraprakisht Forca ushtarake që do të garantojë zbatimin e armëpushimit të ardhshëm dhe të pengojë Putinin të përfitojë prej tij.

Nëse ka një gjë të sigurt në ngatërrimin e negociatave të brishta në Riad, është pamundësia që trupat e vendeve europiane dhe të NATO-s të kenë një rol çfarëdo në terren në Ukrainë. Moska i konsideron ata, me të drejtë, bashkëluftëtarë me Kievin dhe nuk do t’i pranojë kurrë.

Putini ka bërë të derdhet gjak rusësh për tre vjet, duke u thënë se kjo shërbente për të mbajtur Aleancën larg kufijve të tij, dhe tani do të duhej t’i bindte, për t’i bërë qejfin dyshes Macron Starmer , që të vendosin topat dhe bagazhet në Kharkiv!

Dy perandoritë, fatkeqësisht, do ta zgjidhin mes tyre çështjen e garancive të ndërsjella për periudhën pas luftës.

Evropën, me “fuqitë” e saj të vetëshpallura, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, të dyja i konsiderojnë të pabesueshme dhe armiqësore, një mumje.

Macron dhe Starmer nuk përpiqen të krijojnë Europën, por më tepër të kthejnë pas filmin e Historisë, e cila që nga viti 1945 i ka lënë pashmangshmërisht në qoshen e trishtuar të ish-fuqive. Po realizojnë një ribërje groteske të vitit 1956, ndërmarrjen fatkeqe të Suezit, kur Eden dhe Coty vendosën të rimarrin kanalin e Suezit, të sekuestruar nga pretendimet e padurueshme të botës së tretë të Nasser-it.

Duhej një pretekst, i dhanë dritën jeshile Izraelit: të hedhim parashutistët për të ndarë palët në konflikt, që po rrezikojnë sigurinë e lundrimit dhe tregtisë! Qe blegërima e fundit e kolonializmit evropian në grahmat e fundit; bota ishte tashmë e ndarë në sfera kontrolli midis Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik (që po vendoste tanket drejt Budapestit). Mjaftuan një palë telefonata dhe parashutistët e Massu-t u kthyen me trishtim.

Macron dhe Starmer nuk pranojnë melankoli. Mendojnë ta kompensojnë pavlefshmërinë e vendeve të tyre përballë kolosëve të vjetër dhe të rinj (India, madje edhe India!) me një makiavelizëm të lirë dhe një shkencë mashtrimesh të kopjuar nga e kaluara. Për Europën, mbështetja te këto iluzione të çala të këtyre mbretërve të rrëzuar, mund të jetë një gabim fatal. / La Stampa – Bota.al

Back to top button