Emmanuel Macron është zgjedhur President i Republikës së Francës me 65.5% të votave, kundrejt 34.5% të votave të Marine Le Pen, sipas një projeksioni të “Sofres” për TF1.
“Sot fillon një epokë e re e shpresës dhe besimit për Francën”, shkruajti në Twitter Presidenti i ri francez për AFP.
“Presidenti është Emmanuel Macron”. Pas njoftimit të dhënë nga televizioni francez, afro 5,000 militantë ‘En marche! ” u mblodhën përpara Luvrit në Paris, duke shpërthyer në brohorime gëzimi dhe festë, duke valëvitur flamujt tringjyrësh të Francës. Macron u është bashkuar pas orës 21.00, për të festuar bashkë me ta në skenën e madhe të instaluar në qendër të Esplanade, të mbushur plot e përplot.
“I telefonova Macronit për ta përgëzuar. E urova për sfidat e pafundme që do të përballojë”. Këto ishin fjalët e para të Marine Le Pen, pas daljes së rezultateve. “Francezët kanë zgjedhur për vazhdimësinë,” tha ajo duke pranuar humbjen. “Për ne kjo është një arritje historike”, që “e vendos Frontin Nacional si forcë e parë opozitare,” shtoi Marine Le Pen. “Unë dua të siguroj francezët që zgjodhën të më japin votën. Dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë ndjekur dhe që kanë bërë një zgjedhje kurajoze dhe themelore,” shtoi ajo. “Dua të falenderoj 11 milionë francezë të cilët më kanë dhënë besimin e tyre,” tha Marine Le Pen. “Unë do të punoj për të mbledhur edhe më shumë njerëz, në mesin e atyre që duan të zgjedhin Francën”.
Të menjëhershme kanë qenë reagimet e udhëheqësve të botës pas zgjedhjes së Emmanuel Macron. “Përshëndetje të përzemërta për Emmanuel Macronin. Fitorja e tij është një fitore për një Europë të bashkuar,” shkruajti në Twitter zëdhënësi i Angela Merkel, Steffen Seibert. “Urime për Emmanuel Macron! I kënaqur që francezët kanë zgjedhur një të ardhme evropiane”, tani “së bashku për një Evropë më të fortë dhe më të drejtë”, është mesazhi i Presidentit të Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker.
“Urime për Emmanuel Macron, ne presim në një Francë që të ndihmojë të ndryshojë Bashkimin, për ta afruar me popullin!” ka shkruar në Twitter presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani Evropian. Edhe Theresa May ka nxituar për të uruar Emmanuel Macronin, për zgjedhjen si president i Francës.
“Urime për Emmanuel Macron, dhe francezët të cilët kanë zgjedhur lirinë, barazinë dhe vëllazërinë dhe i thanë ‘jo’ tiranisë së ‘lajmeve të rreme’,” tha Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk në Twitter.
Matteo Renzi, Kryeministër i Italisë ka shkruajtur në Twitter: “Fitorja #Macron shkruan një faqe të jashtëzakonshme shprese për Francën dhe për Europën #EnMarche #incammino.!”./bota.al