Bota

Makthi në zemër të festës. Hapet një plagë edhe për rizgjedhjen e Merkelit

Pa kaluar as edhe një muaj nga kongresi i CDU, që ishte mbledhur fort në mbështetje të Angela Merkelit, Gjermania është goditur nga atentati më i rëndë që ka pësuar deri më sot. Deri në mbrëmje vonë dje, policia u përpoq madje të mbante hapur edhe mundësinë e një aksidenti, por me konfirmimin e një atentati mu në zemër të Berlinit, për kancelaren në horizont shfaqet një fushatë elektorale vërtetë “malore”.

Shenjat që fondamentalistët kishin vënë në shënjestër tregjet e Krishtlindjeve, simboli i përsosur i një atmosfere feste vërtetë të ndjerë, ishin shumëfishuar në ditët e fundit. Alarmin e kuq e kishte ndezur sidomos lajmi i një sulmi të shmangur në një prej më të famshmëve tregje, ai i Ludvigshafenit, ku një fëmijë vetëm 12 vjeç ishte përpjekur që të shpërthente një bombë të futur në një çantë shpine. Fatmirësisht, tentativa e vogëlushit atentator kishte dështuar. Por kish qenë një rast i pastër.

Për kancelaren parashikohen kohë të vështira. Që dje kanë nisur polemikat e para mbi mungesën e çdo lloj mbrojtjeje, përreth tregut të vogël të Gedächtniskirche. Por në Gjermani, qeveria është përpjekur deri më sot që të ruajë një ekuilibër, mes nevojave për të garantuar sigurinë e njerëzve përballë kërcënimit islamik, dhe vullnetit për të ruajtur “liritë e Perëndimit”, siç i ka quajtur kancelarja.

Merkeli është përpjekur gjithmonë që të mbrojë sa më shumë që të mundt lirinë e qarkullimit në rrugë, pa u ndjerë vazhdimisht të rrethuar prej masave të sigurisë apo prej policisë, dhe shpesh herë ka përsëritur se nuk ka nevojë që gjermanët t’i dorëzohen frikës. Dhe është një ndjenjë që e ndajnë shumë njerëz në Gjermani.

Edhe gjatë Oktobrfestit kohët e fundit, kur ishte vendosur të ndërtohej, për herë të parë në histori, një gardh përreth festës popullore më të famshme në botë, nuk kishin munguar protestat. Nga ana tjetër, edhe përballë komenteve të parë luftënxitës që kanë ardhur prej eksponentëve të spikatur të Alternative fuer Deutschland, është e qartë se ndarja mes lirive perëndimore dhe mbrojtjes prej rreziqeve terroriste riskon të bëhet më e komplikuar, për “kancelaren e refugjatëve”. Edhe ekstremistët e Pegidas janë ndjerë: “Ej Merkel, a je krenare për atë që kanë bërë miqtë e tu në Berlin”? / La Repubblica – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button