Bota

Marifeti i pistë që “derdhi kupën”. Fundi i palavdishëm i një “agent provocateur”, që mendonte se virtyti është dobësi

“Historisë së gjatë me marifete të paskrupuj të Roger Stone, më në fund i ka ardhur fundi”, shkruante Errol Leuis në CNN.com. Pas dekadash të tëra me marifete të ndyra, ky person i vetëpërshkruar si “agent provocateur” u dënua për shtatë akuza, që përfshijnë ngacmim dëshmitarësh, deklarata të rreme, dhe gënjim të Kongresit gjatë hetimit për Rusinë.

Gënjeshtra kryesore e Stone ishte mohimi i tij që të ketë punuar me Uikiliks, për të nxjerrë emailet që hacker-at rusë kishin vjedhur prej Komitetit Kombëtar Demokrat “në momente kyçe gjatë fushatës së vitit 2016”. Në një dëshmi dramatike, ish zëvendës shefi i fushatës së Presidentit Trump, Rick Gates, kujtoi një telefonatë mes Trump dhe Stone, që kish ndodhur disa ditë pas nxjerrjes së emaileve nga Uikiliks. Pasi uli telefonin, Trumpi tha i lumtur: “pritet të dalin më shumë informacione”. Stone përballet tani me më shumë se 50 vite burg, i vetëdijshëm se “kjo që ndodhi me Uikiliks ishte marifeti i ndyrë që e mbushi kupën”.

Stone thoshte gjithmonë se “virtyti është dobësi”, shkruanin Morgan Pehme, Daniel DiMauro dhe Dulan Bank në Uashington Post. Si skenaristë dhe regjisorë të një dokumentari mbi Roger Stone, ne shohim një ironi të madhe tek fakti që do të hyjë në burg, për shkak të të vetmit virtyt që ai vlerësonte: besnikërisë.

Stone ishte tejet besnik ndaj Richard Nixonit, fytyrën e të cilit e ka bërë tatuazh mbi shpinë. Për 29 vjet, ai ishte aleati më i devotshëm i Trumpit, duke i bërë thirrje atij të kandidojë për president, deri kur Trump më në fund pranoi në vitin 2015. Gjatë investigimit mbi Rusinë, Stone gënjeu vazhdimisht Kongresin, për shkak se e vërteta mbi Uikiliks dhe bashkëpunimi me Rusinë do të kishin dëmtuar shumë mikun e tij. Tani e vetmja pyetje është nëse Trumpi do ia kthejë me të njëjtën monedhë besnikërie me një falje presidenciale, shkruante Kayle McGheee në Uashington Examiner. Falja e Stone do të dërgonte mesazhin se “krimi dhe pandershmëria nuk janë problem, sa kohë që bëhen në shërbim të Shtëpisë së Bardhë”.

Stone duhej të ikte si një shënim i vockël në fund të faqes në librat e historisë, shkruante Houard Fineman në Uashington Post, por në vend të kësaj, ai qëndron si një simbol qendror i zhytjes së vendit në politikën e marifeteve të ndyra. Ai ishte njeriu që futi Super PAC-ët dhe reklamat me sulme nën brez. Ai shkatërroi politikanë me gënjeshtra. Ndoshta më shumë se e çdokujt tjetër, harku i jetës së Roger Stone “nxjerr zbuluar rënien e të djathtës, dhe pjesës më të madhe të makinerisë sonë politikë, në një mjedis paturpësie cinike, nga i cili e kemi shumë të vështirë të dalim”. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button