Diego Bianchi
“Çdo agresor që kërkon të nënshtrojë kombet e tjera duhet të shkatërrohet paraprakisht. Shikoni videon”. Kështu, i drejtohej Zelensky, pas 13 minutash fjalim, Kongresit të Shteteve të Bashkuara, në lidhje me Ukrainën e bombarduar, për të kërkuar një zonë të ndalim-fluturimit mbi vendin e tij. Në atë moment fillon një video prej rreth dy minuta e gjysmë, me një violinë që shoqëron imazhet e Ukrainës së djeshme, e zëvendësuar pothuajse menjëherë nga ato të Ukrainës sot. Emrat e qyteteve të goditura ndjekin njëri-tjetrin me shpejtësi, të pasuara në montazh nga një përzierje videosh bombardimesh, ndërtesash të shkatërruara, të vdekur, të plagosur, ushtarë, gjak, rrënoja, pleq, gra, fëmijë.
Janë imazhe që i kam parë tashmë, të përplasura disa herë në fytyrën time përmes televizorit, celularit dhe kompjuterit, por duke i parë të gjitha së bashku prodhon efektin që të ndikojë emocionalisht përsëri, madje edhe pak më shumë, pas tre javësh lufte ku çdo ditë vlen sa një mijë.
Ajo që na bëri përshtypje javën e parë të konfliktit u bë sfondi i të përditshmes, ashtu si për Covid-in dhe arkivolët e rreshtuar, ashtu si për emigrantët që vdisnin në fund të detit dhe shpëtimin e atyre që i mbijetuan atij fati, falë përpjekjeve të njerëzve që me ato pamje dhe lajme nuk u mësuan kurrë. Videoja që Zelensky u tregoi amerikanëve, dhe për rrjedhojë edhe mbarë botës, është një produkt shumë profesional i realizuar duke u bazuar në imazhet më të forta mes mijërave të shkrepura në Ukrainë, pavarësisht nga profesionalizmi i atyre që i shkrepën, qofshin këta ushtarë, civilë apo gazetarë. Në luftë çdo gjë vlen, gjaku dhe muti nuk janë më metafora, dhe sa më shumë të perceptohet era e keqe e vdekjes, ndotëse dhe mbytëse, aq më e drejtë është.
Pak ditë më parë, Parlamenti ukrainas kishte realizuar një video tjetër, me një ndikim shumë të lartë emocional që synonte audiencën perëndimore (duke i gjykuar ata jo të përfshirë sa duhet emocionalisht, me atë që po ndodh në Ukrainë). Tronditja shkaktohej nga një vajzë që pozonte para Kullës Eiffel pikërisht në momentin kur bombardohej simboli i Parisit. Një video e sajuar e një turisti, ndoshta e destinuar për një rrjet social si miliona të tjera, që ndjekin të njëjtin fat dhe “popullaritet” mbarëbotëror, ashtu si të gjithë ato që xhirohen në Ukrainë sot. “Mundohuni të përfytyroni sikur kjo të ishte duke ndodhur në një kryeqytet tjetër evropian”, thuhet në një mesazh në fund të videos. Dhe goditja vjen, e dhunshme, më shumë nga kjo video false, se nga shumë të tjera të vërteta.
Ndoshta është propagandë, ndoshta është marketing lufte, ndoshta është gjuha e mediave sociale që kanibalizon çdo narrativë. E sigurt është se të mos mësohemi me atë që shikojmë, është e vetmja shpresë që na ka mbetur. / Venerdi – Bota.al