Një luftë të re në Ballkan paralajmëron revista greke Epikaira në numrin e fundit, pas rritjes së mes Greqisë dhe Shqipërisë. Në shkrimin me titull “Kush dhe pse po u vë zjarrin tani kufijve?”, revista bën një analizë për përplasjen mes Athinës dhe Tiranës sa i përket detit. “Ka kaluar pak më shumë se një shekull pas përfundimit të luftërave ballkanike dhe rajoni ynë po përballet përsëri me rrezikun e rigjallërimit të fytyrës së vështirë të nacionalizmit nga irredentizmi shqiptar, i cili kërcënon të ndezë tërë gadishullin”, theksohet në artikullin e revistës Epikaira.
Shkrimi me tona të forta thekson se kohët e fundit guximi i shqiptarëve i ka tejkaluar të gjitha kufijtë. “Tirana i ka bërë protestë Athinës, përmes ambasadorit grek në kryeqytetin shqiptar 10 ditët e mëparshme, ku ka kërkuar ndryshim të programit për kërkime për hidrokarbure në detin Jon. Pala shqiptare pretendon se janë shkelur ujërat territoriale shqiptare, ndërsa ka kërkuar hartat e kërkimeve tokësore në Epir. Në këtë mënyrë të qartë, shqiptarët, as më shumë e as më pak, vënë në dyshim kufirin tokësor midis Greqisë dhe Shqipërisë”, citohet të ketë thënë një zyrtar grek për revistën Epikaira. Notën e protestës së Tiranës, revista greke Epikaira e cilëson një lëvizje agresive të qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ndërsa thekson se sa herë që Shqipëria ka bërë diçka të ngjashme në të kaluarën ka humbur gjithmonë.