Analiza

Marrëveshja më e keqe në historinë diplomatike të SHBA-së

Screen Shot 2015-07-06 at 09.06.38

Nga Charles Krauthammer

Djalli nuk fshihet në detaje. Ai ndodhet në të gjithë konceptimin e marrëveshjes me Iranin, i mishëruar nga besimi fantastik i presidentit Obama, se vetëm ai mund të arrijë një detantë me një regjim fanatik islamik, qëllimi themelor i të cilit është të spastrojë Lindjen e Mesme, nga korrupsioni helmues i fuqisë dhe ndikimit amerikan.

Në ndjekje të dëshirës së tij, për ta bërë Republikën Islamike një fuqi të suksesshme rajonale të pranueshme dhe të normalizuar, Obama vendosi të marrë përsipër negociatat mbi programin bërthamor. Deri në atë kohë, Teherani ishte rrënuar– monedha vendase riali ishte zhvlerësuar, inflacioni kishte mbërritur kulmet, ekonomia ishte rrudhur – nën një regjim të sanksionesh ndërkombëtare të ndërtuara me shumë kujdes përgjatë një dekade.

Pastaj, në vend që të mirëpriste përpjekjet e Kongresit për të forcuar sanksionet dhe shtuar presionin mbi mullahët, Obama filloi negociatat duke lehtësuar sanksionet, injektuar miliarda dollarë në ekonominë iraniane (e cila filloi të shënonte përsëri rritje në vitin 2014), dhe duke pranuar paraprakisht të drejtën e Iranit për të pasuruar uraniumin.

Prej atëherë gjithçka ka shkuar drejt lëshimeve të vazhdueshme. I dëshpëruar për një marrëveshje që të mbetet si trashëgimi e presidencës së tij, Obama ka luajtur rolin e tij që vetëm lutet, duke braktisur çdo vijë të kuqe që administrata e tij e kishte përcaktuar më herët si thelbësore, për arritjen e çdo lloj marrëveshjeje të pranueshme.

Inspektimet

Ato duhet të kryheshin kudo, në çdo kohë, dhe të papenguara. Po tashmë? Një kyçje e plotë. Qasja e lire, është shndërruar “në një akses të menaxhuar”. Inspektorët bërthamorë, do të duhet të negociojnë dhe marrin miratimin paraprak të Iranit për inspektimet. Kjo i mundëson Teheranit të mohojë apo vonojë në mënyrë vendimtare, fshehjen e ndonjë veprimtarie sekrete.

Për të patur një ide të shkallës së kapitullimit të SHBA-së, administrata luajti rolin e avokatit të Iranit në këto negociata, duke shpjeguar se në fund të fundit “Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të lejojnë askënd që të hyjë në cilëndo bazë ushtarake, kur nuk është e përshtatshme”. Përveç absurditetit, për të barazuar moralisht Amerikën me sponsorin shtetëror kryesor në botë të terrorizmit, nëse ne përsëritëm si papagall qëndrimet e Iranit, atëherë pse pritëm plot 19 muaj për ta bërë këtë – pasi insistuam vazhdimisht për një qasje të lirë tek programi bërthamor, si një element thelbësor për çdo regjim inspektimi?

Transparencë mbi aktivitetin e shkuar bërthamor

Marrëveshja aktuale e përkohshme, që ishte në fuqi gjatë 19 muajve të shkuara të negocimit, kërkonte nga Irani të bënte pikërisht këtë. Ndërkohë Teherani nuk ka ofruar asgjë. Administrata pati insistuar se kjo llogaridhënie është e domosdoshme, për shkak sesi mund të verifikohen ndryshe  përparimet e ardhshme antiligjore në programin bërthamor të Iranit, nëse nuk ka një kontroll bazë?

Pasi kërkoi në vijimësi akses tek shkencëtarët, planet dhe mekanizmat të prodhimit të armëve, Sekretari i Shtetit Xhon Kerri dy javë më pare, e hodhi me mendjelehtësi poshtë këtë nevojë, duke thënë se ai tashmë është i fokusuar tek e ardhmja, dhe “nuk është i fiksuar” pas së shkuarës. Dhe se ne kemi gjithësesi njohuri “absolute” mbi programin iranian – një rrenë kjo e madhe që stafi i tij dhe opinioni publik, duhet të besonte në ditët që pasuan deri në përfundim të negociatave.

Nuk ka arsye për t’u shqetësuar, na është thënë. Llogaridhënia do të kryhet, por pasi të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare. E cila është në fakt qesharake. Në qoftë se iranianët nuk bëjnë publike buxhetin e aktivitetit të mëhershëm nën regjimin e sanksioneve aktuale, me çfarë logjike bilancet do të përputhen, pasi sanksionet të jenë hequr?

Lehtësimi i sanksioneve

Këto ishin graduale dhe u ndërmorrën në darkordësim me Agjensinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, që e çertifikoi Iranin me kalimin e kohës. Tani po çlirojmë deri në 150 miliardë dollarë kapitale, si një bonus paraprak për nënshkrimin e marrëveshjes. Kjo shifër, është sa 25 herë buxheti vjetor i Gardës Revolucionare të Iranit. Mjaftueshëm për të nxitur një agresion iranian nga Jemeni, Liban dhe deri në Bahrein.

Megjithatë, tre muaj më parë, Obama shprehu moskokëçarje ndaj lehtësimit të menjëhershëm të të sanksioneve. Kjo gjë nuk përbën një problem, tha ai. Çështja e vërtetë, qëndron tek sanksionet e sbpejta që do të riimponoheshin në rast se zbulohet se është shkelur masrrëveshja.

Hidhërim i legjitimuar. Irani nuk do të kapet në shkelje. Regjimi i inspektimit është grotesk, dhe procedurat burokratike janë të pafundme. Për më tepër, a ka ndonjë që mund të imagjinojë se Rusia dhe Kina do të rivendosnin sanksionet? Apo që bizneset e panumërta evropiane, që po përgatiten t’i bashkohen momentit të artë Iranian, në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes thjesht do të rikthehen në shtëpitë e tyre?

Sanksionet që s’kanë lidhje me programin bërthamor

Administrata e SHBA këmbënguli që bisedimet bërthamore, nuk do të ndikonin tek sanksionet e tjera të imponuara për shkak të agresionit iranian dhe terrorizmit. Por edhe kjo ishte më herët. Tashmë Uashingoni thotë se do të hiqen të gjitha sansionet.

Marrë së bashku, katalogu i kapitullimeve është befasues:inspektime në terren, zbulimi i veprimtarisë së mëparshme bërthamore, lehtësimi gradual i sanksioneve, ruajtja e sanksioneve, që nuk lidhen me programin bërthamor. Çfarë mbetet jashtë kësaj ? Një dokument dorëzimi i llojit të ofruar nga kombet e mundura, që luten për paqe.

Mos harroni: fuqia më e madhe ushtarake dhe ekonomike në botë, e mbështetur nga 5 fuqi të tjera të mëdha, e armatosur me ato që kishin qenë një regjim dërrmues sanksionesh, është gati të nënshkruajë marrëveshjen më të keqe ndërkombëtare, në të gjithë historinë diplomatike të SHBA-së. Si arritëm deri këtu? Me çdo lloj lëshimi të mundshëm, Obama dhe Kerri e bënë të qartë se ishin të dëshpëruar për arritjen e një marrëveshje. Dhe ata do ta arrijnë atë. Obama do të përfitojë “trashëgiminë” e tij. Kerri do të marrë çmimin Nobel. Dhe Irani do të ketë bombën bërthamore.

“The Washington Post” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button