Një paqe e mundshme mes Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit, e cila deri më tani përjashton Ukrainën dhe Europën, duket se lidhet ngushtë me 1.220 kilometrat e gazsjellësit Nord Stream 2. Ky tubacion, i cili nuk është vënë kurrë në funksion, mund të fillojë të transportojë nga Rusia drejt Gjermanisë deri në 55 miliardë metra kub gaz në vit.
Bëhet fjalë për një marrëveshje gjigante, ku sipas raportimeve, në prapaskenë po punon Matthias Warnig, një ish-agjent i shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore (Stasi), një bankier me ndikim dhe një mik i afërt i Putinit, që prej kohës kur ky i fundit ishte oficer i KGB-së në Dresden. Warnig, deri në vitin 2023, ishte drejtori ekzekutiv i Nord Stream 2 AG, kompania përgjegjëse për gazsjellësin me seli në Zvicër, të cilën e kontrollon plotësisht Gazpromi rus.
Marrëveshja e mundshme
Pasi u firmos një marrëveshje kuadër për ndërtimin e Nord Stream 2 në vitin 2015, pas katër vitesh punimet u ndalën për shkak të sanksioneve amerikane. Ato rifilluan në vitin 2020 dhe në qershor 2021, Putin njoftoi përfundimin e ndërtimit të tubacionit të parë. Tre muaj më vonë, përfundoi edhe tubacioni i dytë.
Megjithatë, një pezullim burokratik i Gjermanisë (i cili mund të mos ketë qenë i rastësishëm) u bë i përhershëm pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022 dhe aneksimit të Donbasit. Kjo bëri që aktivizimi i gazsjellësit të ndalohej përfundimisht. Një tjetër moment kyç ishte ndërprerja totale e furnizimeve ruse përmes Nord Stream 1, për shkak të një defekti teknik të pretenduar nga Moska.
Në shtator 2022, tubacionet e Nord Stream 1 dhe një nga linjat e Nord Stream 2 u dëmtuan rëndë nga një sabotim misterioz në Detin Balltik, duke shkaktuar një ndalim të plotë të transportit të gazit rus drejt Europës.
Lëvizjet e fundit të SHBA dhe Rusisë
Sipas një investigimi të Financial Times, Warnig dyshohet se ka kontaktuar investitorë amerikanë, si pjesë e diplomacisë ekonomike paralele që duhet të lehtësojë një marrëveshje mes Trump dhe Putinit. Nëse sanksionet kundër Moskës hiqen, një konsorcium investitorësh amerikanë, i ndryshëm nga ai që u krijua vitin e kaluar nga biznesmeni amerikan Stephen Lynch (i cili kishte tentuar më parë të arrinte një marrëveshje me Moskën), është gati të marrë përsipër kontrollin e një pjese të tubacionit.
Në këto negociata sekrete mes SHBA-së dhe Rusisë, SHBA-ja do të siguronte një rol kyç në rregullimin e furnizimeve të gazit për Europën, pasi gazsjellësi Nord Stream do të bëhej përsëri funksional. Nga ana tjetër, Rusia do të rifillonte fitimet miliardëshe nga eksporti i gazit në Europë.
Pavarësisht përfitimeve të mundshme, ka ende shumë pengesa për rihapjen e gazsjellësit.
Kompani europiane si Shell, Omv, Uniper, Engie dhe Wintershall kanë investuar miliarda dollarë në projekt, por më pas i fshinë ato nga bilancet e tyre pas sanksioneve ndaj Rusisë.
Qeveria gjermane ka ende fjalën e fundit për lejet dhe autorizimet, dhe ka treguar hezitim në këtë drejtim.
Sanksionet e vendosura nga SHBA dhe BE mbeten ende në fuqi ndaj Rusisë, duke e bërë të vështirë realizimin e marrëveshjes.
Presioni nga bizneset gjermane dhe pozicioni i Evropës
Sipas Bloomberg, kompani të mëdha gjermane po lobojnë për rinisjen e furnizimeve me gaz nga Rusia, duke shpresuar që një marrëveshje Trump-Putin të mund të çojë në një kthim të gazit të lirë rus në tregun europian. Christoph Günther, drejtor i një prej parqeve më të mëdha industriale kimike në Gjermani, ka deklaruar se “e vetmja mënyrë për të rilindur industrinë është të sigurojmë gazin e lirë rus.”
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian po përpiqet të diversifikojë furnizimet e energjisë dhe të zvogëlojë varësinë nga Moska. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka mohuar çdo lloj marrëveshjeje të mundshme, por vetë Warnig, ish-agjenti i Stasit, nuk ka komentuar për lajmet që e lidhin atë me negociatat me SHBA-në.
Për të bërë realitet këtë marrëveshje të mundshme, duhet jo vetëm një dakordësi mes Trump dhe Putinit, por edhe miratimi i Gjermanisë dhe Europës. Ndërsa SHBA-ja mund të përfitojë një ndikim më të madh në tregun energjetik europian, Europa përballet me një dilemë të madhe strategjike: Të mbështesë një kthim të gazit rus për të shpëtuar industrinë, apo të qëndrojë e fortë ndaj sanksioneve kundër Moskës.
Nëse kjo marrëveshje do të bëhet realitet, mund të ndryshojë rrënjësisht balancën energjetike dhe gjeopolitike të Europës dhe SHBA-së në vitet e ardhshme. / bota.al