Bota

MATEO RENZI: Zeniti dhe nadiri i yllit politik

screen-shot-2016-12-05-at-12-38-10

Nga Alvise Armellini

Kryeministri italian, Matteo Renzi rrezikon të shndërrohet në politikanin më të ri dështak në Evropë, pasi planet e tij të mëdha kushtetuese u hodhën poshtë nga referendumi i djeshëm me një diferencë të madhe të paparashikuar.

Matteo Renzi, një ish-boy scout, mjeshtër i medias, nga rrethinat e Firences, 41-vjeç, erdhi në pushtet në shkurt të vitit 2014, duke u bërë kreu më i ri i qeverisë së Italisë që pas diktatorit fashist, Benito Mussolini, i cili u emërua në këtë post në vitin 1922.

“Unë dëshiroja të hiqja qafe shumë poste pushteti në politikën italiane… Dështova, kështu që i vetmi post në pushtet që do të humbas do të jetë i imi”, deklaroi Renzi, duke pranuar humbjen e referendumit si dhe duke njoftuar dorëheqjen e tij.

Referendumi ishte lidhur me përqëndrimin e pushtetit në duart e qeverisë kombëtare, por Renzi ktheu një çështje të stabilitetit politik në një plebishit “më duaj ose më urre” duke tunduar rivalët politikanë dhe votuesit e pakënaqur që të kërkojnë tani ”kokën” e tij.

Sipas Claudio Cerasas, redaktor i gazetës së përditshme italiane “Il Foglio”, Renzi është një fiorentin tipik me arrogancën e tij dhe ky është një problem me publikun e gjerë.

“Njerëzit nga Firence shihen si arrogantë dhe pjesa tjetër e Italisë nuk mund t’i durojë ata”, tha Cerasa.

Renzi u betua pas “komplotit” kundër paraardhësit, Enrico Letta, disa javë më vonë pasi i tha atij se nuk e përmbushte punën e tij.

Brutaliteti i komplotit të pallatit u krahasua me një episod të serialit “House of Cards”, një prej serialeve televizive më të preferuara të kryeministrit italian, Renzi.

“Ndonjëherë jam shumë i keq, pak arrogant dhe impulsiv”, deklaroi Renzi muajin e kaluar për televizionin italian La7.

Në një intervistë me revistën “Vogue” në muajin shtator, ai thumboi se vetëm “atëherë kur i kam të gjithë kundër, argëtohem më shumë”.

I lindur në Rignano dell’Arno, 20 kilometra në lindje të Firences Qendrore, Renzi u bë i rëndësishën në mbarë vendin falë premtimeve për të larguar plakjen e Italisë dhe elitën e korruptuar, ndërkohë që ishte në postin e kryetarit të bashkisë së qytetit, të cilin e rilindi gjatë viteve 2009-14.

Në Romë, ai tha se do të ndërmerrte çdo muaj nga një reformë të madhe, por që së shpejti u provua e kundërta.

Arritjet më të mëdha të Renzit kanë qenë liberalizimi i ligjeve të punës dhe modernizimi i sistemit shkollor, edhe pse të dyja reformat kanë zemëruar elektoratin e majtë.

Qeveria e tij kaloi në parlament një ligj historik të unionit të homoseksualëve.

Por, puna më e mirë, por e mbaruar përgjysmë, ishte tronditja e sistemit sklerotik italian të drejtësisë dhe burokracisë.

Ndërkohë, dështimi i tij më i madh, i gjithëpranuar, ka qenë ekonomia.

Renzi ka theksuar se janë krijuar 650 000 vende të reja pune dhe një recesion paralizues përfundoi nën drejtimin e tij.

Niveli i papunësisë mbetet i lartë duke qenë se Italia është ende një nga ekonomitë më të ngadalta në Bashkimit Evropian dhe ku bankat e saj janë dëmtuar nga kreditë e këqija.

Ndërkombëtarisht, Renzi është mbështetur nga presidenti amerikan, Barack Obama, ndërkohë që ai shpesh është përballur me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe me udhëheqësit e BE-së, lidhur me dhënin e më shumë lirive veprimi nga Brukseli mbi buxhetet kombëtare si dhe më shumë bashkëpunim për migracionin.

Një konkurent i vetëshpallur, Renzi është një ish-kristiandemokrat, Partia Demokrate (PD) e të cilit dikur ishte domen i ish-komunistëve si ish-kryeministri italian, Massimo D’Alema.

Ndryshe nga paraardhësit e tij, ai ishte gjithmonë më i qetë me drejtuesit e biznesit sesa me sindikalistët.

Një kritikë e përsëritur ndaj Renzit është se ai ishte madhështor në stil dhe i mangët në përmbajtje dhe gëzonte marrëdhënie aspak komode me ish-kryeministrin italian të prirur për skandale, Silvio Berluskoni, i cili fillimisht mbështeti reformat kushtetuese.

Berlusconi, i cili bëri fushatë për ”jo”-në por që u ofrua të bashkëpunojë me Renzin pas humbjes së tij, deklaroi dy javë më parë se “nëse duhet të them të vërtetën, është vetëm një lider i vërtetë në politikë sot, dhe emri i tij është Matteo Renzi”.

Pavarësisht poshtërimit të djeshëm, karriera në rritje e kryeministrit italian në largim mund të mos ketë përfunduar.

Aftësitë e Renzit për replikë u provuan në fund të vitit 2012, kur humbi garën e lidershipit të PD-së dhe ai mori hak për humbjen e tij duke fituar kryeministrinë në më pak se një vit. /ATSH-DPA

Leave a Reply

Back to top button