Studjues, Instituti i Marrëdhënieve Ndërkomëbtare Strategjike, Francë,
Japonia, nën drejtimin e kryeministrit konservator Shinzo Abe, po largohet gjithnjë e më tepër nga qëndrimi i saj paqësor, dhe po afirmohet si një fuqi ushtarake rajonale e planit të parë.
Dëshmi janë dy fakte të kohëve të fundit të rëndësishme, të një ndryshimi të filluar qysh kur Shinzo Abe mori drejtimin e vendit, në dhjetor të vitit 2012. Më 27 gusht, forcat e vetëmbrojtjes detare (FAD), domethënë marina luftarake japoneze lëshoi një helikopter-mbajtëse të re gjigante e klasit Izumo, Kaga. Anija me tonazh 24 000 ton dhe 248 metra e gjatë, u prezantua në kantierin detar të “Japan Marine United”, në Yokohama.
Katër ditë më vonë, më 31 gusht, ministria e mbrojtjes japoneze ka paraqitur për vitin e katërt radhazi një kërkesë buxheti rekord – për vitin financiar prill 2016 deri në mars 2017. Ministria dëshiron një portofol fillestar prej 5 090 miliard jen (afro 38 miliard euro ose 42 miliard dollarë), ose një rritje prej 2,2 % në një vit.
Përse këto ndryshime janë të rëndësishme? Kujt kërcënimi i përgjigjen ato?
Këto zhvillime regjistrohen në vazhdimësinë e politikës së mbrojtjes, e forcuar qysh prej tre vitesh nga qeveria japoneze.
Helikopter-mbajtësja e re u prezantua pas dy vitesh nga helikopter-mbajtësja Izumo, e lancuar në gusht të vitit 2013 dhe e vënë në shërbim në mars të këtij viti. Kështu do të formohet një flotë me katër helikopter-mbajtëse, mjete të fuqishme të ambicieve detare kombëtare.
Buxheti i mbrojtjes së Japonisë është rritur tashmë me 2% për vitin 2015-2016, duke konfirmuar orientimin e politikës të “pacifizmit proaktiv” të kryeministrit. Ka dy vjet që kryeministri Abe vendosi të rriste me 5% shpenzimet ushtarake për periudhën 2014-2019, ose një portofol total prej 24 700 miliard jen (180 miliard euro). Me ardhjen e tij në pushtet, ai i dha fund një dekade ulje të buxhetit të mbrojtjes, ndërkohë që ekonomia japoneze është në një situatë të pasigurt dhe ende delikate.
Kërcënimet kineze dhe koreano-veriore
Futja e një anije të re dhe vullneti për një buxhet më të lartë i përgjigjen kërcënimeve të kombinuara nga Republika Popullore e Kinës dhe Koreja e Veriut, të cilat janë të identifikuara qartë në Librin e fundit të bardhë të mbrojtjes japoneze, i publikuar në fund të muajit korrik, që përfshin sidomos kërcënimin e marinës kineze dhe të politikës së Pekinit, që synon të ndryshojë statu quo-në, sidomos në detin e Kinës.
Ministria e Mbrojtjes japoneze dëshiron të pajiset me 17 helikopterë patrullimi SH-60K, tre dronë “Global Hawks” dhe 12 avionë/helikopterë V22 “Osprey”. Këto materiale të sofistikuara lejojnë të survejohen lëvizjet e forcave detare kineze, ndërkohë që Pekini mban pretendimet e veta për ishujt Senkaku, në detin e Kinës lindore, të administruar nga Japonia, por që kinezët i quajnë Diaoyu. 12 avionët/helikopterë “Osprey” shërbejnë për një zbarkim të trupave me shpejtësi, sidomos në rast kur forcat armike do të kërcënonin apo do të zbarkonin në ishujt e Jug-Perëndimit të Arkipelagut japonez.
Përsa i përket rrezikut koreano-verior, që është kryesisht ai i raketave balistike që mbështetet në një program bërthamor ushtarak, që Peniani ndjek, një program zhvillimi të shpejtuar dronet “Global hawks” kanë një autonomi të fortë – ato mund të qëndrojnë në ajër më shumë se 36 orë – dhe një rreze të gjatë veprimi në lartësi shumë të lartë, do të shërbejnë për të survejuar sidomos bazat e lëshimit të raketave koreane veriore.
Ndërsa helikopter mbajtësja Kaga, e pajisur me 14 helikopterë (7 Mitsubishi SH-60k dhe 7 Agusta Westland MCM-101), të specializuar sidomos në luftën kundra minave dhe nëndetëseve, do të shërbejnë për t’i bërë ballë kërcënimit të nëndetëseve kineze, ndërkohë që Pekini zhvillon në mënyrë të shpejtuar flotën e vet luftarake.
Këto ndryshime shfaqen pra në një vazhdimësi logjike të një politike mbrojtëse, në një mjedis kërcënues. Pritet që parlamenti japonez të miratojë ligje të reja për të ndryshuar legjislacionin e forcave të armatosura, duke i dhënë atyre më shumë fleksibilitet, për t’i ardhur në ndihmë aleatëve dhe për të marrë pjesë në operacione ndërkombëtare të autorizuara nga Kombet e Bashkuara.
s.m./Bota.al