Ekonomi

Mbrojtje nga stuhitë në Evropë

Screen Shot 2015-06-27 at 18.33.16

Nga Mohamed A. El-Erian

Retë errëta sillen rreth së ardhmes ekonomike të Evropës, teksa përmblidhen në 3 stuhi të dallueshme:kriza greke, veprimet ushtarake të Rusisë në Ukrainë, si dhe rritja e partive politike populiste. Megjithëse secili në vetevete, paraqet një kërcënim të konsiderueshëm, Evropa e ndihmuar nga rimëkëmbja e fundit, ndodhet në pozicionin për t’i adresuar ato individualisht, pa rrezikuar më shumë sesa disa ndërprerje të përkohshme.

Megjithatë, nëse ato konvergojnë në një lloj “stuhie perfekte”, një rikthim tek ditët me diell do të bëhet jashtëzakonisht i vështirë për të ndodhur së shpejti. Sikurse shfaqen, 3 stuhitë ndodhen në faza të ndryshme të formimit. Kriza greke, duke qenë e ndërtuar për vite me rradhë, përbën edhe rastin më të vështirë.

Përtej potencialit për daljen e parë nga eurozona, Greqia rrezikon të shndërrohet në një shtet të dështuar – një rezultat që do të përbënte një kërcënim shumë-përmasor për pjesën tjetër të Evropës. Zbutja e pasojave negative humanitare (që lidhen me emigracionin ndër-kufitar), dhe ndikimi gjeopolitik i kësaj stuhie s’do të jetë aspak e lehtë.

Stuhia e dytë, që po ndodh buzë kufijve lindore të BE-së, është konflikti ushtarak i kushtueshëm në rajonin ukrainas të Donbasit. Kriza në Ukrainën Lindore, është përmbajtur vetëm pjesërisht falë marrëveshjes së armëpushimit “Minsk II”, dhe pasqyron çarjen më të thellë në marrëdhëniet e Perëndimit me Rusinë, që prej shembjes së Bashkimit Sovjetik.

BKT Reklama

Ndërhyrjet e mëtejshme ruse në Ukrainë – të drejtpërdrejta ose përmes separatistëve në Donbas – do ta përballin Perëndimin me një zgjedhje të zymtë. Ai do të duhet ose të forcojë sanksionet ndaj Rusisë, duke rrezikuar potencialisht ta zhysë Evropën Perëndimore në recesion ekonomik pasi Rusia të kundërpërgjigjet me sanksionet e veta, ose të pranojë ambicjet ekspansioniste të Kremlinit dhe për pasojë rrezikojë vendet e tjera, që kanë pakica rusisht-folëse (përfshirë anëtarët balltike të BE-së).

Stuhia e tretë – përshtjellimi politik që solli rritja e lëvizjeve politike populiste – përbën edhe një tjetër kërcënim serioz. Të ushqyera nga pakënaqësia e gjerë e votuesve, veçanërisht në ekonomitë në vështirësi, këto lëvizje politike kanë tendencë të përqëndrohen tek një grusht i vogël çështjesh, duke kundërshtuar p.sh emigrantët, masat e kursimit, apo vetë ekzistencën e Bashkimit Evropian – në thelb, këdo që mund të jetë kokë turku për problemet e vendeve të tyre.

Tashmë, votuesit grekë votuan në shumicë partinë e ekstremit të majtë Syriza dhe kundër masave shtrënguese, duke i garantuar në janar të këtij viti një fitore dërrmuese. Partia e ekstremit të djathtë në Francë, Fronti Kombëtar, është aktualisht e dyta në vend sipas sondazheve më të fundit. Partia Popullore kundër emigracionit në Danimarkë, u rendit po e dyta në zgjedhjet e fundit parlamentare, me 22 përqind të votave. Dhe, në Spanjë, të majtët kundër masave shtrënguese, “Podemos”, zotërojnë një mbështetje dyshifrore.

Këto parti me prirje ekstremiste dhe platforma të ngushta, po i kufizojnë fleksibilitet e politikave qeveritare, duke nxitur parti dhe politikanë relativisht të moderuar, të marrin pozicionet më radikale. Ishte shqetësimi në lidhje me kapacitetin e Partisë së Mbretërisë së Bashkuar së Pavarur, për të gërryer bazën politike të konservatorëve, ai që e shtyu kryeministrin Dejvid Kameron të angazhohet për një referendum, mbi vazhdimin apo jo të anëtarësimit të vendit në BE.

Me tre stuhitë në prag, udhëheqësit evropianë duhet të veprojnë shpejt për të siguruar se do të zhdukin secilën veçmas, para se ato të mund të bashkohen me njera-tjetrën, dhe gjithashtu të përballen në mënyrë efektive me çfarëdolloj kaosi që ato mund të shkaktojnë.

Lajmi i mirë është se mjetet rajonale të menaxhimit të krizave, kohët e fundit janë forcuar në mënyrë të ndjeshme, veçanërisht që nga vera e vitit 2012, kur euro ishte shumë pranë kolapsit.

Në fakt, nuk janë në funksion vetëm institucionet e reja ndihmëse, siç është mekanizmi i Stabilitetit Financiar Evropian. Edhe organet ekzistuese janë bërë më elakstike, dhe për rrjedhojë më të efektshme.

Për më tepër, Banka Qëndrore Evropiane, është e angazhuar në një shkallë të gjerë në procesin e blerjes së aseteve, që mund të zgjerohet lehtësisht dhe shpejt. Dhe vende si Irlanda, Portugalia, dhe Spanja, përmes punës së vështirë dhe të dhimbshme, kanë reduktuar ndjeshmërinë e tyre ndaj infektimit nga krizat e afërta.

Por këto masa do të rezultonin të kota, nëse stuhitë do të bashkoheshin në një të vetme shkatërruese. Duke pasur parasysh se ndërlidhshmëria është nje tipar themelor i BE-së – në terma ekonomikë, financiarë, gjeopolitike, dhe socialë – ndikimi përçarës i çdo shoku do të përforconte të tjerët, duke dërrmuar të gjitha institucionet anti-krizë dhe çuar në recesion ekonomik, ringjallur destabilitetin financiar dhe krijuar xhepa të tensioneve sociale.

Kjo do të rriste papunësinë tashmë të lartë, ekspozojë tregjet financiare ndaj rreziqeve të tepruara,  inkurajojë Rusinë dhe forcojë më tej lëvizjet populiste, duke penguar kësisoj ndërmarrjen e një përgjigje gjithëpërfshirëse politikash.

Fatmirësisht, për momentin mundësia e një stuhie të tillë të përsosur, është më shumë një rrezik sesa një skenar real. Megjithatë, duke pasur parasysh shkallën e potencialit të saj destruktiv, ajo meriton një vëmendje serioze nga politikëbërësit.

Në këtë kuadër, sigurimi i të ardhmes ekonomike të Evropës, do të kërkojë para së gjithash, një angazhim të ripërtërirë mbi përpjekjet integruese rajonale – përfundimin e bashkimit bankar, avancimin e bashkimit fiskal, dhe duke lëvizur përpara drejt unionit politik – çështje këto që janë anashkaluar nga një seri e pafund takimesh dhe samitesh mbi Greqinë.

Gjithashtu, në nivel kombëtar, inisiativat pro-rritjes ekonomike dhe reformave – të cilat duket se e kanë humbur disi urgjencën e tyre, përballë tregjeve financiare tepër të vetëkënaqura dhe të gjindshme – ka nevojë të rigjallërohet. Kjo do të lehtësonte barrën e politikave në Bankën Qëndrore Evropiane, që aktualisht është e detyruar të ndjekë objektiva të shumta ambicioze, të cilat e tejkalojnë kapacitetin e saj, për të ofruar rezultate të mira e qëndrueshme mbi rritjen ekonomike, punësimin, inflacionin dhe stabilitetin financiar.

Fokusi aktual ndaj “rrebeshit” në Greqi, është i kuptueshëm. Por politikëbërësit, nuk duhet të jenë aq të hutuar, sa të dështojnë të përgatiten për dy stuhitë e tjera të mundshme – dhe ajo që është shumë më tepër shqetësuese, mundësia që ato të shkrihen në një të vetme më shkatërruese. Liderët evropianë, duhet të veprojnë tani për të minimizuar rreziqet, që të mos shohin më vonë që mburojat e tyre janë të pamjaftueshme, ndaj “motit” ekstrem që mund të kenë përballë.

Shënim: Mohamed A. El-Erian është këshilltar kryesor ekonomik në kompaninë Allianz dhe kryetar i Këshillit të Zhvillimit Global të presidentit amerikan Barak Obama. Ai është edhe autor i  librit më të fundit ”Kur tregjet përplasen”

Project Syndicate – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button