“Dua të ndaj me ju reagimin mbi situatën rreth asaj që është zbuluar në skandalin e ‘Cambridge Analytica’-s, përfshi këtu edhe hapat që kemi ndërmarrë dhe ato që pritet të marrim për të adresuar këtë çështje të rëndësishme”.
Kështu e nis thyerjen e heshtjes themeluesi i “Facebook”-ut, Mark Zuckerberg, sigurisht duke mos folur për asnjë medie amerikane apo të huaj, por përmes produktit të tij, rrjetit social me më shumë anëtarë në botë që ka humbur miliarda dollarë prej disa ditësh, që kur shpërtheu skandali me të dhënat e përdoruesve.
“Ne kemi përgjegjësinë për të mbrojtur të dhënat tuaja dhe, nëse nuk do të mundemi ta bëjmë këtë, atëherë nuk e meritojmë t’iu shërbejmë. Kam punuar këto ditë për të kuptuar saktësisht se çfarë ndodhi dhe sesi të sigurohem që kjo gjë të mos ndodhë më sërish. Lajmi i mirë është se veprimet më të rëndësishme për të parandaluar ripërsëritjen e kësaj gjëje, ne i kemi ndërmarrë vite më parë. Por, sigurisht që kemi bërë edhe disa gabime, ndaj kemi shumë për të bërë dhe duhet të përshkallëzojmë veprimet tona”, shton më tej ai.
Në statusin e publikuar pasditen e kësaj të mërkure në platformën sociale të themeluar prej tij, ai jep edhe një kohështrirje të ngjarjeve.
“Javën e kaluar mësuam nga medie prestigjioze si The Guardian, Neë York Times dhe Channel 4 se, Cambridge Analytica mund të mos ketë fshirë të dhënat siç kishin premtuar. Ne iu penguam atyre qasjen në shërbimet tona për të mos i përdorur më kurrë. Cambridge Analytica pretendon se i ka fshirë të dhënat dhe kishte dhënë mirëkuptimin e saj për një proces autodimi nga një firmë që ishte kontraktuar prej nesh për ta konfirmuar këtë gjë. Ne po punojmë edhe me organet ligjzbatuese, të cilat po hetojnë mbi atë çfarë ka ndodhur”, shton më tej Zuckerberg.
Ai e ka konsideruar këtë situatë si një shkelje besimi mes “Kogan”, “Cambridge Analytica” dhe “Facebook”-ut, por edhe shkelje besimi mes rrjetit social dhe njerëzve që dëshirojnë të ndajnë të dhënat e tyre “me ne, duke pritur prej nesh t’i mbrojmë ata”. “Ndaj duhet ta zgjidhim këtë problem”, shkruan Zuckerberg.
Ai premton edhe disa hapa të tjera që Facebook duhet të ndërmarrë, duke hetuar të gjitha aplikacionet që kanë shfrytëzuar sasi të mëdha informacioni nga rrjeti social përpara se ai t’i nënshtrohej reduktimit drastik të qasjes në vitin 2014. Ai premton gjithashtu se do t’iu kufizohet qasja në të dhënat e përdoruesve të gjithë zhvilluesve (developers) për të parandaluar një abuzim të tillë në të ardhmen. Zuckerberg dëshiron t’i sigurojë përdoruesit se do t’i informojnë se cilave aplikacione u duhet besuar e cilave jo për të pasur qasje te të dhënat e tyre.
“Unë e themelova Facebook-un dhe sigurisht që në fund të fundit jam unë përgjegjës për atë që ndodh në platformën tonë. Dua t’iu siguroj se jam i ndërgjegjshëm kur them se do të ndërmarr çfarë nevojitet për të mbrojtur komunitetin tonë.” / Dita