Bota

Mediat britanike: “Një plan i Sorosit kundër Brexit”

George Soros është gati të përmbysë rezultatin e Brexit. E ka zbuluar e përditshmja britanike The Telegraph, e cila ka zhvilluar një investigim mbi lidhjet mes miliarderit që “shkatërroi Bank of England” dhe disa prej mbështetësve më të rëndësishëm të Partisë Konservatore. Objektivi i fushatës së George Sorosit do të ishte ai i zvogëlimit të mbështetjes së partisë për kryeministren Theresa May, duke i orientuar deputetët drejt një votimi kundër marrëveshjes finale për Brexit, duke shkaktuar kështu një reaksion zinxhir që do të shpjerë në një referendum të ri dhe zgjedhje të reja të përgjithshme.

Investitori është një prej figurave të nivelit më të lartë të lidhura me grupin “Best of Britain”, që parashikon nisjen e një fushate propagandistike në nivel kombëtar, që mund të çojë drejt një referendumi të dytë për të mbajtur Britaninë e Madhe në Bashkimin Evropian. Fushata do të synojë “të zgjojë britanikët, duke konfirmuar faktin që BRexut nuk është një gjë e përfunduar. Që nuk është shumë vonë për të ndalur largimin e Britanisë nga BE”, shkruan The Independent, duke cituar burime të raportit, i cili ka rënë në duart e Telegraph. Sipas asaj që zbulohet, fushata do të jetë 360-gradëshe dhe do të karakterizohet edhe nga një seri koncertesh dhe mitingjesh, të orientuar sidomos tek votuesit e rinj. Një objektiv jo rastësor ky, duke parë që, siç doli pas votimit për daljen nga BE, pjesa më e madhe e të rinjve britanikë nuk shkoi të votojë, ose zgjodhi “JO” për daljen nga BE.

Një votim që kishte bërë të thërrasin menjëherë “Skandal!”, mbështetësit e Bashkimit Evropian, të cilët kishin akuzuar “të moshuarit” se kishin “dënuar” brezat pasardhëse me një të ardhme të pasigurtë, pa Evropën dhe më të varfër.

Lajmi i përfshirjes së Sorosit, i cili ka një pasuri afro 25.2 miliard dollarë, e cila e bën të 29 në listën e pasanikëve të Forbes, u zbulua pasi Telegraph arriti të mësojë se donatorët e mëdhenj të partisë në qeverisje kishin patur një takim me Sorosin në shtëpinë e tij në Chelsea. Telegraph ka shkruajtur edhe për praninë e biznesmenit Stephen Peel, një ish atlet olimpik, mbështetës i fushatës “Best for Britain”, ashtu sikurse edhe Lord Malloch-Brown dhe Sir Martin Sorrell i gjigandit publicitar Wpp. Mediat angleze shkruajnë se Sorrell duket se ka dhuruar 400 000 stërlina për grupin e mbështetjes së përmbysjes të Brexit, përmes Open Society Foundation. Lord Malloch Brown ka thënë në një deklaratë që pret “gjithmonë me kënaqësi mbështetjen e klientëve tanë”.

“Ne, ashtu si miliona njerëz, besojmë se Britania e Madhe duhet ta udhëheqë, jo ta lërë Evropën, punojmë me aktivistë, sipërmarrje, sindikata, politikanë dhe grupe komunitare për të siguruar që të gjithë të kenë një zë të fortë elektoral”, ka shtuar Sorrell.

Dhe ka konfirmuar gjithashtu donacionin përmes Open Society të 400 mijë stërlinave, duke konkluduar: “Mendojmë se populli britanik meriton të ketë fjalën e fundit mbi një marrëveshje për Brexit, dhe besoj që vendi është udhëhequr drejt një kthese të rrezikshme dhe të gënjeshtërt”.

Që Soros është kundër Brexit, kjo nuk është risi. Por shumë shpesh kanë qenë lajme të diktuara edhe nga një fije konspiracioniste ndaj Sorosit. Rreziku, në këta raste është se, qëllimi për të folur mbi një përfshirje të Sorosit, rrezikon ta transformojë gjithçka në një farsë. Në këtë rast, çështja është ndryshe. Telegraph përmend raporte të detajuara dhe nuk ka një komplot, por një fakt të vërtetë: Open Society po punon në mënyrë aktive për të zhbërë Brexit. Pas shkatërrimit dikur të Bankës së Anglisë, Londra është rikthyer në shënjestrën e George Sorosit, por këtë herë, më shumë se zemra financiare, do të goditet ajo demokratike … / Il Giornale – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button