Bota

Mediat nuk donin të besonin që Trumpi mund të fitonte. Dhe kthyen kokën në anën tjetër

Media e merr gjithmonë Trumpin fjalë për fjalë. Ajo nuk e merr asnjëherë seriozisht, por gjithmonë e merr fjalë për fjalë. Gazetarët donin të dinin se si ekzaktësisht, do të dëbonte ai aq shumë imigrantë pa dokumenta, apo se si Trumpi do të hiqte qafe ISIS-in. Ne donim detaje. Por shumë votues mendojnë të kundërtën: Ata e marrin Trumpin seriozisht, por jo fjalë për fjalë

screen-shot-2016-11-09-at-10-59-35

Margaret Sullivan

E thënë me dy fjalë: Mediave u shpëtoi lajmi. Në fund, një numër i madh votuesish amerikanë donin diçka ndryshe. Dhe ndonëse këta votues thirrën e u “çorrën”, shumica e gazetarëve thjeshtë nuk dëgjonin. Nuk e kuptonin.

Ata nuk e kuptuan se turmat e mëdha entuziaste në mitingjet e Donald Trumpit do të përktheheshin vërtetë në po aq shumë vota. Ata nuk mund ta besonin, se Amerika që njihnin mund të përqafonte një peson i cili tallte një njeri me aftësi të kufizuara, mburrej se sulmonte seksualisht gratë, dhe nxirrte nga goja misogjini, racizëm dhe antisemitizëm.

Do të ishte shumë e tmerrshme. Kështu që, sipas një “mendimi magjik”, nuk mund të ndodhte.

Gazetarët – të arsimuar në kolegj, urbanë dhe në pjesën më të madhe, liberalë – përgjithësisht jetojnë në Nju Jork, Uashington apo në Bregun Perëndimor. Dhe ndonëse ne zbritëm në terren në shtetet e mëdhenj të kuq për disa ditë, apo intervistuam disa minatorë dhe të papunë në të ashtuquajturin Rust Belt, në fund nuk i morëm seriozisht. Ose jo seriozisht sa duhej.

Dhe Trumpi – i cili i quajti gazetarët llum dhe të korruptuar – na armiqësoi aq shumë, sa që nuk mundëm të shihnim atë që kishim para syve. Ne vazhduam duke kontrolluar faqet tona të preferuara të parashikimeve në internet, duke u ndjerë të sigurtë, edhe pse të gjithë e dimë që rezultatet e sondazheve nuk janë vota.

Në fund të fundit, ti nuk e di asnjëherë se kush do të dalë të votojë. Dhe ndërkohë, edhe parashikuesit më të prirur drejt Clintonit linin hapësirë për një fitore të mundshme të Trumpit.

Por, u duk se thellë-thellë, askush nuk e besonte. Ne do të kemi Presidente Clintonin, thoshte urtësia konvencionale gazetareske, dhe ndonëse ajo ka të meta, do të jetë gjithësesi një kandidate që njihet. Kishte një ndjesi rehatie në gjithë këtë.

Nuk ka asnjë dyshim: Ky është një dështim epik. Dhe ndonëse të hash korpa nuk është asnjëherë joshëse, ne do të vazhdojmë të tresim pupla dhe sqepa në javët e muajt – apo edhe vitet, që do të vijnë.

Sigurisht, e çuditshme është që media ndihmoi për t’i dhënë një shans Trumpit.

A e krijuan gazetarët Trumpin? Sigurisht që jo – ata nuk e kanë këtë lloj fuqie. Por ata e ndihmuan shumë, me një sasi të madhe ekspozimi të hershëm, në muajt përpara stinës së zgjedhjeve primare mes republikanëve. Duke vënë një theks qesharak mbi çdo zhvillim të mundshëm të praktikave të emaileve të Hillary Clintonit, duke përfshirë edhe gjepurat e drejtorit të FBI-së, James B. Comey.

Unë nuk jam fanse e Peter Thielit, miliarderi që nxorri jashtë biznesi Gaukerin duke paguar një padi penale nga Hulk Hogani, mundësi profesionist. Në të vërtetë më duket i tmerrshëm. Por kur ai foli kohët e fundit në Klubin Kombëtar të Shtypit, tha diçka që më goditi vërtetë, por edhe më ndihmoi për të kuptuar Donald Trumpin.

“Media e merr gjithmonë Trumpin fjalë për fjalë. Ajo nuk e merr asnjëherë seriozisht, por gjithmonë e merr fjalë për fjalë”, tha Thiel. Gazetarët donin të dinin se si ekzaktësisht, do të dëbonte ai aq shumë imigrantë pa dokumenta, apo se si Trumpi do të hiqte qafe ISIS-in. Ne donim detaje.

Por shumë votues mendojnë të kundërtën: Ata e marrin Trumpin seriozisht, por jo fjalë për fjalë.

Ata e kuptojnë, tha Thiel, se Trumpi nuk ka vërtetë ndërmend të ndërojë një mur. Ajo që ata dëgjojnë është: “Ne do të kemi një politikë imigrimi më të arsyeshme”.

Eshtë e qartë që Trumpi rroku zemërimin që amerikanët po ndienin për probleme të tilla si tregtia dhe imigrimi.

Dhe ndonëse shumë gazetarë dhe shumë organizata mediatike kishin lajme mbi irritimin dhe armiqësimin e këtyre amerikanëve, ne nuk i morëm ata seriozisht aq sa duhej.

Dhe ndonëse ne gazetarët përpiqemi ndonjëherë të paraqitemi si cinikë, edhe ne mund të jemi idealistë dhe naivë.

Ne donim të besonim në një vend ku mirësia dhe qytetaria kishin ende rëndësi, dhe ku dikush kaq i ashpër e i papërmbajtur nuk do të mund të zgjidhej kurrë – sepse Amerika ishte më e mirë se kaq.

Mund t’u vë faj gazetarëve për shumë gjëra. Por për këtë gjë, nuk u vë dot faj.

The ëashington Post – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button