Disa zyrtarë turq kanë “interesa të drejtpërdrejta financiare” në tregtinë e naftës me grupin terrorist Shteti Islamik, deklaroi sot kryeministri i Rusisë, Dmitri Medvedev, teksa foli përn jë reagim të mundshëm të vendit të tij, pas rrëzimit nga Turqia të një avioni ushtarak rus të martën.
“Veprimet e Turqisë janë një mbrojtje de facto e Shtetit Islamik’, tha Medvedev. “Kjo nuk është surprizë, po të kemi parasysh informacionin që ne kemi në lidhje me interesat e drejtpërdrejta financiare të disa zyrtarëve turq, që kanë të bëjnë me furnizimin e produkteve të naftës që përpunohen në impiantet e kontrolluara nga ISIS”.
“Veprimet kriminalë të autoriteteve turke … kanë shkaktuar një përshkallëzim të rrezikshëm të marrëdhënieve mes Rusisë dhe NATO-s, që nuk mund të justifikohen nga asnjë interes, duke përfshirë edhe mbrojtjen e kufijve shtetërorë”.
Sipas kryeministrit, Rusia po shqyrton mundësinë e anullimit të disa projekteve të rëndësishme me Turqinë, si dhe ndalimin e kompanive turke në tregjet ruse. Rusia u ka rekomanduar tashmë qytetarëve të saj të mos udhëtojnë në Turqi, duke cituar rreziqet nga terrorizmi. Kjo ka bërë që shumë operatorë rusë të tërheqin udhëtimet drejt Turqisë.
Rusia mund të sabotojë një projekt gazsjellësi, që do ta kthente Turqinë në një vend kryesor tranziti për gazin natyror rus që shkon drejt Europës, si dhe ndërtimin e të parit impiant bërthamor në vend.
Përgjigjet Erdogani: Disa pjesë të avionit ranë në Turqi
Disa pjesë të avionit rus që u rrëzua dje nga avionët gjuajtyës F-16 të forcave të armatosura turke, kanë rënë në territorin turk, duke plagosur dy persona. E ka zbuluar këtë mëngjes presidenti Rexhep Taip Erdogan, duke përsëritur se në momentin e rrëzimit, Turqia nuk kishte asnjë informacion se cilit shtet i përkiste avioni./Bota.al