Bota

Menaxhimi i një Evrope shumëpolare

screen-shot-2016-10-07-at-09-31-38

Nga Mark Leonard*

Londër – Njerëzit zakonisht mendojnë se vendimet më të rëndësishme që ndikojnë në Evropë, merren në Paris, Berlin, apo Bruksel. Por muajt e fundit, pasi Bashkimi Evropian është përballur me krizën e refugjatëve dhe konfliktin sirian, në plan të parë kanë dalë Moska dhe Ankaraja. Dhe BE-ja është e ndarë mbi atë se si duhet të merret me dy fqinjet e saj të pakënaqura, Rusinë dhe Turqinë, të cilat ndjehen gjithnjë e më shumë të mërzitura me Perëndimin.

Marrëdhëniet BE-Rusi, kanë nxjerrë në pah prej një kohe të gjatë interesat e ndryshme historike, gjeografike dhe ekonomike të shteteve anëtare të BE-së. Ndërsa të gjitha vendet e unionit ranë dakord për sanksionet kundër Rusisë, pasi kjo e fundit aneksoi Krimenë në mars të vitit 2014, ky bashkim i përkohshëm maskon pikëpamjet krejtësisht të ndryshme të shteteve anëtare, lidhur me llojin e marrëdhënies që ato duan të kenë me Rusinë, në një periudhë afatgjatë.

“Luftëtarët” e rinj evropianë të Luftës së Re të Ftohtë si Estonia, Polonia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë rezistuar agresionit rus; por Austria, Qipro, Republika Çeke, Greqia, Hungaria, Italia, Sllovakia dhe vende të tjera miratuan me gjysmë zemre sanksionet kundër Moskës, dhe janë më të hapura për të bashkëpunuar me qeverinë e presidentit rus, Vladimir Putin.

Turqia gjendet në një kategori të ndryshme, për shkak se është anëtare e NATO-s dhe një kandidate (të paktën në parim) për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Por presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, ka qenë një burim jo më i vogël i ndarjes në Evropë, se sa Putini. Në të shkuarën, Turqia është parë si një shtet potencial anëtar i BE-së dhe një model për demokracinë liberale islamike; sot, ajo shihet kryesisht si një zonë gjeopolitike tampon.

Për vende të tilla si Gjermania dhe Greqia, Turqia thith refugjatët e Lindjes së Mesme, si dhe frenon përhapjen e dhunës, nga e cila ata po largohen; megjithatë në vende të tjera të BE-së si Austria dhe Franca, udhëheqësit kryesorë politikë priren të kritikojnë Erdoganin për të rrëmbyer votues nga e djathta. Kjo do ta bëjë më të vështirë zbatimin e marrëveshjes – të ndërmjetësuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në fillim të këtij viti – që i jep mbështetje financiare Turqisë dhe udhëtimin pa viza në BE për qytetarët e saj, në këmbim të bashkëpunimit për të frenuar fluksin e refugjatëve, nga zonat e luftës.

Javët e ardhshme do të testojnë vendosmërinë e Evropës si përsa i përket sanksioneve kundër Rusisë, ashtu edhe marrëveshjes me Turqinë, sidomos tani që autoriteti i Merkelit është zbehur. Një ndarje mbi këto marrëveshje, do të shkaktonte një krizë të madhe për BE-në, e cila është tashmë e ndarë mes veriut dhe jugut, nga kriza kronike e Euros. Si Putini ashtu edhe Erdogani, janë liderë të formësuar nga pasiguria e brendshme e vendeve të tyre, dhe nevoja për të projektuar forcë.

Gjithësesi evropianët kanë probleme në ruajtjen e marrëdhënieve, që vendosin interesat e tyre gjeopolitike kundër dëshirës për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe mbështetur të drejtën ndërkombëtare. Në fakt, BE-ja duket se nuk ka asnjë kuadër konceptual për akomodimin e vendeve fqinje, të cilat nuk po janë duke importuar në mënyrë aktive normat dhe rregullat e saj.

Por problemi i BE-së me Turqinë dhe Rusinë, ka të bëjë me më shumë se sa thjesht personalitetet e vështira apo politikat jo të përshtatshme; ai i ka rrënjët në vetë rendin evropian. Kur përfundoi Lufta e Ftohtë, BE dhe NATO qenë në qendër të një rendi unipolar në zgjerim, që supozohej se do të krijonte kushtet për sigurinë evropiane. Në fakt, rezultoi shumë larg nga kjo garanci.

Gjashtë vjet më parë, Ivan Krastev dhe unë i dërguam një letër Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, ku paralajmëronim krijimin e spektrit të një Evrope multipolare, ku rregullat dhe institucionet që ndikojnë në vendet evropiane nuk do të vendosen të gjitha nga BE-ja. Ky spektër është bërë një realitet i gjallë. Sot BE-ja, është vetëm një nga disa projektet evropiane. Rusia është aktualisht po aq armiqësore ndaj BE-së sa edhe NATO-s, dhe ka krijuar një Bashkim Ekonomik Euroaziatik për të shërbyer si një përpjekje alternative e bashkimit rajonal.

Rusia është gjithashtu duke bërë çmos për të dobësuar nga brenda institucione të tilla evropiane si Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Këshilli i Evropës. Nga ana e saj Turqia, nuk i cilëson më aspiratat e saj rajonale si të përmbushura vetëm me rolin e saj si anëtare e NATO-s, apo kandidaturën për t’u pranuar në BE. Politika e saj rajonale ka ndryshuar në mënyrë drastike, nga “zero probleme me fqinjët” në “zero fqinjë pa probleme”.

Por Turqia është tashmë një lojtare e rëndësishme, pasi shtrirja e saj gjeopolitike mbulon rajonet ku si BE-ja dhe Rusia janë të angazhuara në mënyrë aktive – nga Ballkani dhe Azia Qëndrore, në Lindjen e Mesme. Me ngecjen e procesit të anëtarësimit të Turqisë në BE, dhe konfliktin ende të ndezur në Ukrainën Lindore, BE-ja po mbështetet tek vende me të cilat ka marrëdhënie gjithnjë e më komplekse politike. Në Evropë ka shumë shqetësime mbi mundësinë që Turqia dhe Rusia të formojnë një aleancë kundër BE-së. Por kjo frikë mund të jetë e parakohshme. Marrëdhëniet turko-ruse janë ngrohur së fundmi, por jo dhe aq shumë.

Të dyja vendet janë ende të ndara mbi shumë çështje, nga e ardhmja e presidentit sirian Bashar Al-Asad, tek siguria e Detit të Zi dhe aneksimi i Krimesë. Megjithatë, Brukseli ka nevojë të të rifreskojë idetë, në mënyrë që shtetet anëtare të mund të bien dakord se cila është mënyra më e mirë për t’i menaxhuar këto marrëdhënie. Nëse nuk e bën këtë, BE mund ta gjejë veten gjithnjë e më të izoluar dhe të vetmuar, në një lagje ku janë zhvendosur fuqi të reja. Nga Evropa Lindore dhe Ballkani në Azinë Qëndrore dhe Siri, periferia e Europës mund të trondisë qendrën e saj.

www.bota.al / Botuar nga bota.al me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Managing a Multipolar Europe

Leave a Reply

Back to top button