Analiza

Mënyra e gabuar për të Bërë diplomaci me Rusinë

Çfarë mund të mësojë Trumpi nga Reagani

Celeste A. Wallander

Samitet mes krerëve të shteteve janë lojëra të rrezikshme për të arritur zgjidhje të mëdha. Zakonisht gjykohen nëse ndihmojnë për të zgjidhur një problem të pazgjidhshëm ndërkombëtar. Por ndonjëherë, ndikimi i tyre më i madh është tek qëndrimi politik i brendshëm, i njërit ose të dy pjesëmarrësve. Dhe samiti i Presidentit amerikan Donald Trump muajin e kaluar në Alaskë me Presidentin rus Vladimir Putin ishte i këtij lloji: e forcoi Putinin dhe, duke bërë këtë, zgjati si luftën në Ukrainë, ashtu edhe pushtetin e tij.

Takimi në Anchorage ka ngjashmëri me samitin e vitit 1986 mes Presidentit Ronald Reagan dhe udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov në Reykjavik, Islandë. Atëherë, ashtu si edhe tani, një lider amerikan dhe një rus u takuan për të zgjidhur një sfidë të madhe të politikës së jashtme – në 1986 për të ndalur garën bërthamore, dhe muajin e kaluar për të ndalur luftën në Ukrainë. Në të dy rastet, ata dështuan. Por pasojat ishin krejt të ndryshme.

Për Gorbaçovin, samiti në Islandë përshpejtoi fundin e vendit të tij. Ai u kthye në Kremlin i dobësuar nga dështimi në ndaljen e programit të Reaganit për mbrojtjen strategjike dhe vendimet e tij më pas hapën rrugën për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, pesë vjet më vonë. Për Putinin, ndodhi e kundërta. Trumpi e priti me tapetin e kuq dhe foli me superlativa për marrëdhënien e tyre “fantastike”. Putini nuk bëri asnjë lëshim, ndërsa Trumpi ia kaloi përgjegjësinë Ukrainës: “Tani është në dorën e Presidentit Zelensky ta përfundojë,” tha ai për Fox News.

Putini doli fitimtar. Sipas një sondazhi të fundit të kompanisë së pavarur ruse Levada, 79% e rusëve e panë samitin si sukses për Putinin dhe mbi gjysma u bënë më optimistë për përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA. Media ruse nuk kishte nevojë për propagandë të rreme: mjaftoi të transmetonte eventin dhe komentet perëndimore për fitoren e Putinit. Kështu, i forcuar, ai mund ta vazhdojë luftën në Ukrainë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, që të fitojë sipas kushteve të tij.

Kur Gorbaçovi u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm në vitin 1985, Bashkimi Sovjetik ishte në krizë: ushtria e bllokuar në Afganistan, ekonomia e dobësuar nga planifikimi qendror, korrupsion dhe mungesa të mëdha. Ai premtoi reforma pa ndryshuar sistemin, duke synuar më shumë produktivitet dhe kursime. Një pjesë e planit ishte afrimi me Perëndimin për të ulur shpenzimet ushtarake.

Por samiti në Islandë dështoi. Reagani refuzoi të hiqte dorë nga Iniciativa e Mbrojtjes Strategjike dhe Gorbaçovi u kthye në Moskë i zbuluar para një Politbyroje të ndarë. Në fund, ai u mbështet te reformistët dhe firmosi traktatin INF me Reagan, por ndryshimet e tij e shkatërruan sistemin sovjetik pa krijuar një të ri funksional. Vitet që pasuan sollën uri, trazira dhe në fund shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në dhjetor 1991.

Rusia e Putinit nuk është Bashkimi Sovjetik i Gorbaçovit. Nuk ka Politbyro që e kontrollon. Ai sundon si autokrat personalist, ku elitat varen plotësisht nga besnikëria ndaj tij. Deri tani, ka menaxhuar mirë rreziqet: ekonomia nuk u shemb nën peshën e sanksioneve, madje u rrit mbi 4% vitin e kaluar falë shpenzimeve ushtarake. Papunësia është e ulët, konsumi i lartë, kredia e disponueshme. Por inflacioni është i madh – gati 10% në 2024 dhe mbi 8% këtë vit.

Sanksionet kufizojnë tregtinë, investimet dhe teknologjinë; nafta shitet me zbritje në Kinë dhe Indi. Për të rekrutuar ushtarë, shteti ofron bonuse të mëdha dhe paga të larta, duke shkaktuar mungesë fuqie punëtore dhe inflacion.

Megjithatë, samiti në Alaskë i dha Putinit frymëmarrje. Ai nuk fitoi marrëveshje ekonomike, por fitoi legjitimitet: doli nga izolimi, shmangu sanksione të reja për naftën, dhe forcoi narrativën se Rusia ka “shqetësime legjitime” për sigurinë europiane. Trumpi nuk e kundërshtoi këtë narrativë. Përkundrazi, duket se e pranoi që Moska të ketë fjalën e saj mbi integritetin territorial të Ukrainës. / Foreign Affairs – Bota.al

Back to top button