Kancelarja gjermane Angela Merkel i kërkoi të enjten Bashkimit Evropian të arrijë një marrëveshje mbi planin e rimëkëmbjes me vlerë 750 miliardë euro (843 miliardë dollarë) deri në fund të korrikut për të rifilluar ekonominë e gjunjëzuar nga pandemia e koronavirusit.
“Do të ishte më së miri nëse mund të arrinim një marrëveshje para pushimit të verës,” tha Merkel, duke bërë thirrje për kompromis nga vendet anëtare për të bërë të mundur që marrëveshja të ratifikohej deri në fund të vitit. “Ne duhet të veprojmë shpejt dhe me vendosmëri,” tha ajo.
Shefia e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen propozoi fondin e madh për të ndihmuar BE-në në recesionin e saj më të thellë, por plani u prit menjëherë me kundërshtime të ashpra nga shtetet anëtare që janë konservatore në aspektin fiskal, duke përfshirë Austrinë dhe Hollandën. Paketa e propozuar përbëhet nga 500 miliardë euro në grante dhe 250 miliardë euro kredi, por kërkon miratimin unanim të BE-së.
“Pozicioni fillestar nuk është i lehtë, por shpresoj se të gjitha vendet anëtare do të veprojnë në një frymë kompromisi përballë kësaj situate të paparë,” tha Merkel. “Kohezioni dhe solidariteti nuk kanë qenë kurrë më të rëndësishme se sot. Kriza mund të kapërcehet vetëm nëse veprojmë për dhe me njëri-tjetrin, ”tha ajo.
Këshilli Evropian do të zhvillojë një samit me videokoferencë në 19 qershor mbi paketën e diskutueshme të stimulit, më i madhi i BE-së deri më tani. Sidoqoftë, një vendim nuk pritet derisa liderët të takohen personalisht, tha Merkel, vendi i të cilës merr presidencën e BE-së në korrik. Kancelaria Gjermane në fund të majit i habiti vëzhguesit duke propozuar së bashku me Presidentin Francez Emmanuel Macron planin prej 500 miliardë euro në grante për të ndihmuar anëtarët e BE-së që janë goditur më shumë nga koronavirusi dhe për t’i kthyer ekonomitë e tyre në rrugën e duhur. France 24 / bota.al