Ndonëse shtrëngimi i duarve mes liderëve botërorë në zyrën ovale është një gjë krejtësisht e zakonshme, Presidenti Trump nuk e ka bërë diçka të tillë gjatë takimit me kancelaren Angela Merkel në zyrën ovale, pavarësisht insistimit të reporterëve që e kërkuan diçka të tillë tek dy liderët, duke thirrur fjalën ‘handshake’.
Ishte ky treguesi i parë i ndasive të shumta që ekzistojnë mes tyre, të cilat u pasqyruan më pas edhe në konferencën e mbajtur pas takimit me përfaqësuesit e biznesit.
Në fjalën e tij, Trump deklaroi se gjatë bisedës me dyer të mbyllura, i kishte kërkuar kancelares Merkel që Gjermania të dërgojë normën e shpenzimeve për NATO-n në nivelin 2%, aq sa parashikohet për anëtarët e Aleancës, gjë për të cilën Merkel e premtoi si një çështje të mbyllur brenda vitit 2024.
Më tej, Trump theksoi rëndësinë e luftës kundër terrorizmit si dhe rëndësinë e forcimit të masave të sigurisë brenda kufijve të Shteteve të Bashkuara.
Ai u shpreh ndër të tjera se emigracioni nuk është një e drejtë, por një privilegj, duke shtuar se është mjaft e rëndësishme të bëhet kujdes nga refugjatët që mund të shkaktojnë trazira në dy vendet.
Nga ana tjetër, kancelarja Merkel, tha se është më mirë që dy liderët të flasin me njëri-tjetrin, se sa për njëri-tjetrin, referuar deklaratave të shpeshta që kanë ardhur nga Donald Trump.
Merkel trajtoi edhe çështjen e konfliktit të Ukrainës duke nënvizuar se marrëveshja e Minskut nuk është zbatuar siç duhet, ndërkohë që tha se do të vijojë punë edhe mbi këtë çështje.
Një vend të gjerë në takimin Trump-Merkel kanë zënë çështjet ekonomike.
Presidenti amerikan deklaroi se shumë shteteve kanë abuzuar me SHBA-në në këtë aspekt, por sipas tij ky standart do të marrë fund në Presidencën e tij.
Nga ana tjetër, Merkel, deklaroi se është mirë që marrëveshjet ekonomike të firmosen në të mirë të të dyja palëve.