Bota

Merkeli – shtylla me të cilën qëndron dhe bie Europa

Screen Shot 2015-11-03 at 08.58.13

Koalicioni me bazë të gjerë në Berlin e sidomos CSU-ja me dëshirë profilizimi në Bavari duhet të mendohen mirë para se të dëmtojnë Angela Merkelin: Ajo është aktualisht garantuesja e fundit e unitetit në Europë

A e njohin në Berlin dhe Mynih atë proverbin e vjetër: Kur gomari është me të mira shkon e hedh valle në akull? Natyrisht është detyrë e funksionarëve të partive qeverisëse, t’ia bëjnë të qartë Angela Merkelit se ku shkaktojnë pakënaqësi apo protesta veprimet e saj. Po ashtu asnjë temë tjetër gjatë mandatit të Merkelit nuk i ka prekur kaq drejtpërdrejt gjermanët si kriza e refugjatëve. E duke kujtuar se gjermanët e urrejnë prishjen e rregullit, po dëgjohet gjithnjë e më fort thirrja për rimarrjen e kontrollit nga ana e qeverisë. Por të ndezësh në këtë situatë debatin për fundin e mundshëm të epokës së Merkelit është si mendjelehtësi ashtu edhe shumë e rrezikshme – e kjo përtej Gjermanisë.

Në Europë askush nuk është më në shtëpinë e vet

Faktikisht Angela Merkel është për momentin e pazëvendësueshme. Kjo nuk është patjetër ndonjë meritë e fuqisë së saj të jashtëzakonshme drejtuese, por lidhet më shumë në atë që përveç Merkelit në BE nuk ka më politikanë të tjerë që duan apo luftojnë për projektin „Europë“. Britanikët kanë kohë që janë „çregjistruar“, edhe pse formalisht pas dy vjetësh duan të bëjnë referendumin.

Barbara Wesel Studio Brüssel

Barbara Wesel

Francois Hollande është dhe mbetet një president i dobët, që nuk guxon t’i dalë krah Merkelit në çështjen e krizës. Ai ka frikë nga rritja e krahut nacionalist të djathtë të Front National dhe me këtë të le të kuptosh edhe gjendjen aktuale tek fqinjët europianë: Edhe në Austri, Suedi, Finlandë dhe Danimarkë populistët e djathtë po rrisin elektoratin duke i vënë nën presion qeveritë aktuale. Në Spanjë në kohën e krishtlindjeve zhvillohen zgjedhjet, në Portugali qeverisë i mungon shumica, në Itali, Matteo Renzi përpiqet të menaxhojë fluksin e refugjatëve që hyjnë në vend, por ndryshe i shikon ata si një problem të Gjermanisë. Greqia si edhe më parë nuk është e aftë të zgjidhë problemet e veta dhe dështon rregullisht e me vullnet përballë fluksit të refugjatëve që vijnë nga Turqia.

Një vështrim drejt Europës Lindore është akoma më shqetësues: Në Poloni sapo e morën pushtetin konservatorët e djathtë, kreu i të cilëve, Jaroslaw Kaczynski përdori fjalë diskredituese kundër emigrantëve nga Lindja e Afërt, fjalë që do të turpëronin edhe një neofashist. Për diktatorin e vogël, Viktor Orban është thënë gjithçka – ai me gardhet me gjemba e qentë e kufirit ndërkohë është bërë shembull në Bavari. Çekët, sllovakët, kroatët, bullgarët – kudo që të hedhësh sytë nuk gjen partnerë që të duan të marrin përgjegjësi as edhe për numrin e refugjatëve që do të shpërndaheshin në Europë në mënyrë të drejtë.

Kudo në Europë kanë marrë hov nacionalizmi dhe egoizmi. Askush nuk mendon se çfarë do të thotë realisht shpërbërja e BE-së për secilën nga këto vende: çfarë katastrofe ekonomike, çfarë rënie të prestigjit ndërkombëtar do të përjetonin, danezët, polakët, italianët, e po ashtu edhe britanikët po qe se e vendosin lëndën shpërthyese në Europë. Pa harruar europianolindorët që do të duhet të hiqnin dorë nga miliardat subvencionuese të BE-së dhe tregtisë së lirë me fqinjët. Me sa duket askush nuk beson që ky rrezik është kaq real, sepse në shumë kryeqytete, qeveritarët sillën si fëmjë që lozin me zjarrin.

Ankesat me zë të lartë për gjendjen e BE-së janë pjesë e punës në Bruksel. Por në këtë rast për fat të keq ankesat nuk janë të ekzagjeruara. Prova më e vështirë për unitetin e Europës që nga koha e Luftës së Dytë Botërore ndesh në dobësinë e vazhdueshme të personelit politik, ndarjen e polarizimin e peizazhit politik. Angela Merkel është këtu shkëmbi i patundur në stuhi. Ajo e ka kuptuar dimensionin global të krizës, në një kohë që të tjerët përpiqen ta largojnë problemin me gardhe me gjemba. Kancelarja gjermane është aktualisht e vetmja që mund ta drejtojë BE-në në sfidën më të madhe kulturore e sociale të saj. Po qe se ajo dështon – në Gjermani e në rrethin e 28 vendeve në Bruksel – atëherë dështon Europa. Për qeveritë e koalicionit në Berlin, kjo do të thotë: Tani është momenti që t’i forconi krahët Merkelit. Të flasësh për perëndimin e kancelares, është një lojë e rrezikshme.

Linku: http://www.dw.com/sq/merkeli-shtylla-me-t%C3%AB-cil%C3%ABn-q%C3%ABndron-dhe-bie-europa/a-18818536

Leave a Reply

Back to top button